Megjithëse Xhorxh Kluni nuk bën pjesë në listën tonë,

mos kini frikë, kemi argumente të tjera për t’ju bindur që kafeja është e mirë,

pasi efektet e saj pozitive në shëndet janë të ndryshme dhe janë provuar!

Të gjithë ata që pinë në mëngjes kafen e zakonshme, të shkurtër apo jo, me apo pa sheqer, me apo pa qumësht, do të kënaqen kur të mësojnë se kjo shërben edhe për të patur një shëndet të mirë. Pija më e konsumuar në botë, megjithëse është akuzuar për disa të këqija, njihet edhe për efektet e saj pozitive, sigurisht, kur pihet me masë. Dhe, nuk po ju flasim këtu vetëm për vetitë eksituese!

1. Shton kujtesën vizive

Në studimin e fundit thuhet se kafeja dhe kafeina që ajo përmban, vepron drejtpërdrejt në kujtesë. Studiues të Universitetit Xhon Hopkins të Baltimorës janë përpjekur të vlerësojnë pasojat e këtij stimuluesi në tru dhe në aftësinë e tij për të kujtuar një imazh. Kështu, janë përzgjedhur 73 vullnetarë që janë ftuar të shohin një imazh që përfaqësonte disa objekte dhe më pas, gjysmës i është dhënë 200 ml kafeinë (baraz me dy filxhana kafeje), ndërkohë që gjysmës tjetër, i është dhënë placebo. Ditën tjetër, një grup i ri imazhesh iu paraqit atyre, disa të njëjta me ditën e kaluar, disa të ngjashme, me disa ndryshime dhe disa, të reja fare. Të gjithë qenë të aftë të njihnin imazhet e vjetra dhe të reja, por ata që kishin marrë kafeinë ishin më të aftë për të dalluar ndryshimet e vogla që figuronin në imazhet e një dite më parë, një detyrë e vështirë për trurin dhe që tregon një nivel të thellë të kujtesës. “Duket se kafeina forcon kujtesën”, ishte përfundimi në të cilin doli studimi.

2. Kafeja nxit më shumë trurin e grave

Në maj 2013, shkencëtarë të Universitetit të Bufalos, Nju Jork, kanë vendosur të studiojnë ndikimin e kafesë në aftësitë tona njohëse. Përfundimi në të cilin dolën, ishte i papritur: Në 96 adoleshentë që morën pjesë në këtë eksperiment dhe iu nënshtruan testeve të kujtesës, ata që kishim marrë kafeinë, kanë treguar rezultate më të mira se grupi “placebo”, por ndërmjet tyre u dalluan më shumë vajzat në disa punë, sidomos në kohën e reagimit dhe të njohjes së fjalëve.

3. Kafeja mbron nga kanceri i fytit

Në dhjetor 2012, një studim amerikan i bërë në një kohëzgjatje 26 vjeçare dhe rezultatet e të cilit u botuan në Gazetën Amerikane të Edidemiologjisë, tregon një lidhje mes konsumimit të rregullt të kafesë dhe uljes së rrezikut të kancereve të pjesës së sipërme të aparatit tretës (fytit, gjuhës, qiellzës dhe bajameve), që prekin kryesisht ata që pinë duhan. “Kafeja përmban një shumëllojshmëri përbërësish si antioksidues dhe molekula të tjera aktive që mund të kenë një efekt mbrojtës në përparimin e kancerit”, ka shpjeguar njëri nga autorët e studimit. Në fakt, ekipi i studiuesve ka mundur të konstatojë një nivel mbijetese më të lartë te pacientët e prekur nga këto kancere, që pinin të paktën 4 filxhanë kafeje në ditë.

4. Pakëson rrezikun e shfaqjes së gurëve në veshka dhe goditjes në tru

Ashtu si disa pije të tjera të nxehta dhe të ftohta, si çaji, lëngu i portokallit, por edhe birra dhe vera, në një masë të caktuar edhe kafeja, bën pjesë në substancat që reduktojnë rrezikun e shfaqjes së gurëve në veshka, të quajtur edhe kolika nefretike, që prekin 5-10% të njerëzve. Kështu, kokrra e çmuar, e bluar, pakëson me 26% rrezikun e shfaqjes së këtyre gurëve, ndryshe nga pijet me gaz dhe ato me shumë sheqer, që favorizojnë krijimin e tyre. Sipas një studimi japonez, të publikuar në revistën “Stroke”, kafeja ka edhe aftësinë për të ndaluar rrezikun e goditjeve në tru. Studimi i bërë me 100 mijë njerëz për 13 vjet rresht, ka treguar se njerëzit që pinin të paktën një filxhan kafeje në ditë kishin një rrezik të reduktuar me 20%, në krahasim me ata që e pinin rrallë.

Kafeja zgjat jetën

Në maj 2012, një studim amerikan, i publikuar në Gazetën e Mjekësisë “Nju England”, ka zbuluar se kafeja e konsumuar çdo ditë, ka efekte mbrojtëse afatgjata dhe redukton kështu, rrezikun e vdekjes, me 10%. Kjo ndodh ngaqë kafeja të mbron nga goditjet në tru, nga problemet kardio-vaskulare, diabeti dhe disa sëmundje të frymëmarrjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *