– Doktor Dashamiri, ju përshëndes.

Doja të dija, cilës fushe i përket sëmundja e Chron dhe çfarë simptomash ka?Më thoni diçka rreth kësaj sëmundjeje, ju lutem. Faleminderit dhe ju uroj shëndet!

Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekesore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- – Së pari, ju falënderoj për pyetjen. Së dyti, do t’ju lutesha të ishit prezantuar pak më në detaje nëse kjo problematikë ju përket juve apo ndonjë të afërmit tuaj dhe, mbi të gjitha, a jeni i saktë në emërtimin e sëmundjes.

E bëra këtë parantezë në formë vërejtjeje sepse në këtë rubrikë ne mundohemi t’u gjendemi pranë të sëmurëve kur kanë halle apo shqetësime konkrete dhe nuk e kemi konceptuar si një tribunë mediatike ku mund të informojmë publikun e gjerë për enciklopedinë mjekësore. Meqenëse më drejtoheni personalisht, po i përgjigjem pyetjes suaj: Sëmundja e mësipërme (shpresoj ta kem kuptuar drejt) e ka marrë emrin morbus Chron apo sëmundja e kronit, për shkak të mjekut të parë që e zbuloi dhe e komentoi këtë sëmundje. Sëmundja e mësipërme është sëmundje e zorrëve dhe kryesisht, ka bazë autoimune. Ajo prek kryesisht moshat e reja dhe ka tendencë të vazhdojë gjatë, pra, është një sëmundje kronike. Si shenja klinike, ajo ka çrregullimet e të dalurit jashtë, që shpesh shoqërohet me prezencën e gjakut në feçe. Këta të sëmurë kanë herë pas here temperaturë dhe rënie në peshë.

– Kjo diagnozë u takon mjekëve gastrohepatologë apo infeksionistëve dhe kryesisht, kërkon ekzaminime invazive e laboratorike. Mjekimi është i gjatë dhe i kujdesshëm, kryesisht me antibiotikë, kortizonikë dhe imunosupresorë. Më lart, nënvizova jo më kot faktin që shpresoj të mos jem ngatërruar sepse kjo sëmundje ngjet shumë si emër me sëmundjen e konit apo morbus conn, e cila është patologji tumorale e gjëndrës mbiveshkore, që shoqërohet me hipertension të vazhdueshëm dhe çrregullime elektrolitike. Si përfundim, secilit prej jush që ka njohuri qoftë edhe elementare të gjuhëve të huaja, sidomos anglisht, ju sugjeroj të klikoni në vvebsite të shumta për të marrë informacion literal në kohën e duhur. Përgjigjja, edhe pse e shkurtër, shpresoj të ketë përmbushur qëllimin e pyetjes suaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *