Disa prej jush kanë shkruar pyetjet e veta në redaksi

dhe ne iu drejtuam specialites sonë,

parukieres dhe make-up artistes më të njohur Merita Merja, e cila u është përgjigjur…

– Unë i preva balluket pasi dola nga dushi dhe tani, janë shumë të shkurtra. Si t’ia bëj herës tjetër që t’i pres aq sa duhet?

– Flokët e lagur duken gjithmonë më të gjatë, kështu që rrezikon t’i presësh shumë. Thaji flokët krejtësisht, para se të ndash veç zonën e ballukeve, duke kapur me kapëse ose karfica pjesën tjetër anash. Krihi mirë balluket dhe, në fillim, prit vetëm gjysmë centimetri, duke filluar nga njëri tëmth te tjetri e duke u ndalur pas çdo prerjeje, për të parë si duken. Pastaj, shkallëzoji pak fundet duke kapur tufa të holla flokësh midis gishtit tregues e atij të mesit dhe duke bërë prerje vertikale gjysëm centimetërshe.

– M’u ngatërruan flokët aq keq me mashën e kaçurrelave, sa u deshën tre shoqe të miat dhe dy orë punë që të çmbështilleshin. Bile, m’u desh të prisja ca flokë. Çfarë gabimi bëra?

– Ka dy mundësi: E para, ke vënë shumë flokë në mashën përdredhëse, gjë që shton mundësinë e ngatërrimit ose ke vënë mashën rrotull flokëve, në vend që të vësh flokun rrotull mashës, një gabim që duket i vogël, por është shumë i madh dhe të pengon në çmbështjelljen e flokëve.

– Unë u mundova të përdridhja me një mashë balluket që i kisha ende të njoma, por ato m’u prenë. Çfarë ndodhi?

– Ke dëgjuar ndonjëherë një cingëritje kur hekuros një rrobë të njomë? Është e njëjta gjë që ka ndodhur edhe me balluket e tu. Mashat duhen përdorur me flokë krejtësisht të thatë.

– Po bënim flokët kaçurrela në shtëpi dhe motra ime ma la mashën vënë gjithë natën. Të nesërmen, flokët e mi ishin si të ngjitshëm dhe të kreshpëruar.

– Rrugëzgjidhja e vetme është të presësh flokët e dëmtuar. Kur flokët bëhen si sfungjer, dëmtimi i tyre nuk rregullohet më.

– I bëra permanent flokët në shtëpi, por nga njëra anë kaçurrelat janë më të mbledhura, kurse ana tjetër, më të hapura, pra, s’janë të barabarta. Çfarë bëra gabim?

– Me sa duket, e ke mbledhur flokun në mashë duke përdorur një tension të ndryshëm në secilën anë, një problem i zakonshëm, sepse ne nuk kemi të njëjtin koordinim në dorën e majtë dhe të djathtë. Zgjidhja: Herë tjetër merr një shoqe që t’i mbështjellë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *