Unë që po e diktoj këtë letër jam nënë e tre fëmijëve. Kjo letër që do t’ju mbërrijë në dorë është shkruar nga motra ime.

Unë flisja dhe ajo shkruante. Nuk e bëja dot vetë, sepse jam e verbër.

Unë nuk kam lindur kështu. U verbova në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare.

Mjekët më thanë që nuk do të më kthehej më drita e syve, ndaj nisa të përshtatesha, duke jetuar në errësirë.

Problemi im nisi të ishte martesa dhe fëmijët. Gjithnjë kam dashur të kem sa më shumë vajza dhe djem, por kur u sëmura nisa të mendoja se si do t’i bëja këta fëmijë, kush do të mund të martohej me mua? Edhe sikur të ndodhte kjo, si do të kujdesesha për ta, si do t’i rrisja? Mamaja ime kishte vdekur kur unë isha e re, ndaj edhe jetoja vetëm me babin. Ishte e dhimbshme të shikoje që vetëm ai kujdesej për mua, por nuk kisha çfarë të bëja. Të them të drejtën, gjërave kryesore ua kisha marrë dorën. Në kuzhinën e shtëpisë sonë e dija ku ishte gjithçka. I kisha mësuar të gjitha përmendësh. Sigurisht që nuk mund të gatuaja, por përpiqesha të ndihmoja me aq sa mundesha.

Fatmirësisht, në qytetin tonë ishte një djalë, Kasemi, i cili kishte dashur të martohej me mua qëkur isha trembëdhjetë vjeçe. Ai e merrte parasysh faktin që isha e verbër dhe prapëseprapë, donte të martohej me mua. Unë, të them të drejtën, nuk ia mbaja dot mend fytyrën, por dëshira për të pasur një familje dhe për të mos i rënë më tim eti në qafë, më bënë që të thosha “po”.

U martuam, por nuk bëmë ceremoni. Unë shkova në shtëpinë e tij, ku jetonte edhe mamaja. Shumë shpejt, mora vesh që isha shtatzënë. Ishte lumturia më e madhe në botë. Kur shkova te doktoresha, ajo më vuri stetoskopin në vesh dhe më bëri të dëgjoja zemrën e djalit tim. Ishte një ndjesi aq e bukur sa nuk di ta përshkruaj. Aq shumë qava nga gëzimi sa e lava rrugën me lot.

Djali im i parë lindi në maj. Ishte shumë e vështirë, pasi ai ishte edhe i pari dhe unë nuk dija si t’ia bëja me të. Mbaja një lugë nga njëra dorë dhe me tjetrën mundohesha t’i gjeja gojën. Vjehrra më ndihmonte kur mundej, por ajo ishte e sëmurë për vete dhe shpejt zuri shtratin. Më ra mua në krahë barra e të gjithave. Kasemi më ndihmonte sa herë mundej, por ai punonte në ndërtim, ndaj edhe vinte shumë i lodhur nga puna. Pas djalit të parë, lindi edhe një djalë tjetër dhe një vajzë. Të tre ata janë një bekim nga Zoti, të cilit i lutem çdo ditë që të m’i mbrojë.

Gjëja më e keqe është se nuk do t’ua shoh dot asnjëherë fytyrat. Shpesh u prek tiparet dhe mundohem t’i përfytyroj, por është e kotë. Kur ishin të vegjël, vjehrra më thoshte shpesh nëse po qeshnin… Fëmijët e mi janë mësuar me prekjet e mia të shpeshta. E gjithë kjo ishte shumë e vështirë, por unë isha edhe shumë e lumtur që po rrethohesha nga fëmijët e mi, nga ata që i kisha ëndërruar më shumë në botë, madje më shumë se dritën e syve.

Në atë kohë, ne ishim të varfër. Bashkëshorti tim mundohej shumë duke punuar me çfarë i vinte në dorë. Përpiqej të bënte çfarëdolloj pune, mjafton që të paguhej, por kjo e lodhi shumë. Kur kthehej nga puna, në vend që të çlodhej, ai duhet të merrej me fëmijët dhe me mua sepse edhe unë isha kthyer në një fëmijë për të. Ndonëse kishte gjëra që i bëja vetë, sërish më duhej ndihma e tij.

Një ditë unë vura fëmijët në gjumë dhe vendosa të prisja Kasemin. Me ndihmën e djalit të madh kisha përgatitur diçka për të ngrënë. Mezi po prisja që të vinte dhe t’ia tregoja suprizën. Fëmijët pritën sa pritën dhe më pas fjetën, ndërsa unë vazhdova ta prisja.

Por shkoi shumë vonë, aq sa nisa të bëhesha merak. Nuk dija ku të shkoja apo kë të lajmëroja. Prita derisa u zbardh dhe ai ende nuk kishte ardhur. Fëmijët u ngritën dhe po bëheshin gati për në shkollë, por nuk kishte kush t’i shoqëronte. Nisën të pyesnin për të atin dhe të qanin. Nuk kisha çfarë t’u thosha. Nuk shkoja dot në ndonjë vend pa ndihmë. E vetmja gjë që mund të bëja ishte të prisja derisa ndokush të kujtohej dhe të vinte në shtëpinë tonë.

Fatmirësisht, erdhi kunati. Mezi po prisja të dëgjoja një fjalë të mirë që të qetësohesha sadopak, por kur e pyeta kunatin, ai nuk më foli. Më tha që të vishja fëmijët pasi do t’i merrte me vete. Nuk po e kuptoja. E pyeta se ku do t’i çonte, po sërish nuk m’u përgjigj. Ndjeva që po ndodhte diçka e keqe.

Nuk shihja dot se ku ishin, ama i ndjeja. Nisa të kapja me forcë fëmijët e mi dhe t’i tërhiqja pas vetes. U thashë që të shkonin në dhomën e gjumit. Kunati im po kundërshtonte, po unë po qëlloja si e çmendur me grushta, kuturu. Më dukej sikur po më rrëmbenin fëmijët dhe unë këtë nuk do ta lejoja. I thashë kunatit të më thoshte të vërtetën.

“Kasemi po niset për në Greqi!”, më tha ai. “Ka rregulluar një vizë dhe do të shkojë atje për të bërë disa lekë. Më tha që fëmijët për disa kohë t’i mbajmë ne dhe më pas t’i nisim edhe ata për në Greqi. Kështu do të jenë më mirë!”.

Ajo që më tha, më dhembi në zemër. Si mund të ma bënte Kasemi këtë? Si mund të nisej ai kështu, papritur, pa më thënë asgjë? Tani, donte të më merrte edhe fëmijët! Nga ana tjetër, si unë edhe ai e dinim se isha e verbër dhe nuk do të mund të kujdesesha siç duhej për ta. Megjithatë, i thashë kunatit të largohej dhe të mos kthehej më. Më pas u ktheva në dhomë dhe përqafova fëmijët e mi. Shkova në dhomën e vjehrrës dhe e pyeta nëse ajo dinte ndonjë gjë nga këto, por ajo as që e kishte idenë. I erdhi shumë keq madje kur më dëgjoi dhe më tha se do të më ndihmonte.

Kështu e kam shtyrë gjithë këtë kohë, e ndihmuar nga një vjehërr që mezi mbahet në këmbë vetë. Fëmijët janë rritur dhe po bëhen të zotët e vetes. Tani shkojnë në shkollë të tre bashkë. Janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe me ne. Nga Kasemi nuk kam marrë asnjë haber, por nuk pres më. Dua vetëm t’i nxjerr fëmijët në jetë. Më pas, Zoti le të më marrë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *