E dashur Lorela dua të të përshëndes si fillim se dhe përgjigjet e tua janë po aq të bukura sa edhe ti vetë je. Unë jam një zonjë 42 vjeçe nga rrethinat e Tiranës dhe kam 6 vjet e martuar. Martesa jonë shkonte për bukuri dhe me burrin kuptoheshim mjaft mirë por nuk e di pse ka rreth 6 muaj që bëhet nervoz ose qesh pa e kuptuar arsyen. Më bërtet herë pas here edhe për gjënë më të vogël dhe më pas pendohet e më kërkon falje. I them pse i bën këto dhe më përgjigjet nuk e di as vetë se kuptoj pse-në di vetëm që jam shumë nervoz dhe nuk e kontrolloj dot veten. Ju si ma shpjegoni këtë situatë, çfarë duhet të bëj? Jam shumë e mërzitur nga këto rrethana.

Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:- Përshëndetje e dashur! Të falënderoj për vlerësimin dhe që na ndjek. Këto që ti tregon nuk janë të mjaftueshme për të arritur në një përfundim shumë të saktë dhe të vetëm. Nervozizmi mund të jetë rrjedhojë e shumë arsyeve, faktorëve apo situatave. Ka raste që është shfaqje  e një problemi psikologjik, e një çrregullimi personaliteti, e një situate shumë stresante, e një luhatjeje fizike hormonale. Në radhë  të parë, ti duhet të përpiqesh të komunikosh me të jo duke e akuzuar që pse po sillet në këtë mënyrë por duke u përpjekur për të kuptuar se çfarë e shtyn të shfaqë këtë sjellje. Ka ndodhur ndonjë gjë në jetën tuaj së fundmi që e bën atë të humbasë ekuilibrat dhe të mos jetë i qetë? A ka lidhje kjo ngjarje me ndonjë situatë të pakëndshme që mund t’i ketë ndodhur në mjedisin e punës? A i shfaq këto sjellje që për ty janë problem në mjedise të tjera me persona të tjerë apo vetëm në familje? A ka luhatje të tjera në humor, në mënyrën e të ushqyerit dhe të gjumit?  A vazhdon ai normalisht rutinat e tjera të jetës dhe angazhimet apo ka ndryshime dhe në aspekte të jetës, si psh. mbyllje në vetvete, pakënaqësi, mungesë dëshire për të punuar? A ka ndodhur ndonjë gjë kohët e fundit përpara se të fillonte të shfaqje këtë nervozizëm dhe këto sjellje, pra a mendon se mund të ketë ndonjë ngjarje që i paraprin këtyre ndryshimeve sjellore? Të gjitha këto pyetje nuk janë rastësore, përkundrazi. Për të kuptuar arsyet se pse dikush shfaq disa elementë të caktuar problematikë sjelljeje, duhet pasur sa më shumë informacion, të cilin unë tani nuk e kam, por ti me siguri di t’i kthesh përgjigje shumicës së këtyre çështjeve. Fillimisht, mund të ndihmosh bashkëshortin të shprehet për të gjitha këto dhe më pas ta nxisësh për të kryer veprimtari e aktivitete të thjeshta, ecje apo shëtitje. Aktiviteti fizik është një nga qetësuesit më të mirë të stresit, nervozizmit dhe energjive negative. Në vazhdim, ti do të shohësh vetë si qëndron situata dhe  nëse bëhet fjalë për një situatë kalimtare apo problemi i ka rrënjët më të thella. Në rast se kjo situatë vazhdon apo përkeqësohet apo ti nuk arrin të zbulosh shkakun që sjell këtë nervozizëm, mund të jetë rasti për t’iu drejtuar profesionistit përkatës. Uroj të kemi ardhur në ndihmë! Gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *