Brumë buke

Ju falënderoj për shpjegimin e ëndrrave pasi unë besoj shumë te mesazhi i tyre. Sot pashë në ëndërr sikur do të nisesha për diku dhe shkova te një furrë buke që të blija bukë dhe ta merrja me vete, por bukët nuk ishin pjekur akoma dhe unë pashë tavat me brumë të fryrë. Te disa tava, brumi ishte derdhur. Ç’do të thotë?

– I nderuar lexues! Faleminderit që na keni shkruar. Ëndrra juaj tregon që do t’ju jepet mundësia të realizoni projektet tuaja, edhe pse do të t’ju duhet të lodheni shumë. Gjithsesi, në fund do të ndiheni i kenaqur sepse do të ndihmoni veten dhe njerëzit që ju rrethojnë. Thjesht, duhet të keni kurajo që të ecni përpara. Ky është edhe mesazhi i ëndrrës tuaj. Paçi fat!

Ujë

– Kam parë këtë ëndërr: Unë mbaja në dorë një gotë me ujë shumë të pastër dhe i thosha ish-të dashurit tim: “Merre ujin”. Ai qeshte. Më pas filloi ta pinte. Ai më zuri përdore e po ecnim në një rrugicë nga shkolla jonë. Unë e pyesja se pse u ndamë pa më thënë asgjë dhe ai më tha: “Lëre fare!” 18 vjeçarja

– E nderuar 18 vjeçare! Ju nuk e keni harruar akoma ish-të dashurin tuaj, prandaj edhe e shikoni në ëndërr. Jeni shumë e pastër për të qenë në krah të tij. Shkak i ndarjes ka qenë ish-i dashuri juaj dhe jo ju. Gota me ujë të pastër që mbani ju në ëndërr, tregon që ju keni qenë shumë e sinqertë dhe e pastër karshi tij. Përveçse ka përfituar nga dlirësia juaj, ai gjithashtu ka mësuar shumë nga ju. Për këtë arsye, ai është penduar, por e ka të vështirë të rikthehet përsëri te ju, sepse ndihet fajtor. Në fakt, mirë do bëjë të mos kthehet, sepse nuk ka ndryshuar. Ju bëni mirë të shikoni përpara, sepse më mirë do jetë për ju. Qofshi mirë!

Çelësa

– Kam parë në ëndërr sikur më kishin humbur çelësat e shtëpisë dhe i gjeta të katër bashkë. Ç’do të thotë?

– Çelësat në ëndërr kanë shumë kuptime. Megjithatë, në ëndrrën tuaj ato tregojnë që ndiheni i turbulluar dhe i paaftë për të zgjidhur problemet që ju dalin përpara. Herë pas here kërkoni ndihmën e të tjerëve, por atë çfarë kërkoni do ta gjeni vetë, pa ndihmën e askujt. Fakti që i keni gjetur çelësat, do të thotë që gjithçka do të shkojë shumë mirë për ju. Paçi fat!

Makinë e kuqe

– Pashë në ëndërr sikur dola për pazar. Isha vetëm dhe po më ndiqte ish-i dashuri me një makinë të kuqe, siç më pëlqen mua. Ç’kuptim ka ëndrra ime? Ani.

– E dashur Ani! Ëndrra tregon që ju jeni akoma shumë e dashuruar pas tij dhe ëndërroni që ajo që ju ka dalë në ëndërr, të ndodhë me të vërtetë; ai t’ju ndjekë nga pas. Fatkeqësisht, më duhet t’ju them se kjo gjë nuk do të ndodhë më, apo më mirë të them, ëndrra nuk e parashikon një gjë të tillë. Jeta është kaq e shkurtër, sa është humbje kohe të mendosh për të kaluarën. Jetoni të tashmen dhe të ardhmen, pa e menduar aspak atë djalë dhe keni për të parë që do të ndiheni më e qetë. Ju uroj fat!

Filxhan

– Pashë në ëndërr sikur poshtë bangës time gjeta një filxhan të kthyer përmbys. Unë nuk shoh kurrë fall, ndaj pyeta shoqen time: “I kujt është?”. “I yti”, më tha ajo. E mora dhe e pashë filxhanin nga fundi deri në fillim. Ishte një rrugë shumë e bukur dhe kishte pamje shumë të bukura…

– Filxhani në vetvete në ëndërr përfaqëson emocionet tuaja, besimin në vetvete dhe kapacitetin për të përballuar me qetësi rrjedhën e jetës ashtu siç ju vjen. Në fakt, falë këtij karakteri do t’ju ecë shumë mbarë. Mjafton që të mos ndryshoni, por të jeni kështu siç jeni tani. Gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *