Na ndodh që, kur plakemi, bëjmë bilancin e jetës sonë dhe shikojmë, jemi me humbje apo me fitore.

Me të thënë të drejtën, shumicën e rasteve, peshorja nuk anon në asnjërën anë, duke treguar që humbjet tona janë po aq sa fitoret.

Jeta ime më duket e gjatë nga vuajtjet që kam hequr, por e shkurtër, kur e shikoj veten në pasqyrë me këto flokët e thinjura dhe në moshën 67 vjeçare.

Duke qenë se jam plakur dhe kohën time e shtyj duke parë televizor e duke lexuar, vendosa që edhe unë të shkruaj diçka në letër për jetën time. Më kujtohet ende rinia ime me bukurinë, ëndërrimet, gabimet dhe pamundësitë. Kam qenë vetëm 14 vjeçe kur njoha dashurinë, ose më mirë të them, ndjenjat e para dhe paftësinë time për të qenë e zonja të drejtoja jetën, fatin tim. Ajo paaftësi e një kohe, ndikoi në gjithë jetën dhe vuajtjet e mia. Në atë kohë, jetoja në një qytet të madh në mes të Shqipërisë. Në familje ishim shumë. Babai kishte vite që kishte ardhur në qytet dhe asaj kohe, punonte në postë. Nënën e donte shumë, por me ne fëmijët ishte shumë i ashpër, madje kishte edhe mendime të këqija. Vajzat e veta i martonte në fshat duke e ditur sa mundime kishte fshati, ndërsa djemtë i martonte me vajza nga fshati. Unë, në rendin e këtyre gjërave, u rebelova dhe e kundërshtova duke mos pranuar të bëhej ashtu siç dëshironte ai, që na shiste si mall dhe nuk na shihte si qenie njerzore. Shpesh, më kishte rastisur të dëgjoja edhe kundërshimet e nënës për këtë, por ai edhe me të, që e donte shumë, bëhej i egër në këtë pikë. Kur bëri martesën e motrës më të madhe, nuk di t’ju them dhe shumë, sepse edhe unë isha e vogël asaj kohe, por në të njëjtën mënyrë, ai po organizonte edhe martesën për mua. Atë natë, gjumi nuk më zinte dhe pa dashje dëgjova një bisedë, dëgjoja lutjet e nënës që i thoshte “jo” dhe dëgjoja dhe inatin e tij që nuk përmbahej. Të nesërmen më tha të bëhesha gati, se do të shkonim te një kushëri në një fshat dhe dëgjoja gjithë rrugës zërin e tij që më thoshte të sillesha mirë. Atë natë, hëngrëm dhe fjetëm pikërisht aty. Të zotët e shtëpisë therën një kec për ne. Ne fjetëm përdhe, si dyshek kishim lëkura deleje e po ashtu edhe si mbulesë, ndërsa për jastëk, një trug peme. Të zotët e shtëpisë kishin vetëm dy djem. Kur u larguam, e pyeta babain se çfarë i kishim ata njerëz dhe ai më tha: “Kushërinj, të keqen baba”. Ndërsa po largoheshim, shikoja vendin. Aty kishte vetëm pyll dhe një shtëpi e vetme në të gjithë atë vend. Mendimet e mia fëminore pyesnin se si mund të jetonin vetëm në atë vend, ku ujku natën ulërin dhe hedh valle. Njëri nga ata djemtë e asaj shtëpie filloi të vinte shpesh për vizitë te ne dhe shpesh dëgjoja diskutimet e nënës e babait për këtë djalë, që babai e kishte zgjedhur për mua dhe kishte vendosur që ai të hynte dhëndërr brenda në shtëpinë e tij.

Në atë periudhë të jetës sime, shpesh te ne vinte edhe një shok i vëllait tim, që ishte oficer, që në disa raste pati mundësinë të më shprehte ndjenjat e tij, ndjenja që edhe për mua, kishin filluar të lulëzonin. Në një nga rastet kur pata mundësi ta takoja, i tregova për qëllimet e babait. Ai më mori dorën dhe më premtoi se do të më merrte ai, se do fliste me të motrën dhe se brenda javës do vinte të më merrte. Mezi prisja që të vinte ajo ditë, megjithëse nuk e dija ç’do të thoshte të arratiseshe me dikë. Babanë, megjithëse kisha marrëdhënie të mira me të, fillova ta urreja për këto intriga që thurte mbrapa krahëve të mi dhe unë, ashtu dëshiroja t’ia punoja atij. U arratisa, të them të vërtetën, por jo me njeriun që dëshiroja, jo me atë djalin e bukur zeshkan dhe të shkolluar, por me motrën time, që erdhi një natë më parë dhe më mbushi mendjen të shkoja me të. Unë i tregova atë natë për planet e babait dhe për djalin me të cilin kisha rënë dashuri, i thashë se të nesërmen do të shkoja me të, në shtëpinë e motrës së tij. Ajo natë qe si djalli, që të fryn në vesh dhe të mbush mendjen se ajo që është e bardhë, mund të jetë e zezë. Motra më thoshte se nuk duhet t’i zija besë dhe, nëse do të tallej me mua e nëse do të më linte në rrugë, ku do të shkoja? Mora mendtë e saj dhe u nisa fshehtas të nesërmen me të. Ajo më premtonte gjithë rrugës se do të më gjente ajo burrë në qytet, ashtu siç kishte bërë edhe ajo. Mund të them që ajo qe shkatërrimi im. Ndoshta po të mos kishte ardhur ajo atë ditë, jeta ime do të kishte qenë ndryshe. Ajo premtimin e mbajti… Sa vajta atje ku ajo ishte martuar për së dyti, më gjetën një burrë. Unë isha ende e vogël dhe burri që më gjetën nuk ishte njeri i keq, madje shumë i mirë. Ai më trajtonte sikur të më kishte motër dhe jo grua, por qëndresa tek ai nuk zgjati shumë, vetëm një muaj. Unë u bëra përsëri lodër e sime motre. Ajo një ditë më pyeti për marrëdhëniet që kisha me të dhe unë, me sinqeritetin tim, i thashë të vërtetën. Atëhere ajo vendosi që unë nuk duhet të jetoja me të sepse ai kishte diçka mangut. Në vitet e mëvonshme, do ta kuptoja që asgjë në të nuk ishte e mangut, por ajo që e shtynte të mos sillej si burrë me mua ishte vetëm dhimbsuria e tij, ngaqë unë isha shumë e vogël. Më njohën përsëri me një një tjetër djalë, me të cilin u martova dhe që u bë babai i fëmijëve të mi. Burrin që mora, më shumë e kam dashur nga bukuria sesa nga dashuria. Në atë vit të parë të martesës vuajta me të sepse më kujtonte shpesh martesën e parë, që nuk zgjati më shumë se një muaj që nuk qe as e ligjshme dhe as nuk qe trupore, por kjo nuk kishte rëndësi; për të, isha fajtore për këtë. As vjehrra nuk më donte, sepse synimet e saj për djalin ishin të merrte një grua me shkollë të lartë, që as ai vetë nuk e donte, sepse nuk donte një grua që të ishte më lart se ai.

Megjithatë, në këtë rrjedhë, unë bëra të mundur që ajo të më donte, madje arriti të më donte më shumë se vajzën e saj. Ajo më thoshte gjithmonë: “Burrit tregoji nga mesi e poshtë. Nga mesi e lart, asnjëherë!”. Ndërkohë, marrëdhëniet e mia me familjen ishin të mbyllura; për ta nuk kisha asnjë lajm. Ata, as motrën nuk e pranuan më në shtëpi për atë që u kishte bërë. Nga një mik i babait mora vesh që babai, pas ikjes sime, kishte ardhur në qytet për të më therur me thikë, por fati për mua nuk kishte dashur këtë fund dhe pikërisht ky mik, duke e ftuar të pinin diçka bashkë, i kishte ndryshuar mendjen që nuk theret evlati për kaq.

Kaluan vite dhe, kur djali im u bë dy vjeç, im atë më pranoi në shtëpi. Shkova bashkë me burrin për një natë. U çmalla me nënën… Sigurisht, m’u dhimbs që kishte vuajtur për shkakun tim. Për herë të parë në jetë, babai e kishte rrahur, motrën time nëna e mallkoi me gjithë shpirt dhe ajo vërtet vuajti në jetën e saj. Nëna atë natë më tregoi gjithashtu për shokun e vëllait, që erdhi atë ditë që ika unë, më tregoi se, kur i kishte treguar për mua, ai ishte larguar me lot në sy… Lotët e tij nuk do t’i harroj gjithë jetën time, ato lot që unë i derdha për vite me radhë dhe sot, megjithëse jam plakë, mendoj: “A do të ishte ndryshe jeta ime, po të kishte marrë tjetër rrjedhë?”.

Babai më priti mirë dhe mendova se më kishte falur, por në një moment, kur ne të dy u ndodhëm vetëm, ai më tha: “Dëgjo babën, ai nuk është për ty. Lëre se të gjen baba tjetër, ndërsa djalin e rrit nëna, bashkë me tët vëlla, që është po aq sa ai”.

“O babë, çfarë thua?”, i thashë gjithë habi. Nuk ia dëgjova fjalën, por u ngrita dhe ika, megjithëse kisha ndërmend të rrija dy ditë. Sot i kuptoj disa nga arsyet e tij, megjithëse nuk i aprovoja mënyrat që përdorte. Unë nuk doja t’u bëhesha barrë vëllezërve, t’u hyja në pjesë dhe nuk e kuptoja se pse, ai dëshironte që pikërisht unë të rrija aty. Ai nuk rrojti shumë, por në shumë vite, unë vuajta vetminë, mallin që kisha veçanërisht për nënën, që e takoja me mallë dhe, kur e shihja, ndahesha prej saj me lot. Në gjithë ato vite, pata fëmijë të tjrë. Vetëm vitet e para qenë të qeta dhe disi të lumtura. Pastaj filluan vitet e mjerimit ekonomik, vitet e tradhtisë, vitet e sherrit të përhershëm. Njëherë kam dashur edhe të vetëvritem bashkë me vajzat e mia të vogla që nuk arrinin të kuptonin atë që unë kisha ndërmend. Vendosa të mbytesha në lumë bashkë me to. Nuk më duhej jeta. Pse të vuanin edhe ato? Nuk isha e kthjellët në mendimet asaj kohe, por deshi Zoti dhe e ndryshoi rrjedhën, qëlloi që kur unë isha në ato mendime e sipër, që vetëm një fije peri më ndalonte ta bëja këtë veprim, një burrë që nuk e njihja, qëlloi aty dhe më tha që stacioni ishte këtej. Ne nuk shkëmbyem shumë fjalë, por ai më bleu biletën e trenit dhe diçka fëmijëve të mi. Nuk di ç’të them. Atë njeri nuk e kam ndeshur kurrë më në jetën time… Ndonjëherë them që ai ishte një engjëll që ma kishte dërguar Zoti atë ditë, që të mos bëja atë veprim që kisha ndërmend, duke marrë më qafë edhe tre vajzat që ishin aq të vogla. Atë ditë shkova te nëna ime, ku gjeta strehë dhe paqe për dy ditë. Nuk i rrëfeva asnjë nga hallet e mia dhe, të them të drejtën, nuk iu rrëfeva kurrë në gjithë ato vite, derisa ajo u nda nga jeta. Mundohesha që hallet e mia të mos ia shkarkoja asaj, edhe që ajo të mos ma përplaste në fytyrë gabimin që kisha bërë. U gjenda vetëm në vendin ku isha martuar. Motra që u bë shkaktare e zgjedhjeve të mia u internua në një fshat, pasi një nga familjarët e burrit të saj u arratis jashtë vendit. Kaluan vitet dhe unë u bëra me 6 fëmijë. Varfëria shtohej dhe grindjet gjithashtu, puna ishte e vështirë, lodhesha dhe nuk gjeja as kohën për të menduar e jo më të kujdesesha për veten. Kështu, përveç problemeve të jetesës, shtoheshin edhe të tjera. Vitet kaluan më shumë me shi sesa me diell, derisa fëmijët u rritën dhe u bënë krah për mua e për njëri-tjetrin, ndërsa im shoq po ulej, nuk ishte më ai që ngrinte zërin, se ishte djali burrë dhe ai luante rolin e vet në familje.

Në vitet kur vajzat e mia ishin të mëdha dhe po lulëzonin, i këshilloja gjithmonë që të prisnin, të mos martoheshin të vogla si unë sepse jeta ka vetëm vuajtje dhe jam munduar që të pranoja zgjedhjet e tyre pa i detyruar, ashtu siç më detyruan mua.

Pas shumë vitesh, në këtë periudhë kur fëmijët e mi e kanë lënë shtëpinë dhe kanë shkuar në jetën e tyre e janë bërë me fëmijë, gëzimi im më i madh është kur ata më vijnë shpesh. Vuajtjeve të pleqërisë, sëmundjeve që na kanë shkaktuar vuajtjet e shumta fizike, u shtohen edhe hallet e tyre… Çfarë jete! Më shumë vuajtje sesa paqe. Ndonjëherë mendoj kur shtrihem në darkë: A do të kishte qenë ndryshe jeta ime? Ndoshta po, nuk do të kisha patur kaq shumë fëmijë… Je jam pishman, aspak,. Mmegjithëse më mbushin me halle, ata, gjithashtu, ma mbushin edhe zemrën me gëzim.

Ka raste kur mendoj për dashurinë time të parë… Besoj se më mallkoi dhe lotët e tij më përshkuan gjithë jetën. Zoti na jep zgjedhjen dhe unë gabova. Ndoshta isha shumë e vogël dhe nuk qeshë në gjendje të bëja të duhurën, por ajo zgjedhje më kushtoi një jetë të tërë. Dëshira ime në këtë pjesë të jetës, kur më shumë lëngoj nga dhimbjet trupore që të kem pak paqe, është që kur të vijnë momentet e fundit të jetës, vdekja të më vijë në gjumë, pa vuajtje dhe me shpresën e një faljeje për atë që nuk qeshë në gjendje ta bëja…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *