Jam një qytetar nga Tirana, rreth moshës 50 vjeç. Para disa ditësh bëra analizat dhe më doli diabeti 1.80-220. M’u duk sikur ishte fundi i botës. Unë kam bërë jetë të rregullt, pa abuzuar në asnjë drejtim. Desha të di çfarë e shkakton, si mund ta kuroj pa ilaçe dhe çfarë duhet të përdor për të ngrënë? Nuk kam vuajtur nga asnjë sëmundje dhe nuk kam marrë asnjëherë ilaçe. Me nderime, Lida.

Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekesore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- E nderuar znj. Lida, e lexova me vëmendje pyetjen tuaj dhe që në fillim kuptova që e keni përjetuar keq nga ana emocione një lajm të tillë. Që në krye të herës, dua të them që diabeti nuk është motiv për t’u mërzitur as për t’u lumturuar gjithashtu, por është një shtysë me shumë për të vazhduar me rregullsinë dhe stilin e jetës suaj. Kjo sëmundje ka në bazë të mjekimit 3 kollona bazë: dietën, aktivitetin fizik dhe mjekimet. Siç kuptohet, dy të parat kanë të bëjnë me modifikime të aktiviteteve tuaja të përditshme që do të thotë të ushqeheni me më pak kalori dhe të lëvizni më shumë.

– Diabeti është sëmundje kronike dhe, si çdo sëmundje kronike, duhet marrë seriozisht. Për këtë, së pari duhet të informoheni shumë mirë rreth kësaj sëmundjeje dhe kujdesit të veçantë që ajo kërkon. Nëse mjekohet në kohë dhe jua mban sheqerin në gjak në vlera të afërta me normën e lejuar, keni shumë shanse për një bashkëjetesë të mirë me këtë sëmundje, por nëse ju nuk e mbani në ekuilibër gjatë gjithë kohës nivelin e sheqerit në trupin tuaj, atëhere kjo sëmundje krijon shumë dëmtime dhe komplikacione për organizmin dhe jetën tuaj.

– Me sa më referoni, vlerat e para e konfirmojnë që ju vuani nga kjo sëmundje, por për fat, këto vlera nuk janë aq të larta sa të shqetësoheni kaq shumë e aq më tepër që ato nuk reflektojnë ndonjë akumulim afatgjatë të sheqerit, por janë vetëm disa vlera momentale. Nuk duhet të harrojmë që diabeti është sëmundje tinëzare dhe e paparashikueshme, në sensin që, edhe pse mund të kemi vlera pak më shumë se norma në ndonjë moment, ato menjëherë çekuilibrohen nëse abuzojmë me ushqimet, alkoolin dhe me stresin. Pyetjes nga se shkaktohet do t’i përgjigjesha që kjo sëmundje nuk ka vetëm një shkak, por është shumëshkakësore. Shkaqet mund të jenë: Gjenetike (trashëgimia ka një rol të rëndësishëm në tejçimin e kësaj sëmundjeje), mbipesha, stresi dhe mungesa e aktivitetit fizik.

– Diabeti mund të jetë i mbivendosur apo i bashkëshoqëruar me sëmundje të tjera. Jo rrallëherë, shumë ilaçe të ndryshme janë faktorë shkaktues të diabetit. Ka shumë klasa dhe grupe medikamentesh për trajtimin e diabetit. Mund të shtoj që kërkimet e shpikjet në këtë fushë janë të shumta dhe në pararojë të shkencave mjekësore, meqë diabeti tani është sëmundje pandemike. Në botë numërohen mbi 300 milion diabetikë dhe, siç e thamë më lart, kjo është sëmundje me kosto të lartë për shkak të komplikacioneve dhe invaliditetit që ajo shkakton. Si përfundim, mjekim për diabetin me bimë dhe barna popullore ka, por kuptohet që efektet e tyre janë të limituara dhe nuk bëjnë për çdo tip diabeti apo vlerë sheqeri. Tipi i mjekimit dhe skema e trajtimit të diabetit varet nga shumë rrethana dhe i përket mjekut përkatës, endokrinologut që do t’ju ndjekë të përcaktojë një strategji të saktë ku të përfshihen edhe këshillat rreth regjimit ushqimor që duhet të mbani për këtë sëmundje. Së fundmi, ju uroj bashkëjetesë të gjatë me këtë sëmundje (djall) të ëmbël në dukje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *