– Jam Ervisi, 40 vjeç. Mjekët më kanë thënë se vuaj nga pakica e jodit, gjë për të cilën po marr edhe mjekim, por në vend që analiza të ulet, ajo vazhdimisht është në rritje. Bëra edhe një eko te një mjek tjetër dhe më tha që tiroidja është ekstremisht e zmadhuar, ka prezencë të disa kokrrave dhe tiroidit kronik. Ju lutem, më sqaroni çfarë është kjo sëmundje dhe a është e rrezikshme? Dua të di gjithashtu se si trajtohet…
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Ervis, ju falënderoj për pyetjen tejet interesante dhe plot informacion që keni paraqitur. Në themel të shqetësimeve tuaja, me aq sa unë analizoj, në mungesë të shumë elementeve të tjerë klinikë dhe diagnostikë, qëndron sëmundja e hipotireozës ose e pakicës së jodit. Kjo sëmundje është shumë e përhapur në mbarë botën, por edhe në vendin tonë. Ajo haset kryesisht te gjinia femërore në një raport 4-5 me 1 me gjininë mashkullore. Arsyet pse haset më shpesh te gratë kanë të bëjnë me faktorë hormonalë dhe imunitarë. Në vendin tonë, sëmundja e pakicës apo e mosprodhimit normal të hormoneve të tiroides është e shprehur edhe për shkak të faktit se vendi ynë vuan në pjesën më të madhe defiçitin e jodit në natyrë. E kemi sqaruar disa herë që jodi është karburanti i tiroides, është elementi kryesor në prodhimin e hormoneve të tiroides. E kuptueshme është se po të kemi nivele të ulëta të jodit në natyrë dhe në ushqim, aq më të shprehura janë sëmundjet e gjëndrës tiroide të lidhura me këtë defiçit. Duke u kthyer sërish te rasti juaj, ju sqaroj se për të bërë të mundur ekuilibrimin e vlerave hormonale, nevojitet që ju të merrni një mjekim të rregullt, në kuptimin që duhet të merrni barna cilësore.
– Dozat duhet të jenë të përshtatura për defiçitin dhe peshën tuaj trupore. Ka shumë rëndësi mënyra e marrjes së këtyre hormoneve. Përgjithësisht, ato preferohet të merren në mëngjes esëll dhe vakti i mëngjesit bashkë me kafen e shumë gjëra të tjera, mirë është që të spostohen 1-2 orë në kohë, në mënyrë që t’i lihet koha e mjaftueshme barit që të përthithet dhe të fillojë të ketë veprim. Sigurisht, duhet të pritet 6-8 javë deri në një sistemim dhe normalizim të vlerave hormonale nga fillimi i mjekimit. E pata pak të pakuptimtë faktin që tiroidja juaj është zmadhuar sepse përgjithësisht sëmundja e pakicës së jodit siç e keni edhe ju, vjen nga shkatërrimi i gjëndrës tiroide, ku ajo, në vend që të zmadhohet normalisht, fillon të zvogëlojë përmasat.
– Një tjetër element që e komplikon pak situatën tuaj është edhe fakti që ju sqaroni se keni edhe noduj ose mish të huaj në gjëndrën tuaj tiroide. Nëse këto janë të vërteta, që ju vuani nga një zmadhim dhe prani e lythave në gjëndrën tiroide, e shoqëruar kjo me rënie të funksionit të saj, atëherë kjo situatë duhet marrë më seriozisht. Serioziteti duhet të konsistojë në një vlerësim më të detajuar të rrezikut që mund të paraqesë kjo gjëndër për t’u transformuar në një sëmundje malinje. Studimet botërore dhe në vendin tonë, gjejnë një lidhje shumë të ngushtë mes dëmtimeve kronike të gjëndrës tiroide, lythave dhe pranisë së sëmundjeve të këqija mbi këto struktura të dëmtuara të tiroides. Studimet gjithashtu tregojnë se shkaktimi dhe agresiviteti i sëmundjeve të këqia është shumë herë më i madh në rastet kur kombinohen edhe me këtë infeksion kronik të kësaj gjëndre. Duke përfunduar, doja të nënvizoja edhe një herë dy fakte; së pari, merreni me kujdes dhe mos e ndërprisni kurrë mjekimin me hormone të tiroides. Së dyti, pa e trajtuar me panik, kërkoni bashkë me specialistin tuaj vlerësim më të detajuar për të përjashtuar një proces malinj. Pres të më shkruani sërish. Të shkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *