Katja

A e ke parë Ksamilin shpirt

Dashuruar nga Joni blu

Kështu në zemer m’u ngulite

Bashkë me zemren dhe sytë e tu

 

Nga bregu valët nisen

Endrrat dridhtas mbi to shkojnë

Për ty gjithë mendimet ngrysen

Dhe brengat gjoksin ma shkallmojnë.

Thodhori Cerro 

 

 

Do t’i lutem diellit, ditës dhe natës!

 

Atje poshtë sepetit mbaja një shami

Ish shamia e lotëve të vjetër

Nga fundi e nxora sepse nuk e di

E lotët më erdhën si uji në shtretër!

Të vjetrit dhe të rinjtë lot të bashkuar

Rënduar nga shija e rëndë e dhimbjes

Dhe peshës se malit ia kanë kaluar

Dua t’i ndaloj, s’kam çelësin e zgjidhjes!

Ma ka marrë deti te gjiri i Otrantos

Ku deti më përpiu nipërit e mi

Do t’i lutem diellit, ditës dhe natës

Të ma gjejnë çelësin, t’ma sjellin tani!

Jahe FIDA Tr.19.01.2015

 

 

Dallëndyshe

 

Gjithçka filloi si një lojë
Nuk kish se si t’mbaronte ndryshe
Në kafaz sa mund të rrojë
Një krenare dallëndyshe?

E rrethuar nga pasioni
Që të mbyste çdo dëshirë
Fluturove nga ballkoni
Hape krahët e tu të lirë!

E ç’nuk bëra të të kapja
Kurthe ngrita unë kudo
Më shkoi ndërmend të të vrisja
Por s’vret dot atë që do!

Rri të shoh tani me ëndje
Dhe ti fshehur më vështron
Ndonjëherë pa pasur mendje
Vjen më ulesh në ballkon!

Do t’shtegtosh… E di, do t’ikësh
E do t’vish prapë ti, në pranverë
N’atë pritjen prej shumë ditësh
Dhe unë ndoshta krahë do t’nxjerr!

Gjithçka filloi si një lojë
E si një lojë, do t’përfundonte
Në kafaz s’mundi të rrojë
Zgjodhi e lirë të fluturonte… Bledi Ylli

 

 

Trembëdhjetë bilbilenjtë!

 

Lum si ju, o lulet, përballë reaksionit, nuk u përulët!

Trembëdhjetë bilbilenjtë, në litar, shkuan vetë,

Trembëdhjetë bilbilenjtë, në burg, shkuan vetë,

U kthyen, nga burgjet serbe, u kthyen, nga malet shqiptare,

Përsëri, u prangosën qelive të xhelatëve, pasardhësve, titisto monarkëve,

Nuk lejuan të shkelen, idealet e larta…

Nga hienat-kainiste, Isë-rrahman-hashimiste,

Me mashtrime, premtime, me urrejtjet vrastare!…

Zgjohu, o pupull! Maskarenjtë, po e sundojnë Kosovën,

Mjerë ty, çka të gjeti, nga armiqtë gjakatarë,

Mjerë kush të treti, tradhtarët -rrotull,

Me premtime, mashtrime, përgjakje, përflakje-dhunë, tmerrshëm!

Po të ricopëtohet Atdheu, po rrezikohet të na rrënohet shteti!

Lule ju, bijtë e nënave, lule ju, o bijat heroike,

Nuk dorëzohet stuhive, Kosova Jonë Kreshnike! Fadil Shyti

 

 

E dua zemërimin tënd


Sa doja
me ty të isha
në zemërimet e tua,
të më merrje në telefon
e të ndjeja
frymëmarrjen tënde,
të flisja me ty
të ecja,
të më dëgjoje,
kur të thosha
në heshtje
mos më lër të shkoj,
e me dashuri
do të dashuroja,
dhe vetëm për pak
të vije e të kujtoje
se ç’ndjej për ty,
por dorën tënde
dot nuk e arrij,
e ndoshta nata
do më lërë të shkoj
përtej ëndrrave,
te ti të vij,
larg tepër larg
të vij,
të dëgjoj zërin,
të ndjej frymëmarrjen,
të puth buzëqeshjen,
të dua inatin,
gjithçka që je ti…
por nëse binte telefoni
e zërin ta dëgjoja
E di…
njësoj do të ndjeja
për ty dashuri…” Fleta Satka

 

 

“Duhet të ishim dashur më pak…”

 

Sa pranë… Ah, sa pranë që ishim
Që kurorës dashuri t’i jepnim jetë,
Duhet të ishim dashur më pak,
Që sot kjo dhimbje të ishte më e lehtë!

Kaq kohë… Po, kaq kohë pa qarë
Në ëndrrat e mia përherë penguar,
Ndoshta kështu qenka vërtet shkruar,
Mbi të njëjtën dashuri, dashuruar!

Por edhe ti më ndjen… më ngjan mua
Mijëra çastet bashkë lehtë nuk harrohen,
Ndonjë natë më qëllon të të ndjej pranë,
Edhe pse ëndrrat tona tashmë nuk takohen.

E djeshmja ime… E do të vërtetën?!
Dhe po deshe eja të të gënjej,
Sa herë që merr e vdes frymë atje,
Në çdo trokitje zemre unë këtu e ndjej!

Edhe kur do të duket që të kam harruar,
Mes ëndrrave shterpë këtë varg do lë,
Dhe qoftë e fundit kjo dashuri: Do të dua,
Deri në ditën kur jetë të mos kem më!

Veç tri pika larg;
Duhet të ishim dashur më pak…! X.

 

 

Zinxhirët…

 

Nga zinxhirët e memories
Do m’shpëtosh një ditë dhe ti.
Dashuri, përtej harresës
Dhe pas vdekjes, dashuri!

Ble Y.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *