Një sit italian ka botuar listën e 10 destinacioneve më të preferuara nga turistët homoseksualë. Vendin e parë e zinte ishulli grek, Mikonos, me 32% të preferencave, i ndjekur nga Barcelona (15%) dhe Ibiza (13%). Lexoni klasifikimin e tyre në shkrimin tonë…

MIKONOS1. Mikonos, Greqi
Ishulli: Mikonosi ka gjithçka: Është shumë i bukur, në zemër të detit Egje, i rrethuar nga deti ngjyrë blu dhe me një arkitekturë tradicionale cikladike.
Klasifikimi: Në vend të parë, me 32% të preferencave!
Plazhet gej: Janë shumë dhe gjithmonë në “anën e majtë të plazhit”, duke e parë nga deti. Më të bukurat janë pa dyshim Elia Beach dhe SuperParadise (në klubin JackieO’). Por, nëse nuk ju intereson të jeni në komunitet, shkoni në Lia Beach, larg e qetë (pa muzikë).

2. Barcelona
Qyteti: Barcelona është një nga qytetet spanjolle që tregohet më miqësore ndaj homoseksualëve dhe një nga më të hapurat e liberalet. Parada gej (Gej pride), që zhvillohet çdo qershor) është ndër ato me më shumë pjesëmarrje dhe zbavitëse në botë. Vitin e shkuar, në të, morën pjesë 150 mijë persona.
Klasifikimi: Në vend të dytë, me 15% të preferencave.
Lagjia gej: Eixample, që është edhe zona më e populluar e Barcelonës. E njohur edhe me emrin “Gejxample”, ajo ka shumë pabe, restorante, diskoteka dhe hotele për gejt, përveç monumenteve si Sagrada Familia dhe Casa Milla.

3. Ibiza
Ishulli: Ibiza është mbretëria e trasgresionit (gej dhe jo), destinacion çdo vit i turistëve që kërkojnë emocione të forta dhe festa që zgjasin gjithë natën. Në verë, ishulli është i mbushur plot e përplot, kështu që, nëse doni të shkoni në këtë stinë, llogarisni radha të gjata për të hyrë nëpër lokale dhe kudo, konfuzion.
Klasifikimi: Vendi i tretë, me 13% të preferencave
Lagjia gej: Jeta e gejve është e përqendruar rreth lagjes Eivissa. Rruga gej më e njohur (e gjatë vetëm 400 m) është Carrer de la Verge.

4. Sixhes (Sitges), Katalonjë
Qyteti: Qyteti katalonjas, i adhuruar nga artistë si Pikaso, Miro dhe Dali është një parajsë për gejt. Në verë, popullsia shkon nga 3 mijë, në 250 mijë njerëz, një pjesë e mirë e të cilëve janë turistë gej që vijnë për të shijuar plazhet e arta dhe një jetë nate nga më trasgresivet në Spanjë.
Përqindja: 10% e preferencave.
Lagjia gej: Në Sixhes nuk ekziston një lagje që të jetë “më pak” gej se një tjetër. Në qytet, flamuri me ylber, simbol i gejve, valëvitet kudo. Ka një plazh gej, 450 dyqane të destinuar për ta, 20 bare gej, dy klube nate dhe dy sauna të mëdha.

5. Gran Canaria, Spanjë
Ishulli: Gran Kanarian e ndajnë pak orë fluturimi nga qytetet kryesore të kontinentit të vjetër. Ishulli është i famshëm, përveç plazheve dhe jetës së natës, edhe për hotelet dhe bangalout të destinuara vetëm për një publik gej, pothuajse të gjitha të ndërtuara në Jug të ishullit, pranë plazheve të Maspalomas dhe Playa del Ingles.
Klasifikimi: Në vend të pestë, me 8% të preferencave
Lagjia gej: Nuk ka një lagje të veçantë, por një qendër tregtare, Yumbon, që historikisht, konsiderohet si pikë takimi e turistëve gej.

6. San Fransisko, SHBA
Qyteti: Është i njohur si një nga qytetet më gej-miqësore të botës. San Fransisko është destinacioni kryesor i homoseksualëve amerikanë dhe ka edhe një nga komunitetet transeksualë më të shumta dhe më të shumëllojshme të botës.
Përqindja: 7% e preferencave
Lagjia gej: Pa dyshim, Castro, është lagjja gej më e famshme në botë. Në vitet ‘60 dhe ‘70, në klimën e kulturës hipi, u bë mbledhja e homoseksualëve që shkonin në Kaliforni nga çdo anë e Amerikës. Pikërisht në Castro, Harvei Milk, njëri nga eksponentët më aktivë dhe të njohur të lëvizjes gej të sapolindur, hapi dyqanin e tij fotografik.

7. Berlini
Qyteti: Berlini është Meka e turizmit gej në Gjermani. Në qytet do të gjeni lokale për të gjitha shijet, përveç diskotekave ku performojnë artistët e rinj.
Përqindja: 7% e preferencave
Lagjia gej: Në Uinterfeldplatz, në lagjen e Schoneberg ka shumë lokale, bare dhe klube nate për gej. Në stacionin e afërt të metrosë U-Bahn është edhe një pllakatë përkujtimore për 5000 gejtë e vrarë në kampet e përqendrimit nazist.

8. Londra
Qyteti: Londra është një nga kryeqytetet evropiane më gej-miqësore, duke filluar nga baret, diskotekat, teatrot dhe kinematë tematike. Qyteti, pavarësisht flegmatizmit të anglezëve, pulson çdo ditë nga jeta dhe u ofron turistëve atraksione të shumta.
Përqindja: 7% e preferencave.
Lagjia gej: Pa dyshim, Soho është zemra e jetës së gej-ve londinezë. Old Compton Street, me teatret, baret dhe restorantet tematikë, konsiderohet si një nga rrugët më gej të Europës.

9. Amsterdami
Qyteti: Klima shumë e hapur dhe tolerante e Hollandës tërheq prej kohësh në Amsterdam gej nga e gjithë bota. Është qyteti, në të cilin një çift homoseksualësh mund të shëtisë në rrugë, i kapur përdore, pa shqetësuar askënd.
Përqindja: 6% e preferencave.
Lagjia gej: Jeta gej në Amsterdam përqendrohet në Reguliersuarsstraat, zona më trendi, së bashku më Amstel dhe Uarmoesstraat, ku gjenden shumë bare, lokale (dhe diskoteka e famshme gej Exit) dhe Kerstraat, lagjja historike gej e qytetit. Nga mesi deri në fund të dhjetorit zhvillohen Krishtlindjet Rozë, që e transformojnë qytetin në një kaleidoskop të zbavitjeve gej.

10. Nju Jorku
Qyteti: Një Jorku është një nga qytet më miqësore ndaj gejve. Molla e Madhe ka një nga komunitetet LGBT më të vjetra të Amerikës dhe të botës, përveç disa bareve dhe restoranteve gej më të famshme të Amerikës.
Përqindja: 6% të preferencave
Lagjja gej: Në Nju Jork, lagjja historike gej është Greenvvich Village, megjithëse dhjetëvjeçarët e fundit, komuniteti LGBT është transferuar në Çelsi, për shkak të qirave të shtrenjta. Megjithatë, Grinuiç ngelet referenca historike e botës gej njujorkeze, me baret vintage dhe libraritë tematike më të vjetra në botë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *