Marko Caka është nga Shkodra por jeton në SHBA. Ai jetoi për shumë vite në Greqi ku punoi si gazetar dhe më pas udhëtoi drejt tokës së premtuar për t’u bërë një nga emrat më të njohur në Hollivud duke marrë role pranë aktorëve më të njohur në botë. Ai në këtë intervistë na tregon pak nga të gjitha, sepse edhe e kemi pyetur pak për të gjitha!

Fabjola Kuburi:- Marko, ti njihesh në të gjithë botën tashmë si aktor i suksesshëm hollivudian. Si nisi gjithçka, dhe a ka qenë e lehtë për ty?
Marko Caka:- Po, mund të quhem shumë i suksesshëm si një nga aktorët e roleve të vogla skenike që kam luajtur në shumë filma hollivudianë për një kohë të shkurtër, një rast i rrallë në këtë industri. Gjithçka nisi me anë të njohjeve, duke m’u sugjeruar projekte të reja filmike. Nuk është dhe aq e lehtë për t’i fituar ato po nuk pate elementet kryesorë të aftësive.
– Një gazetar shumë i mirë shkodran që lë Greqinë për Amerikën për të nisur një jetë të re në aktrim. Çfarë të mungon nga gazetaria?
– Më mungon prania për t’i ndjekur nga afër ngjarjet dhe për t’i përcjellë në kohë lajmet. Gjithashtu edhe përkushtimi për t’iu gjendur pranë kolegëve në shkëmbimin e informacioneve, për të qenë sa më të bashkëpunueshëm në misionin tonë fisnik.
– Si ndihesh në rolin e të intervistuarit?
Në shumë raste, në disa premiera, jam ndjerë shumë i privilegjuar dhe me shumë fat që jam në industrinë më të madhe të filmit në botë.
– Cili është boshti që lidh gazetarinë me kinematografinë?
– Prania e gazetarit në çdo vendngjarje që sjell marrëdhënie në komunikim, duke njohur shumë mirë karakteret e njerëzve. Kështu që edhe një aktor të mirë e dallon depërtimi i shpejtë në karakter, që e bën të veçantë e perfekt në interpretim.
– Nëse do të ktheheshe pas në kohë, do të ndryshoje diçka në jetën tënde?
– Po, do të ndërtoja familjen time, që më mungon shumë, duke ditur se fëmijët i dua shumë, si mosha më e brishtë dhe e pafajshme, që kërkon ndihmën e prindërve. Besoj se do të isha një prind perfekt për fëmijët. Familjen e kam gjënë më të çmuar në jetë.
– Vjen shpesh në Shqipëri?
– Jo edhe aq shumë shpesh tani që jam tërësisht i angazhuar në projektet e filmave të mëdhenj, që e kanë axhendën e ngjeshur.
– Cilat personazhe kanë qenë në preferencat e tua për të luajtur? Cila ka qenë personazhi yt i parë? Po filmi që të ka lënë më shumë përshtypje?
– Personazhi im i parë ka qenë ai i gangsterit në një serial të madh, dhe ky karakter më ka shoqëruar edhe në filma të tjerë. Preferenca të tjera kanë qenë ato të policit të FBI, të reporterit apo dhe të kamarierit. Kam qenë i shumë karaktereve, në shumë filma.
– Çfarë mendon kur shikon veten në filma? Gjen gjëra për të kritikuar?
– Gjithmonë kërkon më të mirën tënde, dhe për fat të mirë, falë produksionit të madh, në ato pak skena nuk kam çfarë të kritikoj, se nuk është lënë asgjë në mëshirën e fatit. Asnjë film hollivudian nuk realizohet pa dalë perfekt, kështu që në pjesën time jam i kompletuar.
– Ke luajtur krahas yjeve të kinematografisë hollivudiane si Tom Hanks, James Belushi, Steve Buscemi, Damian Leëis, Maggie Siff, Paul Giamatti, etj. Si e ndjen veten krah tyre?
– Nuk ka më mrekulli sesa të jesh pranë tyre. Ndihesh më i privilegjuari i botës kur ndan një ditë të tërë apo disa javë eksperiencë pune me yjet. Dhe nuk janë pak mbi 80 filma hollivudianë, me pothuajse më shumë se 5 yje në çdo film. E si të mos ndihesh me fat kur punon pranë Meryl Streep me orë e ditë të tëra, apo George Clooney, Sandra Bullock, The Rock, Jason Statham, Silvester Stallone, Richard Gere etj.
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *