Unë që ju shkruaj jam një djalë tridhjetë vjeç. Historia që po shkruaj, më ka ndodhur një javë më parë.

Që ta keni të qartë se çfarë më ka ndodhur, më duhet të kthehem tre vjet prapa në kohë, pikërisht atëhere kur njoha Alisën. Deri atëhere kisha pasur një raport të mirë me femrat, por me asnjërën nuk kisha rënë në dashuri.

Ndërsa me Alisën qe ndryshe. Sapo e pashë e ndjeva menjëherë veten të “rrezikuar”. Ajo nuk ishte seksi, siç thuhet zakonisht, por ishte ashtu siç e doja unë: E thjeshtë, e sjellshme dhe paksa e turpshme.

Nuk hezitova, por i kërkova menjëherë që të dilnim bashkë. Më dukej se nëse nuk do ta bëja do ta humbisja përgjithmonë dhe kur ajo pranoi të dilte me mua, u ndjeva njeriu më i lumtur në botë.

Pasditen e takimit të parë i ngjaja një adoleshenti që nuk ka takuar asnjëherë një femër në jetën e tij. Isha nervoz dhe shkova në vendtakim njëzet minuta përpara. Kur e pashë tek vinte në fillim të rrugës, filluan të më dridheshin gjunjët. Ajo mbrëmje ka qenë nga më të bukurat e jetës sime. Folëm gjatë dhe zbulova gjëra shumë të bukura rreth saj. Flisja pa pushim dhe doja të vetëfrenohesha, por nuk mundja dot. Ajo vajzë më kishte rrëmbyer të tërin.

Këtë e kuptova edhe në ditët në vazhdim. Ndryshova zakonet e mia. Doja ta shihja çdo ditë, gjë që nuk më kishte ndodhur ndonjëherë. Përpiqesha të ndryshoja veset e mia, të dukesha përpara saj si njeriu që kishte kërkuar gjithë jetën e saj.

Zbulova edhe shumë gjëra të bukura brenda vetes sime… Tek unë fitoi romanticizmi, nisa t’i këndoja serenata dhe t’i thurja poezi. Nëse do të kisha parë një tjetër të sillej si unë në atë kohë, me siguri do ta kisha këshilluar të mos marrosej aq shumë.

Kështu kaloi viti i parë dhe viti i dytë, me asnjë rënie në lidhjen tonë. Çdo ditë e më shumë e dashuroja, e zbuloja, dëshiroja që të ishte vetëm imja. Kur festuam përvjetorin e tretë, nisa të ndihesha më i qetë. Tashmë, Alisa ishte e imja. Ajo ishte gruaja ime e ardhshme, nëna e fëmijëve të mi. Ky mendim që sillja shpesh në mendje më bënte të ndihesha më mirë dhe aspak nervoz. E shihja në krahun tim kur dilnim dhe isha krenar. Ajo ishte dashuria ime, jeta ime.

Sigurisht që shoqëria ime nuk qëndroi pasive ndaj këtij ndryshimi. Të gjithë ata ishin djem beqarë, me të cilët kishim bërë betimin se nuk do të martoheshim asnjëherë, por të ishim gjithnjë beqarë dhe të lumtur. Kur nisa të lidhesha shumë me Alisën ata filluan të më tallnin, të më thoshin se kisha shkelur premtimin. Në fakt edhe i kisha lënë disa gjëra prapa me ta. Nuk shikoja më ndeshjet e futbollit dhe nuk shkoja nëpër festat e tyre të çmendura. Për këtë arsye, atë natë kur më morën në telefon dhe më ftuan të shkoja për një birrë, nuk refuzova dot. Mora Alisën në telefon dhe i thashë që po shkoja të rrija pak me ta. Ajo më tha që do të qëndronte në shtëpi.

Ata ishin mbledhur të gjithë bashkë në një pab të zhurmshëm. Nuk e mbaja mend sa kohë mund të kisha pa qenë në një vend si ai. Bisedat e tyre nisën të më bënin me dhimbje koke. Nuk duroja dot gjithë atë zhurmë.

Të gjithë nisën të më tallnin, të më thoshin se isha bërë si djalë qumështor, që nuk isha më burrë. Sigurisht që unë kundërshtova. Doja t’u tregoja që kisha rënë në dashuri, por asnjëri nuk mund të më kuptonte. S’kishin se si! Ata nuk e kishin provuar asnjëherë këtë gjë.

Por ata nisën të më ngacmonin akoma më shumë. Më thoshin se nuk isha burrë nëse nuk do t’ia dridhja Alisës, se tashmë unë e kisha shtënë në dorë dhe nuk kisha pse të mos bëja qejf me ta.

Në fillim këto mendime më acaruan, por pastaj, kur nisa ta mendoja po i thosha vetes se ishte vërtet ashtu. Alisa ishte e imja. Unë e doja dhe këtë nuk e ndryshonte dot asgjë në botë. Ndoshta vërtet mund të ishte ashtu siç thoshin ata. Unë do ta kaloja jetën time me të dhe kjo do të thoshte që ajo do të ishte femra e vetme e jetës sime të ardhshme.

Ata e kuptuan dyshimin tim dhe nisën të më sfidonin. “Piketuan” një femër në banak dhe më thanë që do të bëja sërish pjesë në grupin e tyre nëse arrija të shkoja me të. Mendova për Alisën. Ajo do të ishte në shtëpi duke fjetur. U ngrita dhe shkova drejt asaj femre. Shokët e mi bënin tifo duke brohoritur dhe duartokitur. Dukeshin qesharakë. E megjithatë, unë u drejtova nga vajza që ishte ulur e vetme.

“Si quhesh?”, e pyeta.

Ajo më pa njëherë me mosbesim, por pastaj më dha dorën dhe më tha emrin e saj. U ula përbri dhe nisa të bisedoja.

Që ta fitoja bastin me ta, më duhej të shkoja me të, por ajo po më thoshte që i duhej të largohej. Ofrova ta shoqëroja me makinë dhe ajo pranoi. Rrugës nisa ta shihja me vëmendje. Akoma nuk e dija nëse doja të shkoja me të apo jo. I afrova dorën tek gjuri, por ajo nuk më kundërshtoi. I propozova të shkonim diku bashkë. Ajo pohoi me kokë, por ishte pikërisht ajo kthesë që mora e cila më kushtoi jetën.

Unë nuk e dija, por atë natë Alisa kishte vendosur të dilte me mamanë e saj. Në një semafor të qytetit, ndërsa unë prisja dritën jeshile dhe fërkoja këmbët e së panjohurës krah meje, në makinën ngjitur Alisa po shihte skenën më të tmerrshme që i kishin parë sytë ndonjëherë. Dhe më e keqja ishte se unë nuk e pashë. Ajo natë kaloi si e turbullt. Pavarësisht se e dija që do të ishte thjesht seks, asgjë nuk më shijoi, asgjë nuk ndjeva. E kuptova që isha treguar një budalla me brirë.

Të nesërmen nuk doja ta takoja Alisën sepse më vinte turp nga vetja, por pas tre ditësh, kur u pamë, ajo më pyeti se ku kisha qenë dhe unë, duke mos ditur asgjë, i thashë se kisha qenë me shokët.

Gjithçka që pasoi atë përgjigje ishte e tmerrshme… fytyra e saj, toni i zërit. Ajo dukej si një njeri i zhgënjyer, i gënjyer. Më thoshte se e gjithë historia jonë kishte qenë një gënjeshtër e madhe. Megjithëse e kundërshtoja, e kuptoja edhe vetë që nuk kisha as të drejtën për të folur, por doja të përpiqesha ta zbusja pak atë, ta qetësoja, ta bëja të më falte… Kur i thashë kështu, ajo zgurdulloi sytë.

“Të të fal? Çfarë të të fal? Nuk e kupton që gjithçka ka mbaruar?!”.

Këto fjalë më tronditën. Nuk kisha fuqi as ta kundërshtoja. Isha i dërrmuar. Më mirë të më vriste.

Ditët e para pas asaj që ndodhi, më mbante shpresa se Alisës do t’i kalonte inati me kalimin e kohës, por ka kaluar një javë dhe unë tashmë jam i bindur se e kam humbur, se kam bërë budallallëkun më të madh, i cili më kushtoi shumë… Kam humbur gjënë më të shtrenjtë që kisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *