Ndoshta fati im i keq ishte që linda në një fshat ku isha e humbur

dhe e shkëputur nga jeta sociale që bëhej në qytet.

Edhe pse kam lindur atje, asnjëherë nuk u përshtata me atë lloj jetese.

Çdo gjë e bëja e sforcuar, pa dëshirën time. Ua kisha shprehur shpesh dëshirën prindërve që të shkoja të jetoja te halla në Tiranë sepse edhe ajo vetë më kishte thënë: “Xhulia, mund të vish kur të duash të jetosh tek unë sepse je vajzë e zgjuar dhe duhet të shkollohesh”, por prindërit e mi nuk e kuptonin këtë dhe justifikoheshin se nuk kisha pse shqetësoja hallën që kishte familjen e saj.

“Por kjo është mënyra e vetme që unë të shkollohem. Nuk mund të më mbani këtu sepse vetëm do të jem një barrë për ju”, mundohesha t’ua mbushja mendjen, por vetëm me ndërhyrjen e vazhdueshme të hallës, ata u bindën. Në momentin kur im atë tha: “po”, më bëri personin më të lumtur në botë. “Më në fund, shpëtova”, thoja me vete dhe ndihesha më e çliruar. Të vetmit që më lidhnin me atë vend ishin prindërit sepse të ishte për mua, nuk do të shkelja kurrë më aty. Gjithë qejf fillova të bëja gati rrobat e mia, por ndërkohë, pashë fytyrat e mamit dhe babit që dukeshin shumë të mërzitur për largimin tim.

“Çfarë keni? Unë do vij t’iu vizitoj shumë shpesh”, u thashë, por edhe vetë u mërzita shumë sepse vetëm atëherë fillova ta ndjeja trishtimin dhe frikën e largimit prej tyre. Do të filloja një jetë të re, ndoshta më të bukur, por mua më dhimbte shpirti të shikoja prindërit me lot në sy. Ishte moment shumë i vështirë largimi nga shtëpia dhe muajt e parë në shtëpinë e hallës. Ajo më ndihmoi për gjithçka, që nga shkolla, provimet e deri te detajet më të vogla. Javët e para flisja gjatë gjithë kohës në telefon me prindërit, aq sa shpesh halla më thoshte: “Mbylle telefonin tani se ke mësimet”. Edhe në shkollë ndihesha shumë e huaj, kisha vështirësi të shoqërohesha me studentët e tjerë sepse isha mësuar që gjatë gjithë kohës të qëndroja e vetme, e pashoqëruar. Isha mbyllur në guackën time dhe nuk lejoja askënd që të depërtonte brenda saj, por i vetmi që arriti ta bënte këtë ishte Aldi. Ai arriti të më njihte shumë mirë, në një kohë shumë të shkurtër. Ishte shumë i shkathët dhe dukej që kishte patur jo pak eksperienca me femrat. Ndoshta me mua e pati pak më të lehtë të më bënte për vete sepse ai ishte i pari në jetën time!

“Qëkur të pashë për herë të parë, m’u duke më e veçanta dhe thashë me vete që kjo vajzë do të bëhet e imja”, më tha ai pas disa ditësh njohjeje. Unë buzëqesha dhe ula kokën e skuqur në fytyrë. Prania e tij më bënte të ndihesha mirë. Ishte Aldi ai që dalëngadalë arriti të zbulojë dhe të depërtojë në botën time. Arriti të më njohë më mirë se kushdo tjetër dhe të më bëjë për vete shumë shpejt. Nga ai mësova shumë gjëra të cilat deri atëhere nuk e dija se ekzistonin. Me të provova dashurinë e parë për të cilën mendoja se do të ishte edhe e vetmja në jetën time. Pasi mbarova shkollën, unë dhe Aldi u fejuam. Nuk e mendoja kurrsesi se një tip si ai do t’i merrte kaq seriozisht gjërat mes nesh sepse nuk dukej i tillë, por pasi takoi si fillim hallën time, ne vajtëm në fshat për të takuar edhe prindërit të cilët gjatë gjithë kohës vetëm e pyesnin sepse donin të dinin sa më shumë rreth tij. Isha e sigurtë se Aldi ishte shumë në siklet sepse edhe ishte skuqur në fytyrë, por unë isha shumë më në siklet se ai. Por, kaloi edhe ajo provë e vështirë dhe ne u zhvendosëm në Tiranë. Për fatin tim të mirë, gjërat në jetën time po merrnin rrjedhën e duhur.

Muajt e parë të fejesës ishin shumë të bukur, por erdhi momenti kur Aldi më tha se duhet të largohej nga Shqipëria sepse duke qëndruar aty, nuk do të mund të më ofronte asgjë.

“Kur e vendose? A nuk duhej ta bisedonim bashkë këtë?”, i thashë.

“Nuk është e nevojshme ta bisedojmë sepse kjo është më e mira për ne”, tha ai i vendosur.

Nuk kaloi as një javë dhe Aldi u nis. Unë mbeta e vetme pa një punë, vetëm me mbështetjen e hallës. “Për sa kohë të kesh nevojë për mua, këtu më ke”, më thoshte ajo dhe e falënderoja shpesh sepse ishte ndihma ime e vetme. Praninë e saj e ndjeva më shumë më vonë kur mësova se isha shtatzënë dhe prisja një fëmijë. “Një fëmijë? Do bëhemi gjyshër?”, dëgjoheshin të gëzuar prindërit e mi në anën tjetër të telefonit kur morën lajmin. Edhe Aldi u gëzua, por jo aq shumë sa e mendoja unë. E justifikova këtë me lodhjen që po përjetonte atje, ndërkohë që e vërteta kishte qenë krejt ndryshe!

Halla u kujdes që të linte edhe takimin me mjekun gjinekolog dhe për gjithçka tjetër. Ishte si një nënë e dytë për mua. I bëja me përpikmëri të gjitha ato që më thoshte mjeku sepse sipas tij, shëndeti im nuk ishte i mirë dhe duhej të tregoja kujdes për veten dhe fëmijën. Do të bëhesha prind për herë të parë dhe bashkëshortin tim nuk e kisha pranë pikërisht në momentet kur kisha më tepër nevojë për të. Dhe, nëse atij do t’ia thoja të gjitha këto, e dija përgjigjen që do të merrja. Fillova ta ndjeja edhe më shumë vetminë në ditët na vazhdim, por e bindja veten me mendimin se kjo periudhë ishte kalimtare dhe se në vazhdim do të isha shumë e lumtur pranë personit që doja, bashkë me fëmijën tonë. Por koha po kalonte dhe ajo ditë nuk po vinte! Më vonë e kuptova se ai nuk po bënte asnjë përpjekje për të ardhur dhe, me sa duket, kishte gjetur rehat andej e mua më kishte harruar fare, bashkë me fëmijën. Fillova të bindesha çdo ditë e më shumë se ai jo vetëm që më tradhtonte, por mund të kishte krijuar atje një familje tjetër. Doja me gjithë shpirt të kisha mundësinë të shkoja atje ku ishte ai dhe të vërtetoja ato që po mendoja. Nuk e mbaja dot gjithë këtë stres për vete, ndaj e bisedova me hallën.

“Nuk është e mundur kjo, mos u fikso pas gjërash koti”, më tha ajo, por unë isha e bindur që kisha të drejtë dhe mendoja se ajo po fliste ashtu vetëm sa për të më qetësuar mua, meqë isha shtatzënë. E vendosur siç isha, pas përpjekjeve të shumta, arrita t’i vërtetoja dyshimet e mia. Aldi vërtet kishte krijuar një lidhje tjetër atje, ndërkohë që vazhdonte të ishte i martuar me mua. Kjo gjë më vrau shumë dhe e përjetova shumë keq. Atij nuk i thashë asgjë si fillim dhe mendova që të hakmerresha. Përveçse do të divorcohesha nga ai, i telefonova një ditë dhe i thashë që e kisha abortuar fëmijën.

“Çfarë? Nëse kjo është një nga shakatë e tua, është shumë e rëndë!”, më tha ai.

“Është e vërtetë”, i thashë dhe bëja sikur po qaja nga ana tjetër e telefonit. Ai akoma nuk e besonte dhe u lëndua kur u bind se ajo që i thashë ishte e vërtetë, ndonëse përsëri nuk ia ndjente për mua. Prisja që të vinte të më qëndronte pranë në ato momente shumë të vështira, por jo… ai thjesht mbylli telefonin. Këto veprime të tij më bënin të mos pendohesha aspak që e gënjeva. As halla nuk e dinte çfarë kisha bërë sepse isha e sigurtë që do të më qortonte dhe do t’i thoshte të vërtetën atij, por pasi ia tregova me fakte që ai më kishte tradhtuar dhe kishte një lidhje tjetër tashmë atje, i thashë edhe për atë që kisha bërë.

“Ti nuk je mirë! Si mund ta gënjesh për diçka kaq të rëndësishme burrin tënd?”, më qortoi ajo.

“Burrin tim? Ai nuk është më im shoq nëse ke arritur ta kuptosh këtë”, i thashë.

“Xhulia, është shumë e lehtë të shkatërrosh një familje, por duhet të mendosh edhe për të ardhmen e fëmijës tënd. Ai me siguri e ka thjesht kalimtare atë lidhje dhe do të kthehet përsëri në familjen e tij. Nuk ke pse nxitohesh për një veprim që më pas do të pendohesh”.

“Nuk do të pendohem sepse jam shumë e sigurtë dhe e përgjegjshme për veprimin që po bëj”, i thashë me inat, ngaqë nuk po më ndihmonte.

Sido që të shkonte puna, unë isha shumë e vendosur për gjithçka. Ai me mua nuk kthehej më! I shmangia gjithnjë e më shumë telefonatat me të dhe po i përkushtohesha totalisht fëmijës që do të lindja. Tani shpresoja që Aldi të mos kthehej derisa të lindja dhe ai vërtet, nuk u kthye. Kalova një shtatzani të shqetësuar për faj të tij dhe ai as nuk e merrte mundimin të bënte një telefonatë të vetme. Arsyeja pse telefononte më parë kishte qenë thjesht fëmija dhe me siguri, tani ishte çliruar nga ajo barrë e rëndë dhe e kishte rrugën e lirë për të vazhduar lidhjen e tij të re. E kuptova se kush ishte në të vërtetë dhe as që doja t’ia dija më për të. Ai ishte shumë i papërgjegjeshëm dhe ndoshta më mirë që gjërat ndodhën kështu sepse nëse do ta vazhdoja atë martesë, me siguri do të më braktiste edhe pasi im bir të kishte lindur. Erdhi dita që duhej të lindja dhe ai nuk ishte bërë i gjallë as edhe një ditë, qoftë edhe sa për të më pyetur si isha.

Për djalin që linda e kisha menduar emrin që më parë dhe e quajta Daniel. Ai u bë motivi i jetës sime në vazhdim dhe një pjesë shumë e rëndësishme e saj. Për fat të mirë, lindi i shëndetshëm dhe nuk e imagjinoni dot gëzimin që përjetova kur e mora për herë të parë në krahët e mi. “Duhet t’i japim lajmin e mirë Aldit”, tha halla bashkë me prindërit, por unë i ndalova. Duke e ditur që nuk do ta pranonin gjithsesi vendimin tim, u thashë se do t’i thoja vetë më pas sepse doja t’ia bëja surprizë. Më mirë vdisja sesa kthehesha përsëri me atë person i cili më shkatërroi jetën. Mora hak ndaj tij duke i dhënë fund martesës me një telefonatë dhe duke i thënë që kishte një djalë dhe e kisha gënjyer për abortin.

“Ti nuk mund të ma bësh këtë! Jo, ti po gënjen! Do ta marr djalin tim”, filloi të më ulërinte ai në telefon.

“Kërkoj divorcin dhe mos u përpiq të ma marrësh djalin sepse çdo përpjekje e jotja do të jetë e kotë”.

Në fillim refuzonte të ma jepte divorcin dhe kështu vazhdoi për një vit e gjysëm, megjithatë më pas, kur e pa që nuk po ia dilte dot, pranoi të divorcohej. Edhe unë u ndjeva shumë e çliruar dhe familja ime bashkë me hallën, e morën vesh pasi gjithçka kishte mbaruar. Në fillim e kishin shumë të vështirë ta pranonin këtë ndarje, por pastaj u mësuan me idenë. Edhe unë e pata shumë të vështirë në fillim për ta rritur tim bir pa baba, por me ndihmën e hallës, prindërve dhe me vullnetin tim të hekurt, munda t’ia dal. Aldin nuk e kam parë që ditën që u nis dhe nuk kam folur fare me të që ditën që i dhashë fund lidhjes sonë nëpërmjet telefonit. Ai me siguri tani ka krijuar një familje të re dhe as që do t’ia dijë për fëmijën e tij. Edhe unë këtë dua, që ai të na lërë të qetë sepse jeta pa të është më e bukur, jam e sigurtë. Është e çuditshme se si një person që dikur e doje shumë, tani bëhet një i huaj për ty!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *