Përshëndetje miq të gazetës!
Unë që po ju shkruaj, jam një baba 40 vjeçar,
i përkushtuar, që për vite me radhë kam qenë besnik ndaj familjes dhe jam munduar gjithë kohës të kem një sjellje perfekte,
mirëpo kjo gjë duket sikur nuk mjafton në këtë shoqëri mashtruese që fytyrën e vërtetë nuk arrin t’ia shikosh edhe pas shumë viteve bashkëjetesë. Unë jam S. dhe kam jetuar për vite të tëra në kryeqytet. U bënë dy vite që jetoj në Durrës, në bregdet, sepse nuk mund të jetoja më në pafytyrësinë e kryeqytetit dhe të njerëzve që jetojnë aty. Siç ju thashë në fillim, unë isha i martuar prej disa vitesh dhe kisha dy fëmijë të mrekullueshëm. Familja jonë ishte një familje e thjeshtë, prej katër pjesëtarësh dhe unë e gruaja ishim shtyllat e familjes. Jam munduar gjithmonë të mbaj një ekuilibër mes meje dhe saj sepse në këtë mënyrë mendoja do të kishim një familje të pastër e një dashuri të sinqertë. Unë isha shumë i hapur me fëmijët dhe mundohesha të flisja çdo gjë me ta, për t’i mbajtur afër. Shumë njerëz më përgëzonin e më thoshin “si familja juaj nuk ka”. Për këtë gjë isha shumë i lumtur sepse në fasadën e falsitetit, ku unë jetoja, nuk i kuptoja gjërat që më ndodhnin mbas shpine. Një ditë të bukur unë po pija kafe me ca miq të lagjes dhe ngrihesha e ulesha nga lokali pasi kisha punë te mekaniku aty afër. Njëri nga burrat me të cilin po rrija rastësisht, kur kaloi gruaja ime aty, duke menduar se unë kisha lëvizur, tha: “Sa kuçkë grua që nuk lë gjë pa bërë dhe ia bën burrit 8 me 2!”. Unë dhe shokët e tavolinës mbas meje, shtangën. Të gjithë më kishin vënë re që isha kthyer dhe unë bëra habi si ma tha këtë gjë të rëndë në sy. U ngrita dhe u përlesha me fjalë me atë. Ai i mohoi direkt fjalët e thëna dhe më tha se nuk e kishte pasur për gruan time sepse aty nuk po kalonte vetëm ajo. Ika në shtëpi i nxehur në maksimum dhe debatova me gruan, duke i treguar çdo gjë. Ajo qeshi me të madhe dhe m’u përgjigj: “Është normale që të flasin për një familje shembullore si e jona, sepse duan të bëjnë shokë. Në familjet e veta, çfarë nuk po u ndodh!”.
Këto fjalë i mora për të mirëqena, edhe pse në zemër nuk isha i qartë. Gjithë natën nuk vura gjumë në sy. U mërzita sa nuk ka më. Disa shokë të mitë më thanë se ai fliste nga inati, por argumentet që ata më dhanë, nuk ishin aspak të besueshme dhe fillova të kisha dyshimet e mia. Kaluan shumë ditë nga ai incident dhe unë nuk isha i qetë. Vazhdova të pyesja miqtë tanë më të afërt dhe ata më lanë të kuptohej se nëse do të ishte diçka e vërtetë, ata nuk do të mund të ma thonin aq hapur. Kunata ime i kishte thënë vëllait se kishte dëgjuar diçka, por që nuk kishte qejf të ndërhynte në familjet e të tjerëve. Dy djemtë ishin të rritur dhe më vinte turp nga vetja për gjërat që mendoja. Unë kurrë nuk e kisha tradhtuar gruan time, pasi ishim dashuruar që të vegjël dhe me shumë sakrifica, e kishim marrë njëri-tjetrin. Ditët dhe orët me të pranë ishin të mbushura me dyshime. Vendosa të shkoja tek AMC-ja dhe t’i kërkoja një nder personal një mikut tim. Ai më tha se nuk bëhej dhe se nuk mund të hapte arkiva pa bërë më përpara një kallëzim penal dhe se zgjidhja më e mirë ishte t’i vija një numër me kontratë. Në këtë mënyrë, fatura, para se të dërgohej tek ajo, do të kalonte në dorën time. Ashtu bëra. Një ditë vere, ika dhe mora për gjithë familjen numra me kontratë. Çunat u gëzuan shumë, por ajo nuk dukej e lumtur. Kur e pyeta se pse nuk u kënaq për dhuratën që i bëra, ajo insistoi që të mbante numrin e vjetër. Kjo më bëri të mendoja dhe i thashë se mund t’i mbante të dy. Kaluan dy muaj dhe në telefonin me kontratë vinin vetëm telefonatat e shoqeve të punës, pasi ajo ishte infermiere te materniteti. Në këtë pikë unë e mblodha disi mendjen dhe mendova se gjithë ai dyshim ishte i kotë pasi unë as në raportin tonë bashkëshortor, nuk kisha vënë re ftohje nga ana e saj. Ishte data 1 gusht dhe ne, pas pak ditësh, do të niseshim me pushime në det. Unë aty kisha një shtëpi të vogël që e kisha blerë me kursimet e mia dhe, sa herë vinte vera, rrinim më shumë atje sesa në Tiranë. Mblodhëm çdo gjë dhe para se të niseshim, gruaja do të shkonte të na blinte gjërat e fundit që na mungonin për pushime. E hipa në makinë pasi edhe unë do të dilja të ndërroja gomat e makinës. E zbrita te tregu i fruta-perimeve dhe për vete po shikoja ndonjë gomisteri të afërt. Pashë rreth e rrotull, por nuk kishte dhe vendosa të shkoja te një aty afër punës sime. Sapo mora kthesën, pashë një makinë që e kisha parë shumë shpesh në lagje, një fuoristradë që më kaloi përbri me nxitim dhe mendova me vete se pse nxitonte aq shumë. Nuk arrita të shihja mirë, vetëm vura re që ai djali kishte dikë në sediljen e pasme. U habita se pse duhet të më kalonin me aq nxitim kur u futën vetëm te një kthesë më poshtë. I bëra telefon gruas për ta pyetur ku ishte e nëse do të vonohej shumë dhe ndërkohë, po shkoja te gomisteria. Nuk ma hapi telefonin dhe më ktheu pas 10 minutash një mesazh: “Do të vonoj pak sepse po i zgjedh të freskëta, por ti vazhdo për në shtëpi se ka shumë mundësi të takoj edhe Dritën (kunatën) e t’i jap një kafe”. Kur e pashë unë mesazhin, kishte kaluar gjysmë ore sepse po merresha me gomat dhe nuk e kisha vënë re. Mbaruam aty dhe unë, duke e ditur që mbasdite do niseshim për rrugë, i telefonova për t’i thënë që të paktën të nxitonte. Zemra po më thoshte diçka, edhe pse nuk isha i bindur e nuk doja të gabohesha. Ndjeja një ankth të papërshkrueshëm, por fajin ia lija edhe vetes sepse ndoshta shumë gjëra ia kisha ngulitur vetes pa dashur. E mora në telefon dhe m’u përgjigj. E pyeta ku ishte dhe më tha se ishte akoma në treg.
– Mirë, – i thashë, – po vij të të marr!
– Jo, mos hajde se kam edhe pak punë! – m’u përgjigj dhe më tha se do më merrte kur të mbaronte, që të shkoja për ta marrë. Aty fillova të dyshoja. Mora vëllain në telefon dhe e pyeta nëse gruaja e tij kishte dalë për kafe. “Jo, më tha, është në shtëpi, po më bën për të ngrënë”. E pyeta nëse gruaja ime të paktën e kishte ftuar dhe vëllai e pyeti, por kunata tha se nuk i kishte rënë telefonit. Në moment e kuptova se diçka po ndodhte. Ika në kthesën që kishte marrë ajo makina dhe për fat, ishte një rrugë e vetme e ngushtë pallatesh. Parkova makinën diku aty dhe dola në këmbë. I rashë telefonit, por ajo nuk m’u përgjigj më. Mendja më shkonte te më e keqja. Imagjinoja kur ajo të më kalonte aty dhe thoja me vete se do t’i dilja makinës para derisa të ndalej. Qëndrova edhe 20 minuta të tjera aty dhe nuk kishte asnjë lëvizje të makinës, kur papritur e pashë nga larg tek vinte për të dalë në krye të rrugës. Nuk u mendova shumë dhe mora nga makina pistoletën që e mbaja përherë për arsye sigurie. Ata erdhën deri në njëfarë pike, ndërsa kur më panë, ndaluan për të parë nëse isha unë. Unë e vura re që ndaluan dhe deshën të ecnin mbrapsht. U sula në këmbë kur ç’të shikoja? Këmbët m’u prenë kur pashë në timon një djalosh e shumta 25 vjeç. Kur i drejtova pistoletën, ai ndali dhe zbriti në tokë duke u dridhur. Ajo u mundua të strukej pas sediljes. I thashë:
– Dil sepse që nga fillimi e kam ditur se ku je! Të paktën, a bëre qejf para se të nisemi për pushime?!
Zëri po më dridhej dhe një mendje më thoshte t’i vrisja të dy e t’i lija aty, por mendova çunat e mi që do t’i lija në rrugë dhe ndërkohë, rruga u mbush me kalimtarë. Ajo doli e përlotur duke më kërkuar falje. Djali i ri m’u ul në gjunjë e më thoshte se nuk e kishte ditur që ajo ishte e martuar, mirëpo këto i thoshte vetëm për të shpëtuar nga situata. E kapa për flokësh gruan time dhe e futa në makinë. Atij djalit i thashë:
– Bravo të qoftë se asnjë faj nuk ke ti, joooo!
Ika drejt e në shtëpi. Çunat ishin aty dhe, kur e panë atë të përlotur e mua të çmendur në atë mënyrë, filluan të pyesnin se çfarë kishte ndodhur. Nuk u dhashë asnjë shpjegim, vetëm e futa në dhomë dhe e godita sa forcë kisha. E di, gabova sepse nuk duhej t’i ndyeja duart në atë trup mëkatar që na kishte hedhur poshtë të gjithëve për flirte me adoleshentë, por ja që situata shkoi aq rëndë sa fëmijët thirrën policinë. Të gjithë e morën vesh se çfarë kishte ndodhur. Në fakt, të gjithë e dinin. Atë ditë, vetëm unë dhe fëmijët kishim marrë vesh diçka të re.
Njerëzit e mi dhe shoqëria më thanë se nuk kishin se si të ma thonin pasi unë mburresha gjithmonë me gruan dhe fëmijët e mi. Në mendjen time unë kisha krijuar familjen perfekte dhe kurrë nuk e kisha ditur se ka edhe njerëz të tillë që për hir të instikteve, hedhin poshtë vite të tëra dashurie, edhe pse tani isha i bindur se në gjithë ato vite, vetëm unë kisha dashuruar vërtet. Ajo nuk më kërkoi kurrë të falur, madje as djemve nuk u ka kërkuar. Iku të jetonte tek e motra, pa na thënë lamtumirë. Jam i bindur se ndjenja e fajit do ta robërojë gjithë jetën dhe shpresoj t’i ndodhë kështu. Mendoj se edhe pse gjendja e saj fizike ishte e rënduar, i takonte t’u jepte një shpjegim të paktën fëmijëve. Unë ua shpjegova gjithë situatën pasi ata nuk ishin shumë më të vegjël sesa djali me të cilin më kishte tradhtuar, mirëpo ajo si nënë duhet t’ua thoshte versionin e saj.
Pas ndarjes, të gjithë më përgëzuan, vetëm se pas ndarjes, unë nuk kisha më nevojë për fjalët e tyre. Shoqëria ime e mirë dhe miqtë e mi më të afërt, nuk duhet ta kishin lejuar familjen time të shkonte deri në atë gradë. Po t’i kishte ndodhur një mikut tim, unë do të kisha vepruar ndryshe, por kjo tashmë nuk ka më rëndësi sepse në këtë botë, kur nuk ke gruan për vete, nuk mund t’i kesh as miqtë e askënd tjetër.
U bënë dy vjet që unë dhe djemtë kemi ardhur dhe jetojmë në Durrës. U bënë dy vjet që jeta jonë ka ndryshuar totalisht. Tani, për fëmijët e mi, unë jam edhe baba, edhe nënë. Edhe pse ka raste kur ndihemi tre meshkuj të vetëm, e dimë që dashuria që kemi për njëri tjetrin është e pastër. Ata nuk duan më t’ia dinë për të ëmën dhe unë as kam dashur ta di më, as me çfarë merret, as çfarë bën. Vetëm një gjë nuk ia bëj hallall: Tradhtinë me një djalë sa fëmijët e vet! Kjo ka treguar se ajo për mua nuk ka ndjerë kurrë dashuri dhe se në momentin kur ne ishim më mirë, kërkonte nga jeta diçka më shumë, të cilën nuk mund t’ia jepja më unë. I them me gjithë zemër: “Qofsh përjetë e mallkuar sepse na shkatërrove!”. Unë nuk martohem më sepse jetoj me dashurinë time dhe çunat e mi, por jam kurioz të di, ti me kë jeton?! A thua ata djemtë e rinj vijnë të t’i thajnë lotët kur ndihesh vetëm, apo ata tashmë nuk të përfillin më as për të bërë qejfet e tyre?!
Kjo histori dhe sidomos rreshtat e fundit, shkojnë si dedikim për Ledën!