Qyteti i Vlorës shquhet për numrin e madh të artistëve që ka nxjerrë nga djepi i vet, e një prej tyre është dhe këngëtarja mjaft e dashur për publikun, Mariola Kaçani. Gjithmonë e angazhuar jo vetëm në prurjen e këngëve të reja për publikun e saj besnik, por dhe nëpër dasma e gëzime familjare, Marjola ka folur për gazetën “Intervista” për projektet e saj më të fundit, jetën private dhe planet për të ardhmen.

 Klajd Heta:- Mariola, përshëndetje! Si po i kalon ditët e nxehta të verës?

Mariola Kaçani:- Përshëndetje! Së pari, ju falenderoj për intervistën dhe ju uroj shumë suksese. Vera? Të them të drejtën kisha menduar se s’do bëja plazh fare, dhe kjo ide më mërziste shumë, pasi unë e adhuroj detin. Madje edhe në dimër, kur jam në vend bregdetar, patjetër do e bëj një xhiro buzë detit. Për fatin tim të mirë, po shijoj disa ditë plazh, pasi projektet që kisha, përfunduan në kohën e duhur dhe më lane pak hapësirë për pak pushim.

-Vera është periudha kulminante për dasma. Je e angazhuar këtë sezon, apo pushim?

-Është e vërtetë, pasi verën e lakmojnë të gjithë. Jam shumë e angazhuar fatmirësisht, sidomos në gusht, pasi është sezoni më i ngjeshur sa i përket këtij vitit, pasi nga viti në vit ndryshon. Jam e kënaqur!

-Brenda një muaji ke sjellë për publikun shqiptar dy projekte të reja muzikore. Si arrin ta menaxhosh kohën?

-Në fakt janë tre projekte, por i treti nuk është publikuar ende… mbetet surprizë! Pikërisht dhe më lart ku përmenda pushimet, mendoja se s’do bëja fare. Isha e ngarkuar duke u marrë me këto projekte, pasi jam kujdesur vetë për të gjitha, në muzikë, tekst, videoklip etj. Gjithsesi, jam e lumtur që i përfundova me sukses, dhe shpresoj që të jenë pëlqyer!

-“Dasma jonë” është projekti yt më i fundit, tepër cilësor. Dy fjalë për realizimin e këtij projekti?

-Këtë tekst e kam pasur në duar me kohë, dhe duke kërkuar për diçka të re, shoh që e kisha në shtëpi. Kështu, vendosa të punoja mbi të, dhe sëbashku me kompozitorin e mirënjohur Edmond Zhulali, realizuam kolazhin e dasmës. Gjej rastin të falenderoj dhe Sokol Marsin për realizimin e muzikës dhe tekstit në këngën “Aman, aman” dhe kompaninë “Pro Video” për realizimin cilësor dhe serioz të videoklipeve.

-Sa e nderuar ndihet Mariola kur njerëzit e dëshirojnë pjesë të gëzimeve të tyre?

-Ndihem vërtet e nderuar, pasi jo vetëm bëhesh pjesë e gëzimit të tyre, pork e dhe një përgjegjësi, që ky gëzim të dale perfekt. Të paktën unë kështu e marr gjithmonë.

-Në skenë rrallëherë je parë vetëm, pasi në krah ke pasur dhe vëllain, Jurgenin.  Si është marrëdhënia mes jush?

-Me Jurgenin jemi të pandarë, pavarësisht se të dy kemi projekte më vete, pasi të dy kemi nevojë të kemi dhe këngë solo. Jurgeni së shpejti do publikojë projektin e tij të ri. Mundohemi që edhe pse jemi larg njëri-tjetrit në turne, p.sh. në SHBA, Kanada, Australi etj. të bëhemi bashkë! Ne jemi motër e vëlla, por veç kësaj jemi dy shokë e kolegë të mire që vlerësojmë dhe respektojmë mendimet, idetë dhe marrëdhënien motër-vëlla.

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *