Më dha bukë të ngrohtë

– Përshëndetje!

Kam parë në ëndërr sikur dola në çdo shtëpi të qytetit e kërkoja farë kosi.

Ndalova te vila e vjehrrës së motrës sime. Më doli një plakë tjetër e më tha: “Të njoh se të kam parë mbrëmë në foto. Nuk kam farë kosi, por po të jap një bukë shtëpie të ngrohtë”. Pastaj, më doli gjumi. Ana.

– E dashur Ana, nëse keni në mendje këto kohë të bëni diçka me çdo kusht, ajo nuk është e mirë për ju. Pranoni atë çfarë do t’ju ofrojnë. Buka e ngrohtë ka gjithmonë kuptim pozitiv dhe përderisa jua kanë dhënë, do të thotë që zgjedhja që do të bëni pas ofertës që do t’ju bëhet, është e duhura për ju. Do të keni fat në çdo lloj drejtimi qoftë.

Dëgjoj muzikë

– Më ndodh që herë pas here dëgjoj muzikë në ëndërr dhe më pëlqen shumë, pavarësisht se në mëngjes, trishtohem. Nuk e mbaj mend çfarë muzike apo kënge është, thjesht, më pëlqen shumë. Një vajzë.

– Së pari, muzika tregon për natyrën tuaj të brishtë dhe të ndjeshme. Përveç kësaj, keni shpirt artisti dhe duke qenë e tillë, mund të lëndoheni shumë lehtë. Prandaj edhe dëgjoni muzikë, e cila në realitet përfaqëson edhe gëzimin, edhe trishtimin, por edhe ngushëllimin, në shumicën e rasteve. Varet edhe nga situata në të cilën ndodheni.

Duke u martuar me vello të zezë

– Jam një grua e martuar. U bënë disa net që shoh pothuajse të njëjtën ëndërr, sikur martohem me një burrë që nuk e njoh. Jam e veshur me vello, që nuk është e bardhë, por e zezë dhe kjo gjë më ka shqetësuar jashtë mase. Kishte shumë njerëz, por asnjë nuk ishte i gëzuar; të gjithë më shikonin shtrembër. Mbaj mend që i thashë nënës sime: “Po ti, nuk po gëzohesh?” dhe ajo më tha: “Pse të gëzohem? Na ke hidhëru shumë”. Ashtu, në siklet, më doli gjumi. Pres një shpjegim.

– E nderuar zonjë, kjo është një ëndërr shumë domethënëse. Ka dy kuptime dhe ju do ta kuptoni vetë se cili prej tyre është më afër së vërtetës. Nëse po kaloni një periudhë të vështirë me bashkëshortin tuaj, kjo është një ëndërr që tregon një anë të realitetit, që thyerja që është krijuar, nëse nuk rregullohet shumë shpejt, mund të çojë në një distancë jo të mirë mes jush. Ana tjetër e ëndrrës, është që ju ndoshta jeni duke menduar ndarjen; një ëndërr e tillë tregon edhe praninë e një të treti në mes. Martesa me një burrë tjetër, tregon ndjenja për dikë tjetër dhe ftohje për atë që keni në krah. Nëse është kështu, shumë shpejt familja do ta marrë vesh dhe kjo është arsyeja pse e keni parë veten të veshur me vello të zezë, që do të thotë se i jeni futur një rruge pa krye dhe që do t’ju sjellë shumë probleme, aq sa edhe nëna juaj do t’ju largojë dhe nuk do ta miratojë kurrë atë që ju mund të bëni. Nëse nuk jeni në këtë rrugë, e keni ju në dorë ta ndryshoni rrjedhën e ngjarjeve. Sido që të jetë, në të dyja situatat, ju mund ta rregulloni gjendjen e tensionuar në shtëpi. Nëse në jetën tuaj është vërtet dikush jashtë familjes, hiqni dorë sa nuk është vonë sepse nuk duket diçka pozitive për ju. Ëndrrat vijnë edhe për të na paralajmëruar, për t’u paraprirë apo për të ndaluar ngjarje që nuk janë në të mirën tonë. Gjithë të mirat!

Lotët e babait dhe fusha me lule

– Para dy netësh kam parë një ëndërr e cila për momentin m’u duk e bukur, por më pas u trishtova. Isha me babain tim, po rrinim në ballkon dhe ai më tha: “Hajde këtu të të përqafoj”. Më përqafoi fort dhe pashë që sytë i kishte me lot, por në të njëjtën kohë ishte i qeshur dhe i qetë. I thashë: “Babi, pse po qan?” dhe më tha: “Se do të më marrë malli shumë për ty, por kështu do bëhet”. “Çfarë është kjo që po thua?”, i thashë. “E shikon atë fushën atje?”. I thashë se po. Fusha ishte e gjitha me lule të verdha që ngjanin me lulemimozat. E pyeta ç’do të thoshte ajo fusha dhe më tha: “Aty është shtëpia ime”. I thashë se atje s’kishte asnjë shtëpi, ishte fushë e bukur, por shtëpia e tij ishte pranë meje. Më puthi fort dhe më tha: “Po mua më pëlqen edhe ajo fusha me lule!”. Ishte vërtet një fushë shumë e bukur, të linte pa fjalë. Ashtu siç isha ngrohtë, në krahët e tij, unë ndjeja lotët që i rridhnin mbi mua. Jam në ankth, sepse e kam pa qejf babain. Çfarë kuptimi ka? Hana.

– E dashur Hana, e kuptoj trishtimin tuaj. E para, ëndrra tregon që ju jeni shumë e lidhur me babain dhe nuk e mendoni kurrë veten larg tij. Ai është pa qejf këtë periudhë dhe ju keni shumë frikë për të, jeni e shqetësuar, sepse siç thashë më sipër, ai është për ju gjithçka, e keni si dritën e syve dhe ju jeni për të po ashtu. Një ëndërr e tillë tregon lidhjen e fortë që keni mes jush, ama në njëfarë mënyre, edhe e pandërgjegjshmja ju kërkon që të rriteni, të jeni më realiste e me këmbë në tokë, sepse një ditë mund ta humbisni babain. Mos më keqkuptoni, ëndrra nuk tregon një gjë të tillë, por thjesht ju përgatit se në këtë botë, asgjë nuk është e përjetshme. Edhe prindërit tanë, një ditë do të ikin nga ne dhe ata duan të na shohin të lumtur e jo të trishtuar. Babai në këtë ëndërr del më shumë i shqetësuar për ju, sesa për veten sepse ai e di që kur të vijë koha që do të shkojë në atë botë, e pret parajsa. Lulet, fusha e gjelbëruar, tregojnë që ai ka një shpirt shumë të madh, të bukur, të pastër, por ai është shumë i shqetësuar për ju, sepse e di sa e lidhur jeni ju me të dhe ka frikë se një ditë, kur të mos jetë pranë jush, ju do të kaloni në depresion apo do ta përjetoni shumë keq humbjen e tij. Kjo gjë e ligështon akoma më shumë babain tuaj, prandaj ëndrra ju paralajmëron të jeni më e qetë dhe të mos e “mbysni” atë me dashurinë tuaj të tepruar. Duajeni, kujdesuni për të, por tregoni që jeni edhe e fortë, që edhe ai të jetë më i qetë. Ai ju do shumë, ama ka nevojë edhe për njëfarë konfirmimi që ju tashmë jeni një vajzë e rritur dhe mund të bëni edhe pa të. Tregojani një gjë të tillë dhe do ta shikoni që do të përmirësohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *