Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

U prisha me shoqen, se i thashë të vërtetën


Duke marë shkas nga një histori që lexova në gazetën “Intervista”, vendosa edhe unë të tregoj një histori që më ka ndodhur. Po e shkruaj përvojën time jo vetëm për të ndarë eksperiencën që kam kaluar, por edhe për të treguar se qëllimet e mira jo përherë mjaftojnë. Unë u përpoqa të tregohesha e drejtë, por ja që u ndëshkova për këtë. Po e nis që nga fillimi, duke ju treguar pak për veten time…

Unë jam 35 vjeçe, e martuar dhe kam një vajzë. Për 10 vjet kam punuar në një fabrikë italiane këpucësh ku shumica janë gra shqiptare të punësuara. Që në fillim, kur fillova punë, u njoha me një zonjë që më mbajti shumë afër. Më fliste gjithmonë dhe më jepte këshilla, si përsa i përket profesionit, ashtu edhe në lidhje më marrëdhëniet që duhet të vendosja me kolegët. E mbaj mend si sot që më thonte se duhet të tregohesha korrekte dhe se nuk duhet të kisha shumë shoqëri të hapur sespe nuk ishte gjë e mirë. Duke qenë se unë isha disi naive dhe i flisja për veten time, më thonte që të tregohesha më e rezervuar sepse kolegëve të punës nuk i hynte në punë ç’bëja kur dilja nga puna. Në përgjithësi, i merrja me pozitivitet këshillat e saj sepse e dija që ajo ishte dashamirëse ndaj meje. Ajo kishte moshën e nënës sime dhe më trajtonte me shumë dashamirësi. Kur kisha rreth 4 vjet që kisha filluar punë, erdhi në punë një vajzë e re. E kisha pasur në shkollë në gjimnaz. Nuk e njihja nga afër, por si fytyrë e mbaja mend mirë dhe kishim pothuajse shoqëri të përbashkët. Edhe ajo më dha të njohur. U përpoqa ta mbaja afër, sepse dihet që kur shkon në një ambient të ri pune, të pakët janë ata që të trajtojnë me dashamirësi e të mbajnë afër. Më dukej se ishte tipi im dhe më pëlqente shoqëria me të. Me kalimin e kohës u bëmë shoqe gjithnjë e më të afërta. Rrinim bashkë jo vetëm në punë, por edhe jashtë pune. Në atë kohë, unë isha e fejuar, ndërsa B. kishte një të dashur. I prezantova B.-së të fejuarin dhe ajo më prezantoi të dashurin. Dilnim ndonjëherë të katërt dhe ia kalonim mirë se ishim edhe natyra të ngjashme. Me pak fjalë, zumë shumë miqësi.

Advertisement

Në dasmën tonë ata ishin miqtë më të afërt, madje pothuajse të gjitha organizimet e dasmës i kam bërë bashkë me B-në. Ajo më shoqëronte ngado, si për të zgjedhur fustanin e nusërisë, si edhe për të prenontuar lokalin. Brenda disa vitesh u lidhëm shumë me njëra-tjetrën. U bëmë shoqe aq të ngushta sa dhe ta kishim kaluar të gjithë jetën bashkë, nuk do t’i kishim kaluar të gjitha ato gjëra. Unë mbeta shtatzënë me vajzën dhe ndërkohë, ajo uu fejua me të dashurin e saj, ndërsa miqësia jonë vazhdonte të ishte e fortë.

Një ditë, shkova tek estetisja që kam poshtë pallatit dhe gjeta dy vajza që bënin muhabet me njëra-tjetrën e vetëm qeshnin. Njëra tregonte për të dashurin e vet që, rastësisht, kishte emrin e të fejuarit të B-së. Nuk ishte vetëm kjo, kishte edhe mjaft gjëra të tjera të përbashkëta me të fejuarin e B-së, aq sa pas një ore që dëgjoja bisedat e tyre, u binda se i dashuri i asaj vajzës ishte i fejuari i B-së. Nuk doja ta besoja. Kjo vajza foli edhe në telefon me të dhe ai i tha se po vinte ta merrte me makinë, nuk i rezistova dot kuriozitetit dhe dola nga parukeria me një justifikim koti, që të shikoja nëse ishte vërtet ai tek i cili dyshoja. Dyshimi im nuk kishte qenë i kotë. Ajo hipi në makinën e atij që unë e njihja mirë. Në atë moment do të kisha dashur t’i dilja përpara dhe të shikoja reagimin e tij, por ishte e pamundur. U bëra keq, sikur të kishte qenë burri im. Më rrihte zemra fort dhe më merrej fryma. Mezi prita sa shkova në shtëpi e i thashë burrit se çfarë kisha mësuar. Më rrinte mendja gjatë gjithë kohës te shoqja ime që po përgatitej të martohej me një burrë që e tradhtonte. Për momentin, vendosa të mos i thoja gjë B-së. Kur ra muhabeti me këtë zonjën që më mbante afër në punë, i mora mendim se si do të vepronte ajo nëse do të kishte marrë vesh se burri im kishte dashnore. Ajo ma preu shkurt se nuk do të ndërhynte në jetën familjare të askujt, qoftë edhe të miqve të saj.

Të nesërmen, kur shkova në punë, e hapa si natyrshëm bisedën me shoqen. I thashë se nëse ajo do ta kishte parë burrin tim të më tradhtonmte, unë do të doja që të ma tregonte. Edhe ajo më tha të njëjtën gjë, ndaj unë mora zemër dhe i thashë ato çka dija. Ajo u mërzit shumë dhe filloi të qante. Më dhimbte shpirti për të, por ishte më mirë ta merrte vesh para se të martohej se kush ishte ai që kishte në krah. Në ato momente, nuk ma mori mendja se të nesërmen ajo do të shndërrohej në një njeri tjetër. Erdhi në punë dhe më tha se kishte biseduar me të fejuarin dhe ai i kishte thënë se e kishte vetëm shoqe atë gocën. Më tha se i besonte të fejuarit dhe më akuzonte se i kisha futur në sherr. U ndjeva shumë keq për këtë gjë dhe me të vërtetë nuk e prisja atë reagim të saj. Sado që dashuria mund të verbojë, njeriu duhet të jetë i aftë t’i kuptojë disa gjëra. Shkova dhe e bisedova menjëherë me bashkëshortin tim në shtëpi këtë gjë dhe ai më tha se kisha vepruar gabim që i kisha treguar të vërtetën, por unë gjithmonë kisha menduar si për veten time që do të doja ta dija dhe ta shpëtoja nga ai njeri i cili e tradhtonte dhe ajo të ishte e lirë të zgjidhte dikë tjetër, që e respektonte me të vërtetë.

Që nga ajo ditë, nuk flasim. Ajo, bashkë me të fejuarin e saj u martuan dhe tani kanë edhe një vajzë. Ai përsëri e tradhton pasi kam dëgjuar përsëri vajzën që e pashë tek estetistja të flasë për atë, që tani është bashkëshorti i shoqes sime. Ja, pra, kështu u prisha unë me shoqen e ngushtë, vetëm se vendosa t’i tregoja të vërtetën.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon..!

Next Post

Ditari i një prostitute shqiptare në Greqi (2)

Advertisement