Sa herë kujtoj babain tim, para sysh më vjen spitali për të sëmurët mendorë.

Unë duhet të kem qenë katër vjeç atëherë kur shkonim për ta takuar dhe ndërsa rojet mbyllnin dyert e rënda me çelësat e tyre të mëdhenj,

unë i shtrëngoja fort dorën mamit dhe mezi prisja që të shkoja në shtëpi.

Babai asnjëherë nuk na njihte kur shkonim për ta takuar. Ai rrinte i ulur në një karrige, i veshur me pizhama, duke parë nga dritarja. Nuk na përshëndeste fare. Mamaja fliste, por ai nuk përgjigjej. Mbaj mend që unë rrija e fiksuar pas pështymës që dilte nga goja e tij. Kjo i vinte nga ilaçet që merrte. Kjo gjë më bënte të ndihesha më e rritur se ai, por edhe të qaja shumë.

Babai u largua nga shtëpia kur unë isha një vjeç. Ai u shtrua në një spital për njerëzit që kishin probleme mendore. Shooku dhe përgjegjësia se kishte dy fëmijë të vegjël, i kishin shkaktuar atij një krizë nervore. Më pas, u diagnostikua si depresiv. Kjo do të thotë që ata shumë shpesh janë të trishtë, ndihen të pashpresë, kanë dyshime mbi veten e tyre, tentojnë vetëvrasjen, por ka raste edhe që flasin shumë shpejt, duan të duken dhe kanë zhgënjime të mëdha. Pasi ai pësoi 33 kriza nervore, katër vjet dhe nëntë muaj i kaloi në një spital për të sëmurët dhe vite të panumërta në shtëpi duke vuajtur, unë më në fund e pranova se babai im ishte i sëmurë.

Kur ishin fëmijë, unë dhe motra ime më e madhe e vizitonim babain disa herë në vit. Gjatë rrugës për në spital, unë i bëja vetes shumë pyetje. Pyesja veten se cila do të ishte mënyra më e mirë për ta përshëndetur. Ta përqafoja apo vetëm t’i jepja dorën? Ai dukej shumë ndryshe nga imazhi që unë kisha krijuar për një baba. Vishte bluza të blera me çmim të lirë dhe dridhej i tëri. Ishte efekti anësor i ilaçeve. Në atë kohë, unë nuk e dija këtë.

Edhe në shkollë nuk ndihesha mirë. Sa herë që shoqet e mia flisnin për baballarët e tyre, mua më duhej të rrija e heshtur, duke provuar një ndjesi faji. Babai im nuk punone dot dhe as nuk ishte në shtëpi.

Për vite të tëra unë nuk i tregova askujt për babain tim. Më dukej sikur askush nuk do të mbetej më miku im nëse e merrte vesh. Nga jashtë dukesha shumë e sigurtë në vetvete, por nga brenda nuk ishte aspak kështu, madje ishte e kundërta.

Megjithatë, kishte edhe momente kur ia kalonim mirë, ndonëse më shumë më dukej sikur luaja me ndonjë shok të shkollës sesa me tim atë. Vraponim fort, ndërkohë që ai thërriste se kush vinte i fundit ishte kot fare. Unë dhe motra ime vraponim me gjithë shpirt dhe në fund, plaseshim në tokë duke qeshur. Pastaj, babi im kthehej në karrigen e tij, pinte duhan pareshtur, shihte tutje në hapësirë, nuk komunikonte dot, por vetëm qante pa pushim.

Kur u rrita, unë u bëra shumë kritike ndaj vetes. Nisa të mendoja se kisha qenë unë shkak i sëmundjes së tij. Shpresoja që po të isha e zonja, e gjindur, e dobishme, e qeshur apo interesante, ai do të kthehej sërish si më parë. Kur mamaja më pyeste se çfarë doja si dhuratë për vitin e ri, nuk i kërkoja asgjë. Mendoja se nuk e meritoja.

Doktorët thoshin se sëmundja e tij ishte rënduar nga përgjegjësia e faktit që tashmë kishte fëmijë, ndaj dhe unë nuk mund të mos mendoja se nëse nuk do të kisha lindur, ai do të ishte një njeri normal.

Kisha marrë vesh se përpara se të sëmurej ai ishte shumë i zoti në punën e tij si inxhinier, kishte marrë nota shumë të mira në shkollë dhe ishte shumë inteligjent. Shkurt, kishte qenë burri që unë doja që ai të bëhej sërish.

Disa vjet më vonë, mamaja ime vdiq. Motra ishte martuar dhe kishte familjen e saj. Gjyshërit prej kohësh nuk jetonin më. E kuptova që unë isha e vetmja në botë që mund të kujdesej për të. Sa herë që shkoja në spital, ndihesha e lehtësuar. Më dukej sikur ai ishte i qetë dhe i sigurtë aty, por kjo situatë sa vinte dhe më rëndonte. Nisa të pija ilaçe për t’u qetësuar. Diçka duhet të ndryshonte patjetër.

Vendosa të jetoja jetën time, pa u shqetësuar, pasi kjo gjë nuk do ta shëronte babain tim. Në moshën tridhjetë vjeçare, bëra ndryshime të mëdha. E lashë punën që bëja në qytetin ku jetoja dhe u nisa me të fejuarin tim në Tiranë, ku atij i kishin ofruar një punë. Babait nuk ia tregova adresën time e as numrin e telefonit, por gradualisht, marrëdhënia ime me të nisi të ndryshonte. Po e lejoja që të ishte sërish pjesë e jetës sime.

Nisëm t’i kalonim pasditet bashkë. Pinim birra, cigare dhe flisnim për gjëra të ndryshme. Kishte disa momente kthjelltësie të mahnitshme tek ai. Më shumë sesa ndryshimet, unë nisa të shihja ngjashmëritë që kishim. Ashtu si unë, edhe ai i urrente vendet e mëdha, me shumë njerëz dhe bërjen e pazarit. Ai më bënte për të qeshur si askush tjetër, ishte bujar dhe me zemër të madhe. Në rininë e tij kishte dashur të bëhej shkrimtar, madje kishte shkruar edhe poezi. Ashtu si unë. Përpiqej të më bënte të lumtur. Sa herë që shkoja ta takoja, më pyeste si isha, si ia kaloja. Dalëngadalë, idealja që kisha krijuar në kokën time për babain, po merrte një formë tjetër, por pas një viti përmirësimesh, ai u bë sërish keq. Fliste budallallëqe, bënte si i çmendur, nuk e pranonte që ishte sëmurë. Isha e tëra e shkatërruar, por nisa të mendoja se nëse nuk e pranoja gjendjen e tij, atëherë do të ishte akoma më e dhimbshme. Mund të largohesha, të mos e takoja më, por do të më mungonte shumë. Ai ishte babai im. Kisha arritur në një pikë ku e vlerësoja shumë marrëdhënien që kisha me të. Përveçse e doja, ai më kishtë mësuar shumë gjëra. Kur ia thashë këto, ai qeshi. I thashë edhe që do ta shkruaja historinë tonë për një gazetë. Më tha se dëshironte që të paktën, kur njerëzit ta lexonin, mos ta ndalonin për ta sharë. E pyeta përse dhe m’u përgjigj se mendonte që kishte qenë një baba shumë i vështirë…

E përqafova fort dhe i thashë se nuk do ta ndërroja as me gjithë botën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *