Dëshira e tij është që muzika që ai krijon të prekë skenat e mëdha, që melodia e teksti e i këngëve të tij të dëgjohet në çdo skenë, në çdo radio, në çdo ambient ku muzika është jetë, mbretëron dhe godet me forcën e shpirtit.

Që i vogël ka pasur pasion muzikën. I frymëzuar nga rryma ku mesazhi përcillet drejtpërdrejt dhe me shumë forcë, Rapi, ku revolta vjen ëmbël dhe butë, por fjalët e kësaj rryme janë të forta, therrëse, dhe reale. Në fillim ishte fjala, më pas muzika dhe melodia lind natyrshëm, duke shoqëruar çdo varg dhe duke goditur fuqishëm zemrën që ndjen se edhe me muzikë problemet sociale të një shoqërie mund të reflektohen me shumë origjinalitet.

Dëshira për muzikë dhe për ta krijuar atë, kanë bërë që edhe pse shumë i ri, adoleshent, vetëm 14 vjeç, Klandi, ose siç te gjithë e njohin me emrin e artit Mc  Stobs, të hedhë notat e para në kushte shtëpie. Ishte shumë I ri, por me shumë ëndrra, me pasion dhe me talent.

Në atë kohë edhe në Shqipëri kishte filluar të depërtonte muzika e rrymës Rap, por Klandri frymëzimin dhe shtysën për këtë lloj muzike e gjeti tek 50 Cent, i cili në gjithë botën solli revolucion në muzikën e llojit të vet. Bëhu i pasur, ose vdis duke u përpjekur (Get rich or die tryin’), ky titull filmi ka shërbyer si një shtysë e fortë, si një lajmotiv për McStobs t’i futet seriozisht muzikës. Dhe jo vetëm si kantautor, por edhe si producent.

Sot ka ngritur studion e vet Guerrila Records, ku vetë Mc Stobs merret me produksione të ndryshme muzikore, jo vetëm të rrymës që ai ka më shumë për zemër, rapit. Por me Guerrila records McStobs dëshiron të jetë një krah i fortë dhe një mbështetje për çdo këngëtar që kjo përkrahje I mungon.

MC Stobs është i njohur për publikun shqiptar, pasi ai ka tashmë në treg plot 3 albume muzikore. Të parin e ka krijuar me grupin ku bënte pjesë UNIKBOYS me titull “Mission Complete”.Më pas vjen albumi i tij si këngëtar solo me titull StayonBackStage, nga ku ka marrë edhe emrin e artit vet si këngëtar. Ndërsa prej janarit ka hedhur në treg projektin e tij më të fundit me titull “Unity” ku ka ardhur edhe me disa bashkëpunime të suksesshme me emra të njohur të rrymës Hip-Hop, Big Basta, G-Bani apo dhe Doza. Edhe ky album është realizuar në studion e vetë këngëtarit Guerrila Records. Nga ky album Mc Stobs publikon edhe videoklipin e këngës “Dasëm në mëhallë”, të cilën prej ditës së sotme mund ta shihni në gjithë kanalet muzikore shqiptare por edhe në rrjetet sociale që transmetojnë muzikë.

Artur Leka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *