1. Kuzhina e Vietnamit është e pasur me shije, aroma të shumëllojshme dhe unike, që e bën të zërë një vend të veçantë në panoramën e kuzhinës aziatike.
Është më tradicionale në Veri (e ndikuar nga kuzhina kineze) dhe më pikante, në qendër të vendit.
Në Vietnam mund të shijosh gjellë të shijshme, karakteristike aziatike dhe shumë më të lira sesa gjellët tona.
2. Të lehta dhe mjaft… afrodiziake!
Shumë peshq dhe fruta deti, perime, barishte, mish pule dhe derri (më rrallë, mish pate, keci dhe qengji) janë përbërësit kryesorë të gjellëve që do të provoni në kuzhinën ekzotike të Vietnamit. Karakteristika e përbashkët e kuzhinës vietnameze është se është e lehtë dhe shumë… afrodiziake.
3. Salcat pikante
Vietnamezët nuk konsumojnë bukë, por oriz, nuk hanë vaj ulliri, as nënprodukte qumështi. Kuzhina e tyre përfshin një shumëllojshmëri peshqish dhe mishi në sasi të vogla, gjithmonë të ziera, që shoqërohen me oriz dhe me salca të ndryshme pikante. Duhet të dini se 2/3 e 83 milionë njerëzve që banojnë atje, merren me bujqësi. Fusha të pafundme me oriz, peizazhe të mbuluara me mjegull, me mijëra njerëz, burra dhe gra, punojnë të përkulur në orizore, me kapelet e tyre karakteristike, ndërsa të tjerët peshkojnë në ujërat jeshile të brigjeve ekzotike. Gjelbërim pa fund, palma dhe pyje tropikale…
4. Në Le Mat, do të njohësh sekretin…
Fraza popullore “Hamë çdo gjë që ka katër këmbë, përveç tavolinës” mund të duket si konservatore në Vietnam. Nëse dikush guxon, përveç mishit, frutave të detit, tofusë (djathi i sojës) dhe qumështit të kokosit, mund të provojë gjëra të reja si mishi i gjarprit, qoftë edhe… helmues. Këtë mund ta bësh në fshatin Le Mat, 10 km larg Hanoit, ku janë përqendruar restorantet më të mira të specializuara në servirjen e gjarpërinjve!
5. Zgjedhja e gjarprit
Preferoni gjarprin e fushës, helmues, sigurisht! Gjarpri, i varur në një dru, lëviz kërcënueshëm, ngre vazhdimisht kokën dhe nxjerr gjuhën, duke futur në siklet njerëzit që kanë vajtur për të ngrënë. Pasi vritet, matet gjatësia e tij, që mund të jetë afro dy metra, gjë që do t’ju bëjë të ndjeheni edhe më në siklet. Gjarpërinjë e fushës kanë mish të mirë dhe një gjarpër është i mjaftueshëm për tre njerëz, të cilët mund të shijojnë të paktën gjashtë gjellë të ndryshme të gatuara me të.
6. Rituali i përgatitjes
Një legen metalik, një pjatë e vogël, dy gota me një lëng të verdhë, një pecetë, një gërshërë dhe një thikë, janë ato që përdoren për përgatitjen. Një burrë, me shpejtësinë e eksperiencës, hap një të çarë të vogël në gojën e gjarprit dhe nxjerr jashtë zemrën, e cila pulson akoma, kur e lë në pjatën e bardhë… dhe do të vazhdojë të rrahë edhe për 15 minuta. Pastaj bën një çarje tjetër dhe nxjerr jashtë tëmthin, të cilin e zbraz në një gotë që përmban një ekstrakt alkoolik orizi. Gota merr ngjyrë jeshile. Pastaj i pret kokën gjarprit dhe gjakun që del, e mbledh menjëherë në gotën tjetër, që përmban një ekstrakt tjetër orizi. Trupi i gjaprit lahet mirë dhe i hiqet lëkura. Në më pak se 5 minuta, gjapri pritet në copëza të vogla mbi dërrasën e drurit në kuzhinën e hapur.
7. Ora… e provës!
Tigani merr flakë… gjashtë gjellë të ndryshme për 15 minuta, në tavolinën tuaj! Në pjatën e parë do të ketë mish gjarpri të skuqur në vvok (tigan kinez) me perime, më pas copa të vogla mishi gjapri të mbështjella me petë dhe pastaj, mëlçia e gatuar omëletë, me vezë pate. Gjella më e mirë, sipas mendimit të përgjithshëm, mbetet ajo e lëkurës së gjarprit që skuqet dhe kthehet në diçka krokante e të shijshme. Mishi i gjarprit ngjan me atë të pulës, por është pak i vështirë për t’u përtypur.
Tani, vjen momenti i provës… së vërtetë! Pas gjithë këtyre gjellëve ekzotike, vijnë pijet, rakia e orizit me pak gjak nga ai gjarprit dhe koktejli i rakisë me lëngun e tëmthit të tij, të cilat për vietnamezët kanë veti terapeutike dhe përdoren prej qindra vjetësh. Nëse kaloni edhe këtë provë, mund të guxoni edhe më të pamundurën, të gjëlltisni të gjallë zemrën e gjaprit, në rast se jua sjellin përpara, pasi përbën një nder të madh… “Jep fuqi dhe shton epshin”, thonë në Vietnam. Llogaria e një menyje të tillë shkon afro 35 euro.
8. Vera e gjarprit
Nuk mund të ikësh prej këtej, pa provuar një nga pijet e çuditshme në një shishe të vogël, që është mënyra e duhur për të mbyllur këtë eksperiencë gastronomike. Bëhet fjalë për “verën e gjaprinjve”, një recetë e vjetër që vjen nga Kina. Prej shekujsh, në zona të caktuara, njerëzit besojnë se vera e përgatitur nga gjarpërinjtë lehtëson (për të tjerë, shëron) sëmundje si lumbagon, artritin, reumatizmën, problemet e stomakut, dhimbjet e muskujve dhe është shumë afrodiziake për meshkujt. Receta nuk është shkruar gjëkundi, por transmetohet nga brezi në brez si një mit i gjallë popullor. Zakonisht, për verën më të mirë duhen deri në 9 gjarpërinj helmues (gjithmonë numër tek, për të krijuar jangun) dhe ekstrakt orizi.
9. Shkolla perandorake Hue
Shkolla perandorake e gatimit Hue është më e famshmja dhe e përmendura në të gjitha restorantet. Ka restorante të specializuara për gatimin e mishit të qenit apo gjarprit (këtu hahet gjithçka! Nuk duken se vietnamezët i duan shumë kafshët, kur vjen puna tek ushqimi!). Kush nuk guxon të provojë gjëra të tilla të pazakonta, ia vlen të shijojë nem-et e mrekullueshëm (byreçka kineze me perime), fruta deti dhe cha ca (fileta peshku), si edhe gaforre të mbushura. Zakonisht, hahet jashtë në tavolina të vogla. Pas pak kohe, e kupton pse janë të vogla: I gjithë ushqimi gjendet nëpër tasa të vegjël! Edhe në restorantet më të mira të servirin të hash me shkopinj; pirunin dhe thikën ta sjellin vetëm nëse ua kërkon.