Me sa duket, ekziston një konkurs për gjithçka në këtë botë; edhe për një monedhë pesë dollarëshe! Karmonedha 5 $ e Zelandës së Re ka marrë të martën titullin e “Kartmonedhës së Vitit 2015”, duke ua kaluar 19 kandidateve të tjera nga e gjithë bota. Çmimi u dha nga Komuniteti Ndërkombëtar i Kartmonedhave (IBNS), një organizëm që i është dedikuar ekskluzivisht studimit dhe koleksionimit të kartmonedhave (duket si çudi, por ai ekziston vërtet).
Ndërmjet kandidatëve që dolën në finale, sipas një deklarate elektronike të IBNS-së bënin pjesë korona suedeze (kartmonedha 20 koronëshe), rubla ruse (kartmonedha 100 rubla), tenge e Kazakistanit (kartmonedha 20 000 tenge) dhe 5 paundëshi skocez. Mbase humbën ngaqë u mungonte pinguini (që ndodhet në kartmonedhën e Zelandës së Re)…
Nga njëra anë e kartmonedhës së Zelandës së Re është ilustruar me në sfond ngjyrën portokalli të fortë alpinisti Sër Edmund Hillari, një nga aplinistët e parë që është ngjitur në malin Everest. Nga ana tjetër ndodhet një pinguin me sy të verdhë (i njohur edhe si hoiho), që në sfond ka një peizazh të Antarktidës rrotull ishullit Kampbell. Kjo kartmonedhë ndryshon kryekëput me pesëdollarëshin australian, i cili ka ngjallur polemikë mes vendasve, pasi, sipas shumë vetëve, ngjan me të vjella, ndërsa lulet e saj, me furça tualeti…
Zëvendësguvernatori i Bankës së Rezervave të Zelandës së Re, Xhef Baskand, deklaroi në lidhje me çmimin: “Jemi krenarë për të gjitha kartmonedhat e reja të Zelandës së Re, por që të njihet në mbarë botën, 5 dollarëshi ynë është për ne diçka shumë e veçantë. Kartmonedha në fjalë, përveçse përmban disa nga veçoritë e sigurisë më të përparuara në botë, tregon edhe me një mënyrë të shkëlqyer, historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Zelandës së Re.”. Kjo kartmonedhë qarkulloi si pjesë e nismës së Zelandës së Re me titull “Brighter Money” (para më të shndritshme), ku kartmonedhat prej 5 dhe 10 dollarësh janë futur në qarkullim që në tetor 2015. Ato prej 20 $, 50 $ dhe 100 $ do të hidhen në qarkullim në 16 maj.
Megjithatë, njuzelandezët nuk duhet ta marrin gjithë lavdinë për vete. Kartmonedha në fakt është dizenjuar dhe shtypur nga Shoqëria Bank Note e Kanadasë, me qendër në Otava, siç deklaroi edhe IBNS. Kështu, pra, mund ta shtojmë edhe këtë gjë në listën e gjërave që dinë të bëjnë mirë kanadezët, përveç hokeit në akull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *