– Përshëndetje!

Jam 30 vjeçe dhe sapo kam dalë nga një lidhje që zgjati dy vjet.

Ai është kolegu im në punë dhe kjo i bën gjërat më të vështira për mua.

Nuk është vetëm dhimbja e ndarjes, por më vjen edhe shumë turp nga kolegët e tjerë. Kisha thurur shumë ëndrra për atë njeri, bëra gjithçka që ta rifitoja, u bëra e fortë, e dobët, qava para tij, u trgova egoiste, por ai ishte me dikë tjetër dhe dukej i lumtur me të. Do të bëja akoma më shumë për t’i treguar se sa meritoj dhe se sa bosh më ka lënë. Më thoni, çfarë të bëj? Po vuaj shumë. Kam menduar të largohem nga ajo punë, por kam frikë se nuk do të gjej tjetër si ajo…

– Duket se kjo marrëdhënie është bërë tema qendrore në jetën tuaj: Kërkoni t’i tregoni se sa meritoni, kërkoni ta rifitoni atë. Pyetja ime është: Keni humbur (dhe kërkoni) një person apo veten? Ndonjëherë, njohim dikë që na bën të ndihemi mirë, na bën të krijojmë ëndrra, na mbush me optimizëm për jetën tonë dhe, kur largohet, na lë një boshllëk. Mendojmë se ky boshllëk ka të bëjë me faktin që ai na la, se në qoftë se kthehet, gjithçka do të jetë mirë, por e vërteta është ndryshe. Boshllëku është brenda nesh, tjetri thjesht plotësonte boshllëqet tona, me mënyrën e tij. Kur largohet, e ndjejmë më shumë se diçka mungon në jetën tonë, por ajo që mungon nuk është domosdoshmërisht ai (që nuk na dëshiron), por vetvetja. Mosha rreth të tridhjetave është një moshë kritike për shumë njerëz, sepse atëhere ne pyesim veten: “Kush jam, ku shkoj, sa meritoj, çfarë kam bërë në jetën time?” etj. T’u japësh përgjigje këtyre pyetjeve është e vështirë, ndaj ne kemi tendencën të “ngjitemi” pas njerëzve të dashur, pas dashurive, ideve, ëndrrave.

Jeta, në të vërtetë, ka shumë të paprituara dhe është gjynah që ju nuk mund të shihni disa nga cilësitë tuaja: Forcën e këmbënguljes, të dini të ëndërroni, të luftoni për diçka që e dëshironi… Ju vetëm duhet të gjeni se ku duhet t’i drejtoni këto aftësi dhe të tjera që nuk i keni zbuluar ende te vetja. Unë ju uroj gjithë të mirat, e dashur!

Lexuesit përgjigjen:

– Të bëhesh lëmsh të bëhesh, me gjithë atë! :P Bleri Bler

– Ta harrosh, siç të harroi edhe ai. Marinela Dalipaj

– Ha kos… rregullohet çdo gjë. :))) Luan Hyska

– Le t’ia luajë syrin të parit që i del para dhe e garantoj unë që do të bëhet shumë më mirë. AI Bisha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *