Më humbi unaza

– Kam parë në ëndërr sikur në gishtin e fejesës, tek unaza, m’u shfaq një kryq me gurë të shndritshëm, por më kishte humbur unaza ime, ajo e fejesës. I thashë nënës time dhe ajo u bë merak e filloi të qante, por nuk i pashë lot në sy. Jam në merak. Çfarë do të thotë kjo ëndërr? Thonë se kryqi është mirë. Po kur të humb unaza?

– E nderuar lexuese, e kuptoj shqetësimin tuaj. Ëndrra, në fakt, parashikon disa probleme të vogla në jetën tuaj sentimentale në çift. Diçka do të ndërlikohet mes jush, gjë që do t’ju shqetësojë shumë si nga ana psikologjike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Unë, gjithsesi, uroj që në shumicën e ëndrrave ku shoh siklet, të mos dalin parashikimet e mia. Kryqi që keni parë tregon se pas kësaj periudhe të vështirë, do të rikthehet qetësia e humbur, prandaj mos u bëni merak sepse çdo gjë është kalimtare. Gjithë të mirat!

Një zë

– Kam parë në ëndërr sikur po bëja dush dhe ndjeja një kënaqësi të madhe duke u relaksuar e pastruar. Pastaj bëja gjimnastikë, ndjenja e kënaqësisë vazhdonte dhe unë nuk doja të përfundoja kurrë së ushtruari. Pas një momenti, dëgjova një zë mashkulli që m’u duk shumë i egër e që më tha: “Ki kujdes, kënaqësitë e trupit kështu fillojnë…”. Erta.

– E dashur Erta, nuk e di moshën tuaj të saktë, por besoj se jeni në atë fazë kur kalon nga fëmijëria te të ndjerit femër e rritur. Çdo ditë e më shumë shikoni dhe ndjeni gjëra të çuditshme lidhur me fizikun dhe ndjesitë tuaja. Herë pas here, ndjeni nevoja fiziologjike dhe menjëherë më pas, ndiheni sikur keni bërë ndonjë mëkat. Jeni rritur në një familje shumë tradicionale dhe me rregulla strikte, ndoshta edhe pak fanatike në drejtim të femrave dhe keni frikë se dëshirat tuaja të brendshme do të zbulohen nga pjesa tjetër e familjes, prandaj e keni dëgjuar atë zë. E gjithë ëndrra, pra, ka lidhje me zhvillimin tuaj seksual dhe fizik. Nuk ka asgjë të keqe që e ndjeni se po zhvilloheni apo ndjeni herë pas here dëshira për të pasur intimitet. Këto janë më se normale në mosha të tilla.

Mbretëresha e Anglisë

– Është shumë e çuditshme, por kam parë në ëndërr Mbretëreshën e Anglisë, Elisabetën. Pashë sikur do të shkoja në një ceremoni dhe aty ishte edhe mbretëresha. U habita shumë dhe ndërkohë po kërkoja babain, por ai ishte jashtë dhe na vëzhgonte si të ishte ndonjë jetim rrugëve. Pres të më jepni një shpjegim, ju lutem. Arjani.

– I nderuar Arjan, ju jeni rritur në një familje në të cilën figura dominuese është ajo e mamasë, ndërsa babain e lini pas dore në çdo lloj këndvështrimi. Edhe pse mund t’ju duket e çuditshme, ëndrra ju transmeton një mesazh shumë të qartë: Duhet t’i kushtoni pak më shumë vëmendje babait sepse në thelb, ai është shtylla e shtëpisë dhe ka nevojë për dashurinë tuaj. Nuk po them të mos e doni mamanë, por të mos lini pas dore babain tuaj. Gjithë të mirat!

Shprehje

– Kam parë në ëndërr sikur shkova në shtëpinë e ish-it tim me një shoqe dhe në një faqe muri gjeta një bllok ku ish-i im kishte shkruar thënie për jetën dhe dashurinë. Midis tyre, lexova: “Një grimcë akulli kthehet në një pikë loti, për një mashkull”. E lashë bllokun dhe ika. Më pas u ktheva me nxitim bashkë me shoqen, hapa derën me çelës dhe e vendosa bllokun atje ku e mora fillimisht, që ai të mos dyshonte se dikush kishte lexuar shënimet. Si shpjegohet kjo ëndërr? Ju lutem, më ktheni përgjigje këtë javë.

– E nderuar lexuese, ëndrra juaj qenka shumë interesante edhe për vetë faktin që e keni mbajtur mend këtë shprehje që ka një kuptim të caktuar nga ana psikologjike. Së pari, ëndrra tregon që ju, herë pas here, me mendime, fluturoni te historia që keni pasur me këtë djalë dhe ju vjen keq për disa situata që janë krijuar mes jush në të shkuarën. Shprehja juaj gjen vend pikërisht në këto që mendoni. Mendoni se ish-i juaj ka vuajtur më shumë sesa ju nga kjo ndarje sepse dhe shprehja tregon që pak ftohtësi nga partnerja e tij e bën një mashkull të vuajë, por jo gjithmonë ndodh kështu; ka nga ata që tregohen indiferentë ndaj kësaj gjëje. Ju, në njëfarë mënyre, keni lexuar mendimet e tij edhe në distancë dhe e dini që ai është person i dobët. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse ju nuk jeni akoma bashkë sot. Në lidhje me parashikime në të ardhmen, ëndrra nuk bën ndonjë parashikim në veçanti, përveç faktit që do të ndiheni nostalgjike dhe mund të shkëmbeni ndonjë mesazh me ish-të dashurin, duke qenë se është fund viti. Kjo do t’ju lëkundë disi dhe do ta mendoni më shumë se asnjëherë, por ajo çfarë ëndrra këshillon nga ana psikologjike është që nëse ai person nuk është për ju, lëreni mënjanë nostalgjinë dhe shikoni përpara. Ju uroj shumë fat!

Brenda pusit

– Ëndrra që kam parë para dy netësh, më ka ngelur në mendje. Brenda një pusi që më përkiste mua, zbulova një dhomë a diçka të tillë. Brenda kësaj dhome kishte diçka të çmueshme. I them vetes: “Duhet të futesh dhe ta marrësh këtë gjë. Pavarësisht problemeve, do t’ia dalësh mbanë. E dija që përtej pusit ishte një boshllëk që përbënte një problem dhe kalimi ishte shumë i ngushtë. Ndërkohë që po përpiqesha të hyja, pavarësisht pengesave, e ndjeja që po futesha dhe po ia dilja mbanë, por u zgjova shpejt nga gjumi. Ju lutem, më thoni ç’do të thotë se jam kurioz. Tani.

– I nderuar Tani, ëndrra juaj tregon për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tuaj që do të thotë se ju, në të shkuarën, keni qenë një person shumë i brishtë dhe dorëzoheshit përpara problemit më të vogël. Nëse e mendonit se do t’ia dilnit mbanë, frika e tepërt që kishit, ju pengonte ta provonit, kështu që dorëzoheshit. Tashmë, u bë kohë që mendoni se mund t’ia dilni mbanë dhe falë guximit që do të tregoni në të ardhmen në çdo lloj fushe, do të arrini shumë gjëra me vlerë. Kuptohet që do të keni pengesa, por ju do të dini si t’i kapërceni, falë besimit që keni në vetvete dhe në aftësitë tuaja. Gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *