– Përshëndetje Doktor Dashamiri, ju falënderoj shumë për këshillat që na jepni.

Jam një zonjë 43 vjeçe, që kam probleme me tiroiden dhe kam tre vjet që marr mjekim me këto ilaçe: Tapazol, Letrox, Atenalol, Salospir e Socival.

Sipas analizave, njëri lob i tiroides prodhon shumë hormone, ndërsa tjetri, nuk prodhon. Ju lutem, më thoni si të veproj se gjithë këto ilaçe po më japin efekte anësore.

A ekzistojnë ilaçe të tjera që ta eleminojnë këtë sëmundje pa ndërhyrje kirurgjikale dhe a mund të më jepni adresën e klinikës suaj, që të paraqitem për vizitë? Me shumë respekt për ju.

Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:-E nderuar zonjë, edhe pse ju jeni munduar ta sqaroni saktë situatën tuaj shëndetësore, unë gjej shumë gjëra kontradiktore aty, si në aspektin e funksionit të tiroides, për të cilën ju thoni se një krah punon e tjetri, jo. Dihet shkencërisht se në momentin kur një pjesë e tiroides (mbase edhe gjysma e saj)  prodhon më shumë jod vetvetiu, pjesa tjetër gjendet e frenuar; këto janë ligje dhe përgjigje fiziologjike të organizmit. Po kështu, edhe në lidhje me mjekimin, merrni në të njëjtën kohë ilaçe për tepricë të jodit dhe për pakicë të tij. S’ka si të ndodhë kështu, që, në një moment, tiroidja juaj edhe të prodhojë më shumë, edhe më pak. Vetëm njëri nga këto përfundime mund të jetë real.

– Pa vajtur te zgjidhja me apo pa operacion, unë ju them që, së pari, duhet vendosur saktë diagnoza juaj dhe duhet përcaktuar gjendja aktuale e sëmundjes. Së dyti, unë, për rastin tuaj, jam për mjekim përfundimtar, domethënë, për shërim një herë e mirë, që të mos e lëmë problemin të bëhet kronik. Njëra formë është shuarja e pjesës që prodhon shumë jod apo dhe e gjithë tiroides me ilaçe, shkatërrim me jod 131. Kjo nuk është teknikë kirurgjikale. Meqenëse më kërkoni adresën e punës, unë punoj edhe në klinikë private, por ju mund të më kontaktoni edhe në Poliklinikën Qendrore Tiranë, pranë pallateve nëntëkatëshe, si dhe me numrin tim, që mund ta gjeni pranë redaksisë së gazetës “Intervista”. Shpresoj të jeni qartësuar sadopak nga këto shpjegime, edhe pse duhet pranuar që gjërat shumë profesionale shkencore është e vështirë të thuhen në gjuhën popullore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *