Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
Edhe ti mund të bësh joga!
U rilargova nga vendi im për të mbyllur plagët e së shkuarës
Sekretet e bukurisë nëpër botë

U rilargova nga vendi im për të mbyllur plagët e së shkuarës


Ditët e kaluara me shpresën se njeriu që ti dashuron do të të pëlqejë menjëherë sa të të shikojë, është ankthi më i bukur në jetën e një vajze. Unë që do t’ju tregoj një histori të bukur të jetës sime për të cilën kam nostalgji edhe sot. Quhem Aida dhe më parë kam jetuar në një zonë të Shqipërisë jugore. Prindërit e mi, duke qenë të dy me arsim të lartë për mësuesi, kanë punuar në gjimnazin e shkollës ku mësoja unë. Isha në vitin e tretë kur në oborrin e shkollës pashë një djalë të bukur, me trup shumë sportiv, tepër i rregullt në veshje e me shumë shije. Sa e pashë, një dridhje më mpiu, por u ndjeva aq keq kur teksa bisedonte me një mësues në shkollën tonë, për gati 10 minuta, nuk guxoi të m’i hidhte asnjëherë sytë, që unë ia kisha ngulur dhe kisha fillur t’i kërkoja me ngulm. Nuk isha e shëmtuar, por ishte shëndeti im i tepërt ndoshta që e pengoi atë djalë të më shihte. Për fat, mësuesi që bisedonte më thërriti dhe më tha ta shoqëroja këtë djalë deri te profesor Petriti. Sa me fat m’u duk vetja! Me emocion ngjisja shkallët, e magjepsur nga pamja e atij djaloshi që më mbeti në mendje për katër muaj rresht, deri ditën kur do ta shihja për herë të dytë. Kur erdhi, ishte fillimi im në vitin e katërt dhe prindërit kishin menduar që bursën për studime të ma merrnin në Milano, ku unë kisha edhe dajot, por deri në ato momente mua më dukej paksa e largët ëndrra e Juridikut dhe sidomos, studimet në një shtet të huaj. Isha aq e turbulluar… Isha informuar për atë djalin që e kisha parë veç një herë dhe më thanë se ishte nga qyteti i Elbasanit, për shumë vjet, emigrant në Angli. Quhej Luis dhe ishte veç 25 vjeç. Sa i bukur m’u duk ai emër! Më dukej si idhulli im dhe nisa të nënvlerësoja veten… Mendoja se ai kurrë s’do të m’i hidhte sytë mua, një “trashaluqeje me faqe të kuqe”, siç më quante motra ime e vogël.

Edhe pse nuk i kushtoja rëndësi pamjes, vlerat e mia si individ në shoqëri dhe shkollë ishin të kompletuara për faktin se isha një nxënëse-shembull, madje në orët kur mungonin mësuesit, isha e zonja t’ua shpjegoja mësimin nxënësve të klasave më të vogla, sidomos atyre të fillores. Mësuesinë e kisha në gjak nga prindërit e mi, por ata asnjëherë nuk më inkurajuan që unë të vazhdoja rrugën e tyre. Në shtator të vitit 2001, kur isha në përfundim të vitit të katërt, Luisi erdhi sërish të takonte drejtorin e shkollës, Petrin, i cili kishte djalin në Angli, për fat të keq, pa dokumente, ndaj ata mbanin lidhje me anë të Luisit. Sa e pashë, ngriva e tëra. Besoj se ka shumë personave u ka ndodhur që sa kanë parë një vajzë ose djalë, t’i kenë thënë vetes: “Duhet të luftoj për të patur atë që ëndërroj”, por beteja ime ishte e heshtur, me sulm, tërheqje dhe në fund, viktimë mbetej shpirti që, i dërrmuar nga ankthi e pavendosmëria, rrinte akoma në sulm për të pritur reagimin e jashtëm nga personi që e sundonte. Kështu mbeti shpirti im duke kërkuar sytë e Luisit deri në momentin kur u prezantova dhe i dhashë të njohur duke pyetur për djalin e profesor Petritit, si për të hyrë në muhabet.

Advertisement

Kjo gjë, nga njëra anë më ndihmoi, pasi u afrova të dëgjoja zërin e Luisit, ta pyesja teksa më dridhej zëri dhe të shihja me pasion buzët tek fliste, por pa e patur mendjen tek ato që thoshte. Verbëria ime shkonte deri atje sa isha budallepsur dhe nuk ia shkëpusja sytë, edhe pse përgjigjja e dhënë prej tij kishte mbaruar prej disa minutash. Luisi mendoi se mos isha e dashura e shokut të tij, pa ma shprehur këtë, por nga ana tjetër, nga stepja ime mendoi atë që do më thoshte disa vite më pas, se mos isha ndonjë simpatizante e tij, gjë të cilën e kishte kuptuar.

Pas një viti, do të nisesha për të vazhduar studimet në Itali dhe po bëja përgatitjet e fundit për t’u larguar larg vendit. Luisin nuk e kisha parë dhe shpresat nuk i kisha humbur se një ditë do ta shihja për t’i shprehur ndjenjat e mia që nuk ishin venitur akoma, pasi deri atëhere, asnjë mashkull nuk m’i kishte zgjuar ndjenjat si femër.

Ishte 13 shtator 2002. Ishin minutat e fundit para se të hipja në avion, kur pashë Luisin. Mendova se më gënjenin sytë, por jo, ai ishte atje. Nuk e përballova dot dëshirën për t’i dhënë të njohur, por as ai nuk më kishte harruar aq shpejt. Më tha se do të nisej për në Itali te vëllai i tij më i madh pasi kishte patur një problem shëndetësor dhe ndodhej në spital prej një muaji. Sa shumë u gëzova që ai po vinte në Itali, pikërisht me avionin ku isha unë dhe ne do të shkonim në të njëjtin qytet! U nisëm të dy në atë hapësirë ku zemra ime rrihte fort nga gëzimi, ndërsa Luisit as që mund t’i shkonte në mendje për mua. Vazhdoja të ëndërroja në atë hapësirë të madhe, pasi fshiva lotët e ndarjes nga prindërit dhe motra. Nuk ishim pranë njëri-tjetrit në avion, por ideja se ai ndodhej diku aty afër meje, brenda avionit ku unë kisha marrë krahë për fillimin e një të ardhmeje të re, më bënin udhëtaren më të lumtur. Udhëtimi zgjati një orë e gjysëm derisa zbrita atje ku më prisinin dajot, por para se t’i takoja, prita të zbriste edhe Luisi. Udhëtimin nga avioni deri në dalje të aeroportit e bëmë bashkë dhe shkëmbyem disa fjalë në lidhje me punën e shkollën. Aty mësova se në Angli Luisi punonte dhe vazhdonte shkollën mekanike për inxhinier. Ishte e disata herë që vinte në Itali tek i vëllai, ndërsa më vuri në dijeni se vëllai i tij nuk banonte shumë larg dajove të mi. Sa më pëlqeu ky sqarim! M’u duk sikur me atë sqarim, ai donte të më vinte në dijeni se nuk ishte shumë larg meje.

U ndamë dhe unë shkova në shtëpinë e dajove të mi, por m’u desh vetëm një javë për t’u ambientuar në atë vend dhe për të kërkuar shtëpinë ku mund të gjeja Luisin. Shkova në lagjen periferike ku ndodhej vëllai i tij. E gjeta me pak vështirësi, por në librin e numëratorëve kisha gjetur një numër shtëpie, i cili më ndihmoi shumë. Luisi u habit dhe doli të më priste në një stacion autobusi, me makinën e vëllait. Para se të vinim në shtëpi, më pyeti se përse e kisha kërkuar. I thashë se ai ishte i vetmi person që njihja në atë vend. Qeshi dhe më ofroi një kafe. U futëm në një lokal. Unë e shihja në sy Luisin dhe buzëqeshja, ndërsa ai, me një kulturë për t’u patur zili dhe një pamje që sa vinte e më mahniste, më tha:

– Që në fillim kam fiksuar shikimin tënd, kur ishe në gjimnaz. Më bëri përshtypje edhe gëzimi që shfaqe kur më pe në aeroport. Ai shikim më la të kuptoja shumë gjëra. Pastaj, ardhja jote këtu për të më takuar më ngjall kuriozitetin për ty… Djali i Petritit të njihte dhe më ka folur mirë për ty e për familjen tënde. Nëse ti ndjen diçka për mua…

Këto ishin fjalët e Luisit, ndërsa unë i kapa dorën dhe, duke e parë drejt e në sy, i thashë:

– Nëse ti ndjen diçka në këtë moment, unë një ndjenjë të tillë e kam ndjerë që në momentin kur të kam parë, në qershor të vitit 2001…

Nisa t’i flisja për ato ndjenja. U ndjeva mirë që Luisi dinte diçka, ndërsa isha në dilemë nëse duhet ta pyesja se si i dukesha para dy vjetësh, kur më kishte parë. Ai, pa ngurruar, më tha se një femër e zgjuar di t’i fshehë difektet e trupit me gjestet e saj të kulturuara. Pamja ime, pas 2 vjetësh, kishte pësuar ndryshim dhe kjo për shkak të rënies në dashuri me Luisin, një ndjenjë e thellë që më kishte gërryer me ankth dhe merak se mos ndoshta një ditë do ta shihja të shoqëruar me një vajzë tjetër. Tashmë, ndodhesha përballë një dashurie e cila vazhdoi gati dy vjet. Unë nisa Juridikun dhe i mbaja lidhjet me Luisin, i cili pas mbarimit të vitit të fundit, donte të kthehej në Itali, pasi isha dhe unë aty afër, por kjo nuk ndodhi për shkak të dokumnetacionit, siç ishte justifikuar disa herë ai. Kjo nuk ishte e vërtetë, pasi ne nuk u pamë për 1 vit rresht dhe kjo, për faj të Luisit, i cili kisha zbuluar se mbante lidhje intime me nje grua të pasur e cila i siguronte të ardhura të mjaftueshme për shkollën dhe udhëtimet që kishte bërë gjatë kohës që ishte i lidhur me mua. Nuk e di pse rashë aq shumë moralisht sa humba vitin e tretë të Juridikut duke iu rikthyer provimeve edhe një herë. Doja të fshija nga kujtesa pushimet që kishim bërë në Palermo të Italisë, në Londër, Zvicër dhe shumë qytete të tjera, ku kishim qëndruar për ditë me radhë si të dashuruar. Nuk e ngrita telefonin e Luisit për një muaj rresht pasi dija gjithçka dhe ai, pas disa tentativave, nuk më shqetësoi, gjë që tregonte se ndarja jonë ishte bërë me nënshkrimin e një marrëveshjeje të heshtur.

Shumë shpejt e mora veten, mbarova shkollën dhe mbrojta masterin për dy vjet të tjera. M’u ofrua punësim në shtetin italian, por mendova të rikthehesha te prindërit e mi që ishin zhvendosur në Tiranë, për shkak se motra vazhdonte studimet për Mjekësi. U riktheva me plot ëndrra dhe gjatë kësaj kohe kisha patur aventura, por mendja dhe shpirti im, kur i rikthehesha dashurisë së vërtetë, ndalonte te sytë e Luisit…

Për fat të keq, e takova rastësisht vitin e shkuar në shtator, në zyrat e një prej institucioneve të ndërvarura nga Ministria e Punës ku kisha paraqitur CV-në time për punë, gjë të cilën e kishte bërë edhe Luisi, si inxhiner. Këtë e kuptova një dokumentet që mbante në dorë… Sa keq u ndjeva! Ai më foli, por unë i thashë se ishte më mirë të ndaheshim, ashtu siç kishim bërë në fund të lidhjes sonë, pa sqarime; nuk kish më kuptim të justifikonim njëri-tjetrin. Sot ndodhem në Milano, jam në një zyrë avokatie si përkthyese dhe asistente. U largova nga vendi im për të mos hapur plagët e një të shkuare, ku qe një dashuri e pastër, që shpesh e lexoj në romanet e Balzakut, duke mbetur ithtarja e tyre dhe e Daniel Stillit, një shkrimtare e re ku gjej vetveten.Aida

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Edhe ti mund të bësh joga!

Next Post

Sekretet e bukurisë nëpër botë

Advertisement