Kjo që po ju tregoj juve është historia më e bukur e dashurisë dhe e përkujdesjes që keni lexuar ndonjëherë, por me fund jo të lumtur.

Unë që po ju shkruaj jam një djalë njëzet e pesë vjeç.

Para tre vjetësh, isha shumë i sëmurë.

Kisha gjithmonë dhimbje në shpinë, por ishin të durueshme dhe nuk shkova asnjëherë për vizitë, derisa një ditë më ra të fikët te shkolla.

Nuk e di se ç’ndodhi me mua, vetëm se u zgjova në spital, në reanimacion, me shumë doktorë te koka. Ata më pyesnin për emrin, moshën e gjëra të tjera që pyesin kur duan të sigurohen se je i vetëdijshëm. Pasi u siguruan që isha përmendur, shumica u largua dhe kisha afër një shokun tim që më kishte sjellë menjëherë në spital. Pastaj erdhën të gjithë; nëna, vëllai dhe motra. Babai ishte me shërbim dhe nuk i kishin thënë gjë. Nëna qante pa pushim dhe unë po i thoja se isha mirë dhe s’kisha gjë, se më kishte rënë të fikët ndoshta se nuk kisha ngrënë, mirëpo lotët e saj nuk thaheshin. Mua nuk më nxorën nga spitali sepse do t’u nënshtrohesha disa analizave. Shikoja të gjithë të afërmit shumë të shqetësuar, por nuk më shkonte mendja për asgjë të keqe.

Një ditë, doktori më tha se gjendja ishte serioze. Jo se kishte ndonjë rrezik të madh, por duhej mjekim intensiv dhe një shtrim i gjatë në spital. Ai do të më linte të dilja ca ditë nga spitali që të rregulloja disa punë që kisha lënë përgjysmë, por do të më duhej të kthehesha që të shërohesha plotësisht.

Kisha disa provime të fundit e më pas, vetëm diplomën. Mbarova provimet dhe, ndërkohë vazhdoja dhe mjekimin. Nuk më ra më të fikët dhe nuk ndjehesha keq, vetëm se isha pak më i lodhur se zakonisht. Këtë lodhje e lidhja me mjekimin, pasi trupi im nuk ishte mësuar me ilaçe. Kështu, kalova një muaj dhe pasi kreva shkollën, u shtrova në spital. Edhe pse nuk isha i shtruar, gjatë këtij muaji isha nën kontrollin e mjekut. Çdo gjë kishte ndryshuar, nuk isha më ai i pari. Tashmë dhe vetë e kuptoja se kisha një sëmundje që do të më duhej shumë për ta luftuar. Shtrimi në spital ishte pak i rëndë, pasi në vend që të kërkoja punë, pas diplomimit, apo thjesht të gëzoja me shokë se mbarova shkollën, unë do t’u nënshtrohesha analizave e ekzaminimeve pa fund. Nejse, përderisa kjo duhej bërë, do ta bëja.

Deri këtu, unë nuk jua përmenda shoqen time. Ashtu si të gjithë, edhe unë isha i lidhur. Ajo më donte shumë dhe unë, gjithashtu. Ishim lidhur bashkë që në moshë të vogël në gjimnaz dhe e vazhduam lidhjen tonë edhe kur shkuam në fakultete të ndryshme. Ajo ishte një vajzë shumë e mirë dhe e bukur. Megjithëse lidhja jonë nganjëherë nuk shkonte edhe aq mirë, e përgjithshmja ishte pozitive. Herën e parë që u shtrova në spital kur më ra të fikët, ajo nuk erdhi, vetëm më mori në telefon, sepse nuk donim ta bënim lidhjen zyrtare, pra, ta merrnin vesh prindërit (megjithëse pak a shumë e dinin). Herën e dytë do të rrija për një kohë shumë të gjatë dhe një ditë i thashë të vinte sepse isha vetëm në dhomë. Ajo erdhi menjëherë. Na kishte marrë malli shumë për njëri-tjetrin. U përqafuam dhe ajo filloi të qante sepse ishte e shqetësuar për mua. Unë e sigurova se asgjë nuk do të ndodhte. Do të shërohesha e do të martoheshim menjëherë. Asaj i qeshi fytyra nga kjo gjë. Në atë çast, dera u hap dhe u fut mamaja ime. Ajo e pa tek fshinte lotët dhe e kuptoi menjëherë se ishte e dashura ime. E përqafoi sikur të ishte vajza e saj dhe u kthye nga unë e më tha:

 – Tani, merr forcë dhe munde çdo qelizë të keqe në trupin tënd, zemër.

 – Ashtu do të bëj – ia ktheva i vendosur.

E dashura ndenji edhe pak dhe u largua. Ajo quhej Ana dhe në atë çast, e kuptova se kisha bërë zgjidhjen e duhur, kisha gjetur vajzën e duhur.

Që nga ajo ditë, ajo vinte çdo ditë dhe kështu, u njoh më të gjithë pjesëtarët e familjes, madje të gjithë e pëlqyen dhe e pranuan menjëherë.

Isha shumë i lumtur për këtë, por sëmundja ime ishte shumë e rëndë dhe unë, sa vinte e humbja peshë dhe rezistencë. Trupi im kishte ndryshuar tërësisht. Kishte ditë kur ndjehesha mirë, por kishte ditë të tjera të trishtuara, të mbushura me dhimbje të forta dhe të padurueshme. Në këto çaste, kisha pranë të gjithë të dashurit e mi. Edhe Ana rrinte me orë pranë meje. Mjekët ishin shumë optimistë se do të shërohesha, por kjo gjë, në kushtet ku e shikoja veten, ishte e pamundur. Nganjëherë, bëhesha shumë nevrik dhe zemërohesha me të gjithë, por sidomos me Anën. Ajo vetëm qante kur unë i këpusja ndonjë të sharë e asgjë më tepër. Ajo rrinte edhe pak, pastaj gjente një pretekst e ikte gjithmonë duke më thënë:

 – Të dua shumë! Do të vij prapë nesër.

Nganjëherë, ia ktheja dhe nganjëherë jo, megjithatë asnjëherë nuk mendoja keq për të. Ishte vetëm krenaria ime ajo që nuk më linte të ulja hundën e t’i kërkoja të falur që e mërzisja.

Përveç Anës, të afërmve të mi dhe të gjithë shokëve, vinte edhe shoku im i ngushtë, Mondi. Ai asnjë ditë nuk rrinte pa ardhur dhe më sillte lloj-lloj gjërash që unë të mos e humbja kontaktin me botën jashtë spitalit. Ishte shoku im më i mirë. Pas një kohe të gjatë në spital, mjeku tha se mund të dilja, që të ndryshoja pak mjedis sepse ndoshta do të ndikonte për mirë. Edhe prindërit ishin dakord. U gëzova shumë. Në shtëpi, familja m’i kishte krijuar të gjitha kushtet dhe, pas javës së parë, u ndjeva më mirë, madje i kërkova shokut të vinte të më merrte e të dilinim pak. Prindërit më kishin blerë një makinë si dhuratë për dilpomimin. Ia lashë shokut t’i jepte. Rrugës, ai më tha:

– Po sikur ta marrim edhe Anën?

U ktheva menjëherë nga ai dhe, pak i çuditur, pohova me kokë, por menjëherë i thirra mendjes se kjo gjë ishte e natyrshme, se ajo ishte e dashura ime dhe duhej të ishte me ne.

E morëm Anën dhe të tre shkuam në një lokal. Isha mirë dhe nuk ndjeja lodhje, megjithatë nuk kisha fuqi të kërceja, kështu që kërcyen ata të dy herë së bashku e herë me të tjerë. Në disa momente m’u duk se ata ishin shumë të afërt, por nuk doja ta mundoja veten edhe me xhelozi, sepse kisha mjaft dhimbje të tjera. U kthyem në shtëpi dhe ai mendim më iku nga mendja. Gjatë qëndrimit në shtëpi, isha mirë. Një ditë motra m’u afrua e dukej se diçka e mundonte.

 – Hë mi, çfarë ke? Ç’do më thuash?

 – Nuk e di në bëj mirë që ta them, por ti duhesh të më kuptosh. E di që edhe pak e do shërohesh. Jeta do të vazhdojë, ti je i pashëm dhe do të ecësh në jetë.

 – S’po kuptoj asgjë! – i thashë.

 – Dua të të them që nuk pse rri i lidhur gjithmonë me një. Them të shërohesh dhe pastaj ke mundësi zgjedhjeje.

 – Asgjë nuk po kuptoj. – i thashë, edhe pse e dija se ç’do të më thoshte. – Mendohu edhe njëherë e ma thuaj shkurt – i thashë si me shaka, sepse e shikoja që ishte në siklet.

Ajo iku me mëdyshje nga dhoma tjetër. E dija se ç’do të më thoshte. E dija se Ana dhe Mondi ishin afruar shumë. Në fakt, isha i irrituar brenda vetes, por po mundohesha ta shtypja këtë sepse kisha frikën e sëmundjes. Nga stresi, kisha frikë se ajo do përparonte. Për këtë, u kërkova prindërve një psikologe së cilës i tregova çdo gjë dhe ajo më dëgjonte me kujdes. Ishte një psikologe shumë e përkushtuar dhe më ndihmoi shumë. Edhe pse kisha shumë dyshime, Anës dhe Mondit nuk u kisha thënë ende. U shtrova përsëri në spital dhe këtë herë, ishte një tmerr i vërtetë. Do të filloja kimioterapine, që ishte shumë e vështirë dhe me pasoja, sepse do të më binin flokët. Ana më vinte çdo ditë dhe asgjë nuk kishte ndryshuar në përkujdesjen e saj ndaj meje. Po ashtu, edhe Mondi, por tashmë e shihja se ata dilnin bashkë ose prisnin që të vinte tjetri e iknin bashkë. Kjo ndikonte në çast te shëndeti im, por psikologia ime më nxirrte nga kjo situatë. Pas shumë përpjekjesh, arrita të bëhesha mirë. Edhe pse Ana përkujdesej për mua, nuk e doja pranë. E dashuroja, por nuk mund të rrija më me të.

Erdhi një moment kur isha i sigurtë se e kisha mundur sëmundjen time, së bashku me prindërit, Anën, Mondin, gjithë shokët. Të gjithë më kishin ndenjur pranë. Pas kësaj, jeta ime ishte e vështirë. Nuk mund të mësohesha me shokët e me gjithçka tjetër. Isha i frenuar nga ilaçet që ishin vetëm një kokërr në ditë, por nuk duhej të pija alkool e duhet të bëja jetë të rregullt e të rreptë.

Një ditë i thërrita të dy te shtëpia ime Anën e Mondin dhe ua thashë në fytyrë të gjitha çfarë mendoja. Ata u shokuan. Nuk u kishte shkuar në mendje se unë e dija dhe betoheshin se nuk kishte ndodhur asgjë mes tyre. Ata vetëm pëlqeheshin dhe dhimbja për sëmundjen time i kishte bashkuar. Ishte e vështirë ta pranonin dhe në fakt, nuk e pranoi asnjëri, por unë isha i vendosur që me Mondin nuk do të flisja më, edhe pse më kishte shërbyer aq shumë e kishte ardhur çdo ditë në spital dhe Anën nuk do ta shihja më. Ata kishin mendimin se do të sëmuresha nga mërzitja e madhe, por i sigurova se prandaj kisha psikologen. Këto ishin mendimet e asaj dite, por të gjitha këto mendime tashmë kanë ndryshuar.

Me të vërtetë me Anën nuk jam parë më, sepse ajo iku me studime për master jashtë Shqipërisë dhe nuk e di se ç’ka bërë, por me Mondin nuk munda të mbaj mëri. Më kujtohen netët që ka kaluar pranë meje së bashku me nënën time e nuk mund ta mbyll zemrën time për këtë shok që më ka dalë vëlla e shkuar vëllait.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *