Shumë pak gra lindin me trupin e përkryer, por edhe ato që janë më me fat në këtë pikë, duan të ndryshojnë diçka në trupin e tyre. Megjithëse shumë gra nuk e pranojnë, të gjitha duan dhe mundohen të jenë sa më të përkryera fizikisht. E dimë që pamja ideale nuk ekziston, megjithatë, krimbi i konkurencës që na mundon të gjithave, na bën të krahasohemi me gratë që na duken të përkryera: Topmodelet, aktoret, këngëtaret dhe njerëz të tjerë të famshëm. Rezultati i një krahasimi të tillë bën që të gjejmë te vetja një mijë defekte.

Si ta luftosh këtë impuls? Thjesht duke e pranuar veten ashtu siç je, me trupin, personalitetin dhe karakteristikat e tjera, që janë unike. Nëse mendon mirë për veten, edhe imazhi që do të projektosh te të tjerët do të jetë fantastik. Kemi pyetur ekspertë të shumtë se si mund të shfrytëzosh trupin që ke për t’u dukur sa më seksi, pa bërë ndryshime të mëdha dhe ja ku është rezultati. Gjëja e parë që duhet të bësh është të identifikosh tipin e trupit që ke. Më pas vër në jetë këshillat tona dhe përgatitu të rrezatosh bukuri dhe sensualitet…

Tipi i parë

Trup me shumë forma

Ke shumë komplekse sepse ke një trup me shumë forma, pra, pak të shëndoshë. Mendo që disa vajza të famshme, si Bionse dhe Skarlet Johanson, kanë bërë që ky lloj trupi të bëhet i dëshirueshëm dhe, përveç kësaj, burrave u pëlqen shumë. Studime të shumta kanë nxjerrë në pah se burrat nuk e kanë problem që gratë të jenë disa kile mbipeshë. Jo më kot shumë gra i nënshtrohen kirurgjisë plastike për të shtuar gjoksin ose të prapmet. Kështu, mendo që ti ke atë që u mungon të tjerave dhe që burrat e vlerësojnë kaq shumë. Përdor shprehje pozitive për të përshkruar trupin tënd, si “me forma” ose “epshor” dhe fillo ta shohësh veten si shumë sensuale.

Çfarë të veshësh?

Fustanet elastike dhe të errëta përvijojnë më shumë siluetën tënde dhe të bëjnë të dukesh bukur. Një mundësi tjetër: Bluzat me dekolte në formë V-je, që tregojnë dekoltenë në mënyrë diskrete. Pastaj nxirre në pah trupin tënd. Nëse rrudh supet ose kryqëzon krahët që trupi yt të duket më i vogël, do të krijosh përshtypjen sikur kërkon falje për formën dhe vëllimin e trupit tënd. Kur e mban trupin me krenari, do të nxjerrësh në pah imazhin dhe praninë tënde.

Kur zhvishesh

Nëse hap ndonjë revistë për meshkuj, do të shohësh se gati të gjitha gratë që dalin në fotografi janë më shumë forma. Është një tip nudoje që i josh dhe për të cilën ata fantazojnë në çdo kohë. Kështu, në vend që ta lodhësh veten duke menduar për celulitin apo që ke gjoks të madh, mendo që shumë burra do të ziheshin për të pasur një grua si ti në shtrat.

Tipi i dytë

Trup me muskuj dhe atletik

Mbase krahët dhe këmbët muzkuloze nuk duken shumë estetike, por nëse mendon për avantazhet që ke duke pasur një trup të tillë, do të shohësh anën pozitive të tij dhe do ta vlerësosh më shumë. Shumë gra bëjnë gabimin që përqendrohen vetëm te pamja e jashtme e trupit, në vend që të mendojnë të jenë sa më të shëndetshme dhe të forta. Trupi i sportisteve është i shkathët e i fortë dhe kjo është diçka e bukur.

Çfarë të veshësh?

Për të nxjerrë në pah këmbët e tua, përdor minifunde e pantallona të shkurtra. Vish bluza me rripa që nxjerrin në pah krahët e modeluar mirë. Nëse preferon një stil më klasik, zgjidh bluza ose fustane me zbukurime, si për shembull pala ose mëngë të gjera. Nga ana tjetër, rripat e trashë i japin trupit tënd një pamje më me forma. Zakonisht, personat atletikë kanë një kurriz më të drejtë dhe kjo nganjëherë krijon përshtypjen e ngurtësisë. Kur të jesh në këmbë duke folur me dikë, mbështete dorën në bel dhe relaksoji supet. Do të dukesh seksi dhe e sigurtë, njëkohësisht.

Kur zhvishesh

Meqë bën palestër, je mësuar të vishesh lehtë (pantallona dhe bluza të shkurtra), pra, ke edhe më shumë kontakt me trupin tënd. Sigurisht, je nga ato gra që fitojnë pikë kur janë lakuriq, sepse ke një imazh me estetik dhe muskujt e tu bien më shumë në sy. Përveç kësaj, fakti që nuk ke tule të tepërta, të bën të mos e fshehësh trupin tënd në shtrat, por të jesh e lirshme.

Tipi i tretë

E hollë dhe e imët

Gratë e imëta, me gjoks të vogël, zakonisht kanë një pamje rinore dhe energjike. Pavarësisht nga mosha që ke, kjo strukturë trupi gjithmonë do të bëjë të dukesh e re. Mikeshat e tua të kanë zili, sepse rrobat të rrinë shumë bukur, por, nëse edhe  kështu nuk të pëlqen vetja, kjo ndodh se do të doje të kishe pak më shumë gjoks. Megjithatë, duhet ta dish se gjoksi i vogël është i përkyer për siluetën që ke, sepse është në pëpjesëtim me pjesën tjetër të trupit.

Çfarë të veshësh?

Për trupin tënd ka disa lloje veshjesh që të bëjnë të dukesh mirë; për shembull, një fund i shkurtër me një bluzë pa tiranda duket shumë mirë te ti dhe shumë vulgar te një vajzë me gjoks të madh. Fustanet mini, gjithashtu të tregojnë mirë, sepse nxjerrin në pah këmbët dhe tërheqin vëmendjen nga busti. Nëse, në vend të pafajësisë do të tregosh autoritet, mbaje trupin drejt, çoji supet mbrapa dhe nxirre gjoksin përpara. Do të dukesh më pak fëmijë dhe më shumë grua.

Kur zhvishesh

Kur të jesh në shtrat me ndonjë djalë, kompleksi yt për gjoksin e vogël nuk do të ketë asnjë kuptim, sepse ti mendon se atyre u pëlqejnë gjinjtë e çdo lloj madhësie dhe forme. Në fakt, seksologët sigurojnë se kënaqësia seksuale nuk varet nga madhësia e gjoksit. Shumë djemve u pëlqen një trup si i yti, sepse delikatesa e tij u duket eksituese. Kështu pra, çlirohu në shtrat dhe shijo seksin.

Tipi i katërt

Trup me ije të gjera

Një studim për lëvizjen e syrit ka treguar se, personave që nuk u pëlqen pamja e tyre, kur shihen në pasqyrë, fiksojnë vetëm pjesët që urrejnë më shumë.  Nëse s’të pëlqejnë ijet e tua sepse të duken shumë të gjera, përqendrohu te një karakteristikë tjetër e trupit që të pëlqen dhe nxirre në pah. Mund të jetë cilado pjesë: Qafa, këmbët, krahët. Pranoji komplimentet që të vijnë nga personat e tjerë, sepse në këtë mënyrë do të nxjerrësh në pah aspektet e tua pozitive. Kur dikush të lavdëron, besoje, riafirmo komentin e tij, shihe veten në pasqyrë dhe binde veten për atë që thonë të tjerët: Ke më shumë cilësi pozitive sesa difekte.

Çfarë të veshësh?

Në këta lloj trupash, gjëja më e rëndësishme është të gjesh veshje dhe aksesorë që ekuilibrojnë figurën tënde. Për të kompensuar ijet e gjera, vish një bluzë me shpatullat jashtë dhe pantallona me këmbë të gjera e ngjyra të errëta që minimizojnë pjesën e poshtme të trupit tënd. Këpucët me taka ngrenë të pasmet nga ana vizuale dhe ecja me trupin drejt bën që supet të duken më të gjera dhe të ekuilibruara me ijet. Për të theksuar sensualitetin tënd, tundi ijet gjatë ecjes. Kështu po i thua tërë botës se të pëlqen trupi yt.

Kur zhvishesh

Hapi i parë që duhet të bësh është të mësohesh me trupin tënd. Shumicës së njerëzve u pëlqen fytyra që kanë, sepse e vështrojnë çdo ditë në pasqyrë dhe do t’u ndodhte e njëjta gjë me trupin, nëse do ta shihnin në të njëjtën mënyrë. Shihu në pasqyrë kur të jesh krejtësisht lakuriq, para ose pas dushit dhe çdo ditë do të të pëlqejë vetja pak më shumë. Edhe burrave u pëlqen një trup i tillë, sepse e shohin si një shenjë pjellorie. Ke nevojë për më shumë të dhëna që të ndjehesh mirë dhe seksi?

Rrobat e brendshme:

1. E imët dhe e hollë: Kompletet me tanga dhe sutjena tip ballkoni krijojnë një figurë delikate dhe shumë joshëse.

2. Më shumë forma. Vish sutjena-korse me ngjyrë të errët dhe mbathje.

3. Ije të gjera. Këmishat e shkurta fshehin këtë pjesë të trupit.

4. Muskuloze dhe sportive. Sutjena të tilla të kominuara me mbathje tip kulotë duken shumë femërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *