Deti dhe ish-e dashura

– Në ëndërr isha ulur në kafene me një të afërmin tim, ndërsa ish-e dashura, me një të afërmin e saj. Ishim ulur në një tavolinë dhe kishim marrë nga një pije me ngjyra, kurse përballë kishim detin, që dukej shumë bukur. Uji ishte i qetë dhe me ngjyrë blu të theksuar. Ish-e dashura më dukej më e bukur se kurrë, shkëlqente e gjitha dhe e transmetonte këtë gjë edhe tek unë. Bisedonim për emigracionin, pasi ajo kishte ardhur këto ditë që andej, por u surprizuam pasi kishim jetuar në të njëjtin qytet. Atmosfera e bisedës ishte shumë e ngrohtë, emocionuese dhe shumë miqësore. Nga një zotëri.

Ëndrra juaj transmeton dhe parashikon situata pozitive në jetën tuaj, edhe pse momentalisht, jeni shumë melankolik dhe keni shumë nostalgji për të kaluarën. Jeni pak i trishtuar, por kjo do të kalojë shumë shpejt, gjithmonë nëse ju i lejoni vetes të shijoni ato çfarë jeta ju ofron momentalisht. Keni një jetë të mirë përgjithësisht dhe e ardhmja duket e qetë, ashtu si deti i bukur që keni parë. Keni nevojë për shumë dashuri e ngrohtësi, por këtë gjë nuk mund ta gjeni nëse rrini i mbyllur në vetvete dhe në guackën e së shkuarës. Nëse do të dilni nga kjo gjendje, ju presin surpriza të bukura, ndoshta edhe të ardhura nga e kaluara, por që do të prezantohen si diçka e re në jetën tuaj dhe që do t’ju bëjë të kaloni momente shumë emocionuese e pozitive. Është në dorën tuaj, gjithçka.

Rrëzim kulle

– Ju lutem, astrologe, më shpjegoni një ëndërr që e kam parë para disa ditësh. Çfarë është kur sheh sikur rrëzohet një ndërtesë si kullë? Ishin dy të tilla, por vetëm njëra ra, u rrëzua. Ishin shumë larg meje, por unë isha e para që e pashë që po rrëzohej. Kur shkuam afër ndërtesës, aty po bënin përgatitjet për të festuar diçka. Ju faleminderit. Bina.

– Ëndrra juaj tregon që ju po kaloni një moment mosbesimi ndaj vetes dhe të ardhmes suaj. I keni humbur shpresat për disa gjëra dhe morali juaj këto kohë është përtokë fare. Keni nevojë të reagoni, të zgjoheni nga ky lloj pesimizmi ku keni rënë. Edhe pse ju keni parë kulla, ato në ëndërr personifikojnë shtëpinë, shprehin personalitetin tuaj, karakterin, siguri për familjen dhe fakti që ajo shembet në ëndërr, kjo tregon një dëshirë tuajën e cila është rrëzuar dhe e shikoni të parealizueshme. Kullat gjithashtu përfaqësojnë një realitet rreth të ardhurave tuaja, te të cilat ju shikoni një rënie të papritur, por kjo s’do të thotë të demoralizoheni në këtë mënyrë sepse ëndrra tregon që keni ende shpresa. Fakti që ju nuk u rrezikuat nga rënia e tyre, më bën të kuptoj që keni mundësi të merrni në dorë frerët e jetës suaj. Përgatitja e festës, tregon pikërisht aftësitë që keni për të kaluar të gjithë këtë situatë të vështirë që po përjetoni. Do t’ju jepen shumë mundësi të mira sepse festa parashikon fat të mbarë për të ardhmen dhe ju s’e keni larg këtë gjë. Mjafton të zgjoheni e ta merrni veten me të mira.

Dëborë

– U bënë disa ditë që shikoj vetëm dëborë në ëndërr dhe sikur loz, sikur shtrihem, etj. A mund të më thoni kuptimin e saj? Faleminderit. Nora.

– Përshëndetje! Ajo çfarë keni shkruar është shumë e shkurtër, bora në ëndërr është përgjithësisht simbol i ftohtësisë dhe shpesh, shpreh vetminë e ankthin që zotëron tek ëndërruesi. Është një ëndërr që shikohet shpesh nga ata persona që po kalojnë probleme në jetën e tyre ose ndihen thjesht të vetmuar dhe kanë nevojë për ngrohtësi. Gjithsesi, ju keni parë duke luajtur me dëborë dhe kjo është gjë e mirë; do të thotë që ju dini si të dilni nga vetmia, dini të lozni dhe t’i gëzoheni qoftë edhe vogëlsirave, edhe pse shpesh bini në trishtim. Bora, veç të tjerave, tregon një lloj pastërtie që e karakterizon atë që e shikon. Jeni shumë e pastër në shpirt dhe pretedoni që edhe të tjerët të jenë kështu me ju, por e dashur, jo gjithmonë ndodh kështu. Ndoshta edhe për këtë arsye ju trishtoheni shumë lehtë. Megjithatë, është pozitive që ju vazhdoni të qeshni dhe dini të dilni nga çdo lloj situate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *