Unë u martova në vitin 1999, pas një viti fejesë me A.T.
Ne u njohëm në një dasëm, në një kohë që unë isha thjesht fëmijë,
sapo isha bërë 16 vjeçe, ndërsa A.T ishte 28 vjeç.
Meqenëse kisha rezultate të shkëlqyera në mësime, unë isha e sigurtë se do të arrija të ndiqja universitetin që dëshiroja. Në atë kohë ëndërroja të bëhesha mjeke; ishte dëshira më e madhe që kisha. A.T, që në momentin e parë që i ranë sytë mbi mua në atë dasëm ku të dy ishim të ftuar, nuk humbi kohë dhe filloi të më ngacmonte në një mënyrë krejt të hapur, që të gjithë e vunë re, edhe prindërit e mi, të cilëve nuk u pëlqeu fare. Një kushërirë e imja që e njihte A.T më tha se unë i kisha pëlqyer pa masë, megjithëse në të vërtetë nuk po bëja asgjë për t’i rënë në sy dhe sa herë ndjeja shikimin e tij drejt meje, i shmangesha. Kushërirës i thashë që s`më interesonte dhe se nuk doja asnjë kontakt me të. Dasma mbaroi dhe unë mendova që s’do ta shikoja më, por ishte e shkruar që ne të takoheshim sërish, ndaj të nesërmen, kushërira erdhi në shtëpinë time gjoja për vizitë dhe më tha që A dëshironte të takoheshim ose të shkëmbenim numrat e telefonit. Unë iu përgjigja negativisht sepse nuk doja të filloja një lidhje, aq më pak me të. Të nesërmen, kur po shkoja në shkollë, për çudi, e pashë A.-në të më buzëqeshte nga makina e tij dhe më shoqëroi deri në shkollë, duke ecur me makinë paralel me mua, pa thënë asnjë fjalë, thjesht më shikonte dhe vinte në kasetofon këngë romantike. Për momentin, nuk u ndjeva aspak mirë.
Kjo situatë vazhdoi për tre muaj, ndërkohë që kur unë me shoqet e klasës ulesha në kafene, ai ishte gjithmonë aty. Mirë që vinte, po na paguate shpesh çfarë konsumonim. Shoqet e mia zunë shoqëri dhe më thonin se ne do të ishim çifti më i bukur në qytet. Duke kaluar muajt, edhe mua vazhdoi të më pëlqente këmbëngulja e tij dhe më hyri në zemër, pasi në të vërtetë ishte shumë tërheqës. Kishte flokë të zinj, ishte i gjatë dhe nuk e dija pse paratë i kishte gjithmonë me shumicë. Kështu, unë u dashurova me A.-në dhe filluam të dilnim. Ndoshta pasuria e tij më kishte tërhequr më shumë se çdo gjë tjetër. Çdo ditë ishte edhe më e bukur duke shkuar në dreka, diskoteka, vende turistike etj. Dhuratat sa vinin e shtoheshin edhe çmimi i tyre ishte përditë e më i lartë. Pas tre muajsh që dilnim bashkë, ne vendosëm të fejoheshim. Prindërit e mi nuk ishin dakord me këtë fejesë, se dëshironin që unë të vazhdoja studimet, por ne ishim shumë të dashuruar dhe ua bëmë të qartë se nuk do pyesnim asnjeri. Bënim plane përditë për martesën tonë dhe u martuam.
Ajo ditë ishte si një ëndërr. Meqenëse A. ishte çun i vetëm, kishte në dasëm rreth 400 të ftuar dhe gjithçka u duk aq e bukur! Atë natë mbaj mend që u lodha shumë, por gjithsesi, zemra më rrihte fort dhe ndihesha femra më e bukur në univers. I shikoj fotot dhe nuk më besohet sa të lumtur ishim, por si pa e kuptuar, dashuria jonë mbaroi me fillimin e martesës. Ai rrinte gjithmonë e më pak në shtëpi, me pretekstin që punonte dhe unë ndihesha krejt e vetme në atë shtëpi të madhe. E dija që merrej me punë të pisëta, ndaj nervozohesha, por vazhdoja ta doja sepse në jetë, vetëm atë kisha. Kishim një vit që ishim të martuar dhe çdo natë i lutesha Zotit që ai të rikthehej përsëri personi që kisha njohur para martesës. Sikur të kishte zgjatur edhe gjithë jetën kjo gjendje, unë do të vazhdoja ta dashuroja e nuk do ndahesha kurrë prej tij, por erdhi një moment që unë s’do ta besoja kurrë edhe që ishte gjëja më e fundit që prisja nga ai…
Një natë nëntori, A. erdhi i dehur në shtëpi dhe kur unë e pyeta se ku kishte qëndruar deri atë orë, ai më tha që ishte vetë mashkulli i shtëpisë dhe, në debat e sipër, filloi të më rrihte. Edhe unë realisht ulërija sepse isha shumë e nevrikosur, duke degraduar situatën. Pas dy të goditurash në kokë, nuk mbaja mend asgjë se, me sa duket, më kishte rënë të fikët. Pas disa orësh, u zgjova në dysheme, plot shenja nëpër trup. Ai nuk kishte marrë as mundimin të më ngrinte nga vendi, por më kishte lënë si një qen, përtokë. Më vinte turp të dilja nëpër lagje se do të më shikonte njeri. Pas disa kohë grindjesh dhe zhgënjimi, unë zbulova që isha shtatzënë. Pasi i tregova në telefon që prinim fëmijë, dukej i lumtur, ndërkohë që ndodhej në Belgjikë dhe s`mund të vinte ato ditë. Kur u kthye, prisja të vinte me dhurata sepse disi e kisha harruar atë që kishte ndodhur, por atë natë më tregoi që kish humbur në bixhoz çdo gjë që kishim dhe unë fillova ta shaja e ta godisja. Nuk mund ta besoja që fëmija jonë të rritej në mjerim e unë të ngelja duke kërkuar lëmoshë te prindërit e mi. Ishte diçka për të cilën ata më ksihin paralajmëruar. Ai, nga nervat, u kthye duke më goditur më fort se radhën e parë. Rashë përtokë e mbuluar në gjak dhe pashë vetëm A. një moment duke më qarë te koka.
Të nesërmen në spital nëna më tha se e kisha humbur fëmijën. Ishte momenti i parë që fillova ta urreja me gjithë shpirt atë përbindësh që më mori rininë dhe pastaj, foshnjën tonë. Ëndrrat e mia për një moment u copëtuan të gjitha edhe unë isha në udhëkryq, duke mos ditur as çfarë të bëja, as çfarë doja. Në ditët në vazhdim, doja vetëm që ai të ma paguante atë që kishte bërë. Vendosa të ndaheshim për një kohë e unë shkova të jetoja në shtëpinë time. Një mëngjes mora armën e babait që punonte polic dhe i kërkova ta takoja. Ai më tha se nuk kishte kohë, por unë i thashë që do të shkoja unë kudo që të ishte dhe më në fund, pranoi. Unë doja ta plagosja apo nuk e di çfarë doja, thjesht, doja ta lëndoja shumë. Kur shkova, debati vazhdoi si në shtëpi dhe ai, me arrogancë, më tha që unë isha fajtore për të gjitha ato që ndodhën dhe më ktheu shpinën të largohej. Mua m’u nxinë sytë, nxora armën nga çanta e dorës dhe i qëllova 2 herë në kokë, pa m’u dridhur syri. Shpirti im kishte vuajtur mjaftueshëm e tashmë isha bërë një dru që nuk ndjente asgjë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe di vetëm që më mori policia e atë e pashë që e futën në ambulancë me urgjencë. Uroja me gjithë shpirt të kishte vdekur sepse një monstër e tillë ishte vetëm për të shkatërruar familje dhe jetë njerëzish. U dënova tetë vjet për vdekjen e babait të fëmijës sim, që nuk lindi kurrë. E pabesueshme për t’u thënë! Në burg e mendova jetën të përfunduar dhe nuk kisha më asnjë stimul për të jetuar, edhe pse në qeli po silleshin gjithnjë e më mirë me mua të gjitha shoqet që gjeta aty.
Një ditë, drejtori i burgut që e kisha parë disa herë, por kurrë nuk i kisha folur, më thirri në zyrën e tij. Prisja çdo lloj sjelljeje nga ai, të më ofendonte, të më përdhunonte, por jo që ai të sillej si njeri me mua. Ika duke pasur një mijë mendime në kokë. Ai më pyeti për familjen, nëse kisha fëmijë jashtë që më prisnin e kështu me radhë. Atë ditë më ofroi një kafe dhe mbasi bëmë muhabet, më përcolli në qeli. Kaq! Gjithë natës nuk më zuri gjumi. Nuk e kuptoja arsyen e asaj vizite. Sjellja e tij më habiti akoma më shumë kur më thirri sërish në zyrë, por ai më tregoi një album fotografish të shkollës, kur unë isha me shokët dhe shoqet e klasës së tretë. Shumë i qeshur, mes tyre, ndodhej edhe ai. Ishte e pabesueshme si nuk i kisha kushtuar vëmendje qoftë për një sekondë fytyrës e as emrit të tij; përkundrazi, kisha pritur të më bënte keq. Lotët më shpërthyen dhe po më vinte zor nga vetja. Ai më kishte njohur si një nxënëse të shkëlqyer, ndërsa tani isha një fantazëm njëzet e dy vjeçare, me shpirt të trazuar dhe pamje jo të mirë. Folëm gjatë atë ditë duke kujtuar fëmijërinë dhe ai më kujtoi që dikur kisha qenë goca më e bukur e klasës. Vazhdimisht i thoja atij se unë isha njeriu më i pafat që ekzistonte, ndërsa ai më jepte zemër duke më thënë se e kisha jetën para dhe se shumë shoqe të miat ende nuk e kishin mbaruar shkollën.
E.D sillej gjithmonë me respekt me mua dhe më trajtonte si një mike, duke më treguar për jetën e tij jashtë burgut. Më jepte lajmet e ditës e shumë shpesh, më blinte libra që të lexoja. Më habiste se si një njeri aq i mirë dhe aq i pashëm, nuk e përmendte kurrë familjen. Ne takoheshim herë pas here dhe, ndërkohë, kur takoheshim në korridore, përshëndeteshim përzemërsisht. Gardianet dhe personeli dalëngadalë mësuan historinë time dhe filluan të ma lehtësonin qëndrimin në burg. Ata, sa herë më kërkonin mendim dhe më ftonin bashkë me disa vajza të tjera të luanim letra apo të shikonim televizor. Herë–herë më dukej sikur brenda në burg po jetoja më e lumtur se aty në atë vilë, e vetme, ku nuk kisha kujt t’i thoja as “mirëmëngjes”, as “natën e mirë”. Si nuk e kisha kuptuar më parë që Zoti e kishte krijuar këtë person enkas për të më nxjerrë nga llumi ku isha zhytur?! Më kujtohet me lot në sy kur pas 2 vitesh qëndrim në burg ai më kërkoi që të fejoheshim, në një mënyrë aq të thjeshtë dhe të ëmbël sa s`mund ta refuzoja. Ishte çmenduri! Edhe familjarët e mi më kërkuan të bëja hapa më të ngadaltë sepse ai ishte i ri e plot jetë dhe unë, një e dënuar për vrasje. Mund ta imagjinoni vetë se sa e keqe ishte situata ime, pavarësisht se isha tërësisht e dashuruar. Më dukej e pabesueshme se si ai mund të ishte i interesuar për mua, por gjithashtu, kisha shumë frikë që çdo premtim dhe çdo gjest i tiji mund të ishte thjesht një gënjeshtër, por ai, me përkushtimin e tij, më bëri të ndërroja mendje.
Ne u martuam pasi unë kisha mbaruar gjysmën e dënimit, në një ceremoni të thjeshtë që nuk i ngjante aspak dasmës sime të parë. Më pas unë mora një shkurtim dënimi për sjellje të mirë dhe amnistinë që dha zoti Alfred Moisiu. E. ishte një bekim për mua dhe këtë ma vërteton çdo ditë. Tani, ne kemi dy fëmijë të mrekullueshëm të cilët i dua dhe i edukoj më së miri. Jeta më dha një leksion shumë të vefshëm: Bota është e mbushur me njerëz të mirë, mjafton të zgjedhësh dhe të mos i japësh rëndësi parave të tepërta dhe jetës sipërfaqësore…