rripa rripiRripi nuk është më një mbajtës i thjeshtë, ai është kthyer në një aksesor të vërtetë mode që prej disa sezonesh! Tanimë, shihet me sy të keq veshja e xhinseve tub, ose e një fustani të trikotuar (në modë, këtë dimër), pa e shoqëruar me këtë aksesor të çmuar. Rripat mund të jenë prej lëkure, cohe, me temina, perla, me perçina apo prej metali, të përkryer për të nxjerrë në pah belin dhe gati-gati mund t’i ngatërrosh me bizhuteri. Përdoren për çdo rast dhe në çdo vend, si për përditë, ashtu edhe për raste. Mjafton të zgjidhni modelin që ju përshtatet me formën e trupit, të gjerë apo të ngushtë…

Si ta zgjedhësh rripin?
Rripi, pra, nuk është një aksesor i thjeshtë; ai duhet të mbajë pantallonat, të theksojë format dhe të zbukurojë veshjen tonë. Ja disa rregulla që duhet të ndiqni për rripat:
– Zgjidheni rripin në varësi të gjerësisë së belit.
Mateni belin tuaj para se të shkoni për të blerë një rrip.
– Përshtatjani rripin formës së trupit tuaj.
Ndryshe mbahet rripi kur ke disa kilogramë të tepërt dhe ndryshe, kur beli nuk është i theksuar.
– Blerja e rripit është një investim.
Shihni së pari materialin e tij. Nëse zgjidhni një model shumë origjinal, bëjini vetes pyetjet e duhura: Mund ta mbani me gjithçka? Për sa kohë? Nëse ju pëlqen vërtet shumë dhe shihni që ju shkon, mos hezitoni ta blini.

Sipas formës së trupit
– Nëse keni një formë trupi androgjine (molle).
Duhet të zgjidhni një rrip që ta bëjë më femëror trupin tuaj dhe të nxjerrë në pah belin. Kështu, zgjidhni një rrip pak a shumë të gjerë dhe që bie në sy. Përpiquni ta mbani sa më shpesh dhe ta përshtatni për të gjitha veshjet. Zgjidhni fundet e pantallonat me bel të lartë, për të theksuar format, duke e vënë rripin në nivelin e belit. Bile, mund ta përdorni rripin edhe për xhaketat dhe palltot, për t’u dhënë më shumë stil.
– Jeni trupvogël.
Ju, duhet të zgjasni siluetën me anë të aksesorëve. Kujdes, mos zgjidhni një rrip shumë të gjerë ose shumë të trashë, që do të rrezikonte më shumë t’ju zvogëlonte, sesa t’ju zgjaste. Më mirë zgjidhni një rrip të hollë, prej lëkure të thjeshtë, të kombinuar me një palë këpucë të bukura me taka. Nëse keni veshur një tunikë, ose një fustan, mbajeni rripin nën gjoks. Kështu, do të zgjatet busti dhe këmbët.
– Keni një gjoks të madh, forma dhe vithe të rrumbullakëta.
Ju keni një siluetë të vërtetë femre që i bën burrat të ëndërrojnë, por nganjëherë, mund të ndjeheni në siklet me të. Bëhet fjalë, pra, për të harmonizuar siluetën, që të mos ju duket vetja si tullumbace. Zgjidhni një rrip me ngjyra, femëror, por sidomos, jo shumë të gjerë. Për të theksuar gjoksin dhe zgjatur bustin, vëreni rripin nën gjoks. Nëse e vini kështu, do të kamufloni edhe ijet shumë të gjera. Edhe pantallonat mbajini me shtrat të lartë, që këmbët të duken më të gjata. Për të nxjerrë në pah ijet e rrumbullakëta, mund ta mbani rripin paksa të lëshuar pikërisht mbi të pasmet.

Sipas stilit tuaj

– Stili retro
Ju frymëzimin e merrni jo nga moda e momentit, por nga dhjetëvjeçarët e shkuar. Ju pëlqejnë fustanet e viteve ‘50 ose tunikat e viteve ‘70, të cilat i kombinoni me rripa të ndryshëm, duke respektuar stilin tuaj. Pse të mos i përzieni pak epokat? Rripat e mirë për ju do të ishin rripat e gjerë prej lëkure lustrafin, ata që duken si lëkurë e vjetëruar prej krokodili, pse jo, edhe vintage.

– Stili glamur
Ju ndiqni gjithë tendencat e fundit dhe dini të jeni shik e femërore në çdo rrethanë. Rripin, pra, e zgjidhni me shumë kujdes, që të kombinohet me veshjen dhe aksesorët e tjerë. Kujdes edhe të mos krijoni lukun total (i kombinuar deri në detajet më të vogla). Ju mund ta vini rripin mbi pallto ose mbi pardesy. Në këtë rast, rripi juaj do të jetë i gjerë, lustrafin, i zi, ngjyrë kremi apo i kuq, me një tokëz katrore. Për një veshje më të thjeshtë, zgjidhni një rrip të hollë, me një tokëz të vogël metalike.

– Stili hipi shik
Ju jeni tip i relaksuar, i thjeshtë dhe visheni me gjërat që ju vijnë nëpër mend. Megjithatë, garderoba juaj fsheh veshje të frymëzuara nga vitet ‘60, ‘70. Bluza, xhinse të gjera, këmisha me katrore, funde të gjatë me ngjyra… Rripi juaj do të jetë shumë i thjeshtë, prej lëkure të thurur, ose me një tokëz rrumbullake metalike, për t’u dukur më romantik. Për një luk edhe më të relaksuar, pse të mos lidhni një shall të hollë mbi një fustan, apo me xhinse?

– Stili etnik
Ju jeni aventuriere dhe sillni veshje të ndryshme nga udhëtimet tuaja: Bluza etnike, me motive afrikane, ose tunika indiane… Stili juaj është plot forma dhe ngjyra, rripi mund të jetë etno shik, ose jo. Ai që ju duhet është një rrip prej lëkure natyrale, bruto, mundësisht, ngjyrë kafe. Nëse jeni koketë dhe e rafinuar, zgjidhni një rrip me temina, perla apo pasqyrëza, gjithmonë etnike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *