Psikologët Ron dhe Ori Brafman, pohojnë: Janë gjithsej 5 faktorë kryesorë (pesë rrethana), në saje të të cilëve ne tërhiqemi apo na tërheq dikush dhe biem në dashuri. Ja, cilët janë ata…

Faktori i parë: Predispozita

Në rast se ju jeni të predispozuar (dëshironi) për t’u shoqëruar me dikë, personi ku do ta përqendroni vëmendjen do t’ju përgjigjet pothuajse gjithmonë me të njëjtën dëshirë e gatishmëri. E tillë është natyra njerëzore: Hapjes së shpirtit tënd, ashtu sikurse edhe mbylljes në vetvete, të tjerët do t’i përgjigjen me të njëjtën monedhë. Të ashtuquajturat “gra gjahtare”, që shigjetojnë duke përdorur lloj-lloj marifetesh për t’ua marrë mendjen meshkujve, për t’i bërë burrat për vete, nuk ekzistojnë; truket e tyre s’janë veçse mite dhe përralla… Rëndësi ka që ti t’ia hapësh dikujt dyert e shpirtit tënd. Po e bëre këtë, atje do të hyjë dikush patjetër. Kjo, sigurisht, nuk do të thotë se ti do t’i hapesh të parit person që do të ndeshësh në rrugë. Ki parasysh se edhe hapja e tepruar mund të merret për mendjelehtësi dhe ta trembë, por një buzëqeshje, një përshëndetje, një shaka e lehtë, janë në gjendje t’i tregojnë tjetrit se edhe ju jeni njeri, keni ndjenja, pra, janë në gjendje të shtojnë te tjetri pikë në favorin tuaj… “Kështu zhduket pengesa që i ndalon njerëzit të hyjnë në marrëdhënie mes tyre dhe kjo i ndihmon të gjejnë gjuhën e përbashkët”, shkruajnë në librin e tyre të ri psikologët Rom dhe Ori Brafman. Kur ju tregoni se jeni i hapur, bashkëbiseduesi e pret këtë me mirënjohje, madje nuk ka druajtje t’ju hapet edhe ai juve. Pastaj, më tutje, në kushte të caktuara, ju mund “t’i qepeni” njëri-tjetrit, madje edhe të dashuroheni. Shanset janë më të mëdha për këtë, kur kufiri i druajtjes reciproke kapërcehet shpejt. Normalisht, një njeriu i duhen të paktën disa javë, madje edhe muaj për t’i hapur zemrën edhe një të njohuri, por ky afat mund të shkurtohet…

Faktori i dytë: Fqinjësia

Nuk ka asgjë sensacionale në faktin që njerëzit para së gjithash dashurohen kur mësojnë në një klasë, kur janë në një kurs, kur janë fqinjë në lagje apo kolegë në punë, domethënë, kur e shohin njëri-tjetrin shpesh, çdo ditë. “Në rast se në një mbrëmje vallëzimi të klasës, kursit apo qendrës së punës dikush ju pëlqen, shtojnë psikologët, atëhere nuk ka asgjë të keqe që t’i afroheni atij njeriu, të shkoni dhe të rrini pranë tij”. Kjo është njëqind herë më mirë sesa t’i buzëqeshni apo të shigjetoni me vështrime nga njeri cep i sallës te tjetri. Afërsia fizike luan në këtë mes një rol shumë të rëndësishëm.

Faktori i tretë: “Rezonanca”

Është e çuditshme, por sa më shumë bindemi se i pëlqejmë dikujt, aq më tepër ai njeri na pëlqen neve. Në shoqërinë e tij ne e ndjejmë veten të sigurtë dhe të qetë. E dimë se ai do ta na e “ushqejë” bisedën e do të qeshë me shakatë tona, prandaj i besojmë dhe kjo sjell patjetër një afrim emocional me të. Pikërisht këtë fenomen, Romi dhe Ori Brafman e quajtën rezonancë shpirtërore. “Rezonanca, shpjegojnë ata, është një lloj “infektimi” me anë të ndjenjave”. Në ndjenjat tuaja, madje edhe në mendimet tuaja, lind njëfarë sinkronizimi dhe, në rast se ju, bie fjala, filloni të flisni për diçka, “i infektuari” e di se si do të përfundojë ajo bisedë. Është po ai fenomen; për ndjenjat e sinqerta, njerëzit të shpërblejnë me të njëjtën monedhë.

Faktori i katërt: Ngjashmëria

Sa më shumë gjëra të përbashkëta të keni me një njeri, si, bie fjala, interesa të përbashkëta, gusto të njëjtë për problemet e artit, shije të njëjtë për muzikën, letërsinë ose sa më shumë zakone të përbashkëta të keni me njëri-tjetrin (bie fjala, të dy keni deshirë të pini nga një kafe në mëngjes apo të shëtitni pasdite), aq më shumë shanse të natyrshme ka që ju të tërhiqni njëri-tjetrin. Kjo nuk ndodh vetëm për faktin se hobet e përbashkëta janë një “sebeb” për t’u takuar, për të biseduar, etj. Edhe në rastet kur ju e njihni prej kohësh njëri-tjetrin, por merrni vesh se ju pëlqen të shikoni të njëjtët filma, pikërisht ky fakt mund të shndërrohet në një faktor vendimtar për të kaluar në marrëdhënie të reja, më intime. Të gjithë ne, pohojnë psikologët anglezë, kërkojmë të përshtatemi në një grup njerëzish me të cilët mund të kemi interesa të përbashkëta dhe pjesëtarët e këtij grupi i duken njëri-tjetrit më interesantë e më simpatike sesa të tjerët, në të gjitha drejtimet. Ky “mekanizëm” është ngulitur aq shumë te ne të gjithë gjatë evolucionit njerëzor, saqë dy njerëz mund të bien në dashuri me njeri-tjetrin edhe në rast se zbulojnë fare rastësisht ndonjë temë të përbashkët për bisedë…  Pikërisht për këtë arsye, edhe në rrethanat e ndonjë njohjeje të rastësishme, kur fillojmë bisedën në autobus, për shembull, e pyesim bashkëbiseduesin në radhë të parë se çfarë i pëlqen më shumë dhe ç’qëndrim mban në njërin apo tjetrin rast. Në këtë mënyrë, ne, fare instiktivisht, testojmë bashkëbiseduesin nëse kemi rënë në njeri që na përshtatet, apo jo. Në jetë ka patur shumë raste kur dy vetë, pikërisht gjatë një udhëtimi, janë bërë miq të ngushtë, madje edhe janë dashuruar…

Faktori i pestë: Rrethanat e jashtme

Ne kemi parë me dhjetëra filma, heronjtë e të cilëve luftojnë së bashku kundër pushtuesve, përballojnë së bashku vështirësitë e një cunani ose shpëtojnë bashkarisht botën dhe, më në fund, bien në dashuri, martohen e jetojnë të lumtur. Këto subjekte, natyrisht, janë trilluar nga autorët, por situatat e jashtëzakonshme edhe në jetën reale i bashkojnë njerëzit, madje edhe i detyrojnë të dashurohen. Sa e sa raste ka kur njerëzit dashurohen pas ndonjë fatkeqësie të përbashkët. Ndodh shpesh, nënvizojnë psikologët, që shkak për t’u bashkuar dy njerëz bëhet një ankesë e thjeshtë për motin e keq, për një shef të ashpër, për sëmundjen e qenit ose për ndonjë hall tjetër. Në rast se bashkëbiseduesi ka të njëjtin hall si dhe ju, do t’ju puqen me lehtë “pipëzat” dhe kjo, nga ana e vet, do të krijojë kushtet për një simpati reciproke. Kërkimet e shumta kanë treguar se, sa më të mëdha të jenë hallet, sa më të ndërlikuara të jenë vështirësitë me të cilat do të ndesheni, aq më të thella do të jenë ndjenjat emocionale dhe lidhjet që do të krijohen mbi bazën e tyre. Edhe emocionet pozitive mund të sjellin të njëjtin përfundim, shkruajnë psikologët, por çështja është se, si pasojë e veçantive psikologjike të njeriut, ne tregohemi më të gatshëm dhe më solidarë të shkëmbejmë me njëri-tjetrin pakënaqësitë sesa kënaqësitë. Po kështu reagojmë emocionalisht ndaj fatkeqësive të të tjerëve, më lehtë sesa ndaj gëzimeve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *