Këtë javë kemi hapur një rubrikë ku u japim përgjigje letrave që kanë ardhur në redaksi për stilisten tonë Afërdita Shehi:
Afërdita Shehi, styling designer, tel 0696251762
1.Me çfarë mund t’i vesh streçet dhe të dukem bukur?
– Tani, streçet janë rikthyer përsëri në modë. Ato ngjajnë më shumë si pantallona të ngjitura pas trupit dhe vijnë me coha të ndryshme, që nga lëkura, deri te kashmiri. Ja çfarë ju këshilloj unë:
– Rregulli kryesor për streçet është se duhet t’i vishni me një bluzë të gjatë që të mbulohen të pasmet. Sado e dobët të jeni, thjesht, nuk dukeni mirë me bluzë të shkurtër.
– Mënyrat e veshjes së streçeve: me një bluzë të gjatë, triko dhe çizme ose një pulovër e gjatë dhe çizme të sheshta, ose me një fustan të shkurtër dhe këpucë me taka.
– Sigurohuni të jenë të trasha dhe opake, mos i zgjidhni si çorape.
– Ngjyra më e mirë është e zeza. Nuk ka vend për të rrezikuar!
– Të brendshmet që vishni, janë të rëndësishme. Më mirë vishni mbathje apo tanga të holla, që rrinë pas trupit.
2. Në fillim, nuk më pëlqenin fare çizmet me qafë të shkurtër. Tani kanë filluar të më pëlqejnë disa prej tyre, por kam frikë se mos dalin jashtë mode. Ju, çfarë më këshilloni që të dukem bukur?
– Së pari, është mirë kur dëgjon dikë të pranojë gabimin e vet. Nuk është e thënë të kesh gjithmonë të drejtë, madje nga gabimet, njeriu mëson. Stili dhe shijet ndryshojnë nga viti në vit dhe nganjëherë, duhet më shumë se një sezon ose dy që moda e re të vishet edhe nga njerëzit “realë” dhe jo vetëm nga modelet dhe të famshmet. Përsa i përket modës, nuk e merr vesh kurrë çfarë do të jetë e modës këtë vit dhe çfarë do të dalë nga moda. Kur ngjyrat metalike ishin në kulmin e modës para dy vjetësh, një shoqja ime më pyeti nëse do të blija diçka të tillë. Unë iu përgjigja se jo, pasi ato kishin qenë në modë nja dy sezone dhe kishte mundësi të dilnin shpejt nga moda. E kisha gabim; këto ngjyra janë ende në modë, prandaj mund të them se të gjithë bëjmë gabime në këtë fushë. Çizmet me qafë të shkurtër janë shumë në modë sivjet. Nëse ke ndërmend të blesh, zgjidh një palë klasike, jo shumë moderne, të skajshme ose shumë të shtrenjta. Bli diçka që e di se do ta veshësh, që shkon me jetën që bën dhe stilin e garderobës tënde. Zgjidh ngjyrën e zezë ose ndonjë tjetër neutrale (të tjerave që janë mësuar të veshin çizme të shkurtra, u sugjeroj të jenë më guximtare!). Pasi t’i blesh, mund t’i kombinosh me pantallona të ngushta, fustan ose fund të shkurtër. Mos u shqetëso se çfarë ke thënë vitin e shkuar, askush nuk do të kujtohet për këtë kur të të shohin aq seksi me çizmet e reja!