Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Të keqen m’a bëri njeriu më i afërt!

Dëshira ime ka qenë gjithmonë t’i ndaja historitë e jetës sime me të tjerët, ndaj kurrë nuk i kam mbajtur për vete, se më dukej sikur do të më merrnin frymën.

Në moshën 25-vjeçare, frekuentoja rregullisht një lokal pranë shtëpisë sime.

Atëhere isha e lirë për të dashuruar, por nuk e mendoja absolutisht të kisha një dashur që një ditë mund të ishte edhe bashkëshorti e babai i fëmijëve të mi.

Advertisement

Isha shumë mosbesuese ndaj lidhjeve, martesave dhe marrëdhënies në çift. Më pëlqente vetja ashtu vetëm, pa kufizime, pa detyrime, bëja gjithçka që doja vetë dhe vendimet për çdo gjë në jetën time i merrja po vetë, pa influencime, ndaj sa herë mendoja se një ditë do të kisha një partner në krah, druhesha e më dukej diçka që me siguri do të më ndodhte një ditë, por këtë ditë e shihja të largët. Në fakt, si për të rrallat herë në jetën time, në këtë drejtim, gabova. Një ditë, pikërisht në lokalin tim të preferuar, pashë një djalë shumë të pashëm. Njerëzit nuk i dalloja kurrë nga bukuria, por nuk e kuptova as vetë se ç’më tërhoqi aq shumë në çastin që e pashë. Provova ca ndjesi që nuk i kisha provuar kurrë më parë, gjë që nuk ishte e zakonshme për mua dhe për natyrën time. Atë ditë isha ulur në atë lokal me një kushërirën time, kurse ai qëndronte ulur përballë meje. Unë e shikoja, por edhe ai më hidhte ndonjë sy herë pas here. Ndërsa kushërira më fliste, unë s’dëgjoja asnjë fjalë, por vetëm e ndiqja me kokë ashtu kot, sa për të mos e ofenduar. E gjithë vëmendja ime ishte tjetërkund. Nuk i tregova asgjë për ndjesitë që po provoja në ato çaste, sepse ato ishin aq të bukura sa i mbajta vetëm për vete. Pas pak kushërira ime më tha se duhet të ngriheshim se kishte shkuar vonë, por mua s’po më ndahej shpirti nga aty.

– Po mirë, – i thashë me gjysmë zëri, – hajde të ngrihemi…

Ajo më pa me dy sytë e saj dyshues sikur të kishte kuptuar diçka, por s’guxoi të më pyeste. Të nesërmen unë shkova përsëri në atë lokal për të pirë kafenë e mëngjesit, por ai nuk erdhi. Ndenja më shumë se zakonisht me shpresën se do ta shihja sërish, por nuk u bë i gjallë. Mendova se atë ditë ishte një rastësi ardhja e tij në atë lokal dhe s’do të vinte më kurrë aty, ndërsa mua nuk e di ç’po më ndodhte, nuk po e njihja më veten. Kurrë s’kisha besuar te dashuritë me shikim të parë dhe s’mund ta pranoja që një gjë e tillë po më ndodhte mua. S’mund ta besoja sepse edhe ndaj të tjerëve që u kishte ndodhur e njëjta gjë, isha mjaft skeptike. Vallë po më ndodhte ajo për të cilën kisha dyshuar gjithmonë, po bija në dashuri? Kështu kaluan disa ditë dhe mua s’më ndaheshin nga sytë sytë e tij që më dukej sikur i kisha përpara gjatë gjithë kohës. Pas disa ditësh e pashë përsëri atë, por këtë herë, në rrugë. Qe një rastësi aq e bukur sa për një çast, shtanga në vend e mahnitur, sikur të kisha përpara një yll që ndriste. Nuk durova dot dhe menjëherë përfitova nga ajo rastësi që ndoshta s’do të më vinte më dhe iu afrova pranë e i thashë:

– Mundesh, një minutë?

Në fakt, këto veprime zakonisht kryhen nga gjinia mashkullore, por mua nuk më erdhi aspak turp që tentova të ndaloja një djalë në rrugë. Nuk më kishte ndodhur kurrë në jetë t’i propozoja një djali, por kot nuk thonë që gjithmonë ka një herë të parë. Ai pranoi të ndalonte se ishte me të vërtetë një djalë i sjellshëm e ma ktheu:

– Po, sigurisht që mundem!

E pyeta nëse mund të pinim një kafë bashkë dhe ai, për momentin, mbeti pa fjalë, por më pas më ktheu përgjigje pozitive. U ulëm diku aty pranë në një bar dhe biseduam për rreth tridhjetë minuta. Ishte kënaqësia me e madhe që kisha ndjerë ndonjëherë! Dukesha nga sytë që isha e marrosur pas tij. Gjatë bisedës i thashë se më pëlqente shumë dhe se do të doja shumë të kisha një të dashur si ai. Ai ma ktheu:

– Edhe unë, një të dashur si ty!

Unë buzëqesha në atë çast dhe më dukej sikur gjërat po shkonin siç dëshiroja. Pasi u ndava nga ai, shkova në shtëpi më e lumtur se kurrë më parë. Më dukej sikur po fluturoja me krahë. Flisja çdo ditë me të në telefon për gjëra të bukura, për jetën në përgjithësi, për dëshirat dhe për një shumëllojshmëri gjërash që ishin pjesë e jetëve tona. Shkëmbeja mendime dhe biseda që s’kisha mundur t’i bëja me njerëz të tjerë. Më vonë ai u bë i dashuri im prej vërteti. Ndjehesha sikur kisha prekur qiellin me dorë. Pas disa kohësh, vendosa t’i tregoja për këtë lidhje kushërirës sime e cila ishte edhe si një shoqe e ngushtë për mua. Ajo e priti shumë mirë e më tha që do të më përkrahte për çdo gjë, vetëm e vetëm që të më shikonte të lumtur. Kështu kaluan disa muaj dhe lidhja jonë po shkonte për mrekulli. Njerëzve të mi ua kisha mbajtur të fshehur, sepse nuk doja të nxitohesha. Gjithmonë i merrja gjërat shtruar dhe më dilnin për mirë, por kësaj here, tejzgjatja nuk shkoi aspak për mirë. Djali që doja me gjithë zemër, kish vendosur t’i bashkohej familjes së tij në Amerikë, vetëm për pak kohë, pasi në vendin tonë e kishte të pamundur punësimin. Më premtoi se do të kthehej shpejt dhe më kërkoi ta prisja. Unë i dhashë fjalën time dhe ai u largua i qetë.

Pa të, ditët më dukeshin muaj e muajt më dukeshin shekuj. Kur u bë një vit pa të, nuk mund të duroja më pa e parë dhe pa e patur pranë. Telefonatë pas telefonate, ai po më dukej gjithmonë e më i ftohtë, por kurrë s’kisha guximin ta pyesja. Përse zëri i tij nuk ishte më i ngrohtë? Më dukej sikur po largohej gjithmonë e më shumë nga unë. Në kokë më lindën njëmijë dyshime, aq sa nisi të më dukej vetja budallaqe kokë e këmbë. Ç’po ndodhte me lidhjen tonë? Kisha një parandjenjë të keqe e më duhej një përgjigje. Përse ajo sjellje e ftohtë përtej telefonit? Gjithmonë e pyesja se kur do të kthehej se më kishte marrë malli për të, por ai ma kthente: “Mirë, mirë se do të flasim për këtë” dhe kurrë s’më thoshte se i mungoja, se më donte, siç më shprehej përpara largimit në Amerikë. Çdo ditë e më shumë po e humbisja dhe s’dija si të veproja për të rifituar dashurinë e tij. Sa keq që lidhja jonë nuk ishte më e njëjta! Mos vallë faktor i kësaj ishte largësia? Mos për të vlente shprehja: “Larg syrit, larg zemrës”? Kështu, ditët shkonin dhe unë mësova se e vërteta e gjithë asaj sjelljeje të të dashurit tim të ndryshueshëm si kameleon nuk ishte largësia, por diçka tjetër djallëzore dhe e mirëmenduar nga një person i tretë.

Një mbrëmje ai më telefonoi dhe më tha: “Më dëgjo mirë, kurrë s’kam dashur të të lëndoj, por kurrsesi s’mund të lejoj që ti të më lëndosh mua… Pse ma ke mbajtur të fshehtë të kaluarën tënde? Nuk kam nevojë të kem përkrah një gënjeshtare, ndaj që sot të kërkoj të më lësh të qetë!”.

Unë shtanga dhe fillova të qaja pa zë. Ai më mbylli telefonin duke mos pritur t’i jepja qoftë edhe një shpjegim. Kjo ishte një dramë e vërtetë për mua! S’mund ta duroja mbi supe këtë dhimbje të madhe. Ç’ishte e vërteta, unë kisha mbajtur sekrete dhe s’kisha mundur t’i trgeoja mbi jetën time në të shkuarën, ndërkohë që ai më kish besuar gjithçka e më kish hapur zemrën. Ai kishte të drejtë të ndjehej i zhgënjyer, por një shpjegim të paktën meritoja të ma linte. E mora dhe e rimora, por kurrë më s’ma hapi telefonin. E ku vallë të mund ta gjeja më njeriun tim të zemrës? Përtej oqeanit, bota ishte e panjohur për mua. Më vinte të bërtisja, të ulërija, të qaja me të madhe e s’doja të shihja më njeri me sy. Të vërtetat e të kaluarës sime ishin të hidhura, ndaj s’doja ta hidhëroja atë djalë të mirë në të cilin gjeta ngrohtësinë e munguar, por me sa dukej, e gjithë historia jonë ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë.

Nga dita në ditë, e kuptova sa rëndë kisha gabuar që nuk i kisha treguar atij për adoleshencën time të vështirë e aspak normale, periudhë në të cilën kisha bërë gabime, për familjen time të shkatërruar, për përdorimin e alkoolit e të tjera si këto, që i kisha lënë pas në kohë, pasi kisha arritur me vullnet të bëhesha tjetër njeri, me vlera e me virtyte, aq sa dhe shumë njerëz mbeteshin të habitur nga ndryshimi im rrënjësor. Por përse duhet të më rikthehej ajo e kaluar e trishtë? Dukej si një gjest keqbërës nga dikush që donte të më shikonte të shkatërruar. Kush mund t’ia kish thënë të vërtetat e mia të dashurit tim, ndërkohë që vetëm kushërira ime ishte në dijeni për të? Kjo ishte si të vrisje dikë prapa shpine dhe në këtë rast, viktima isha unë. Kushërira ime nuk ishte ajo që kisha menduar, një shpatull e ngrohtë për të qarë hallet e për të rrëfyer sekretet. Ajo i ngjante një djalli që për të ruajtur miqësinë time, ishte shtirur si engjëll. S’mund ta besoja e s’mund t’ia falja vetes që s’kisha arritur ta njihja më parë. Në përballjen më të sy më sy, e akuzova për gjithçka dhe ajo, me pafytyrësinë më të madhe, pohoi se një ditë teksa kishte ardhur në shtëpinë timë, kur unë isha larguar, kish marrë numrin e telefonit të të dashurit tim nga telefoni im dhe i kish telefonuar atij të nesërmen, për t’i treguar të gjitha të vërtetat e mia. Nuk e di se si e kam përmbajtur veten pa e goditur.

– Përse duhet të ma bëje këtë? – i thashë me urrejtje – Përse duhet të gërrmoje mbi plagët e vjetra?

Ajo buzëqeshi e iku pa më thënë asnjë gjysmë fjalë. “O Zot, një djall mbi tokë, ja ku qenka!”, thashë me vete duke vënë duart në kokë. S’më besohej që e gjitha kjo po më ndodhte pikërisht mua, që nuk i kisha bërë kurrë keq askujt, përveçse kisha lënduar veten time. Ndoshta e gjitha kjo quhej xhelozi e pakufi, që depërtonte edhe mbi ndërgjegjen e kjo vinte se kushërira ime, kurrë në jetën e saj s’kish patur një njeri që ta donte, kurrë s’e kish ndjerë thellë në zemër dashurinë e vërtetë. Kështu, historia ime pati fundin e saj më të dëshpëruar. Kushërirës sime nuk i fola më kurrë. Ajo nxori të vërtetat e mia, të cilat më takonte vetëm mua t’ia tregoja të dashurit në momentin që do ta konsideroja të përshtatshem. Ndoshta po të kish dalë e vërteta nga goja ime, historia do të kish marrë tjetër rrjedhë. Megjithatë, ishte tepër vonë për të menduar për këtë. Lufta për triumfin e dashurisë sonë, tashmë ishte e humbur. Dashuria e tij ndaj meje u venit, por e imja ndaj tij, kurrën e kurrës. Tani që po shkruaj historinë time mbi letër, po më dridhen duart. Kurrë nuk do të mundem ta harroj atë, të dashurin tim të zemrës, siç e quaja gjithmonë. Koha ende s’ka mundur ta shërojë këtë plagë të madhe për mua, ndërkohë që fajtorja e vërtetë, jeton jetën e saj të qetë, diku shumë larg meje.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ç’lidhje ka ushqimi me grupin e gjakut?

Next Post

Nuk jam penduar, bile kam bërë sevap!

Advertisement