Këngëtari nga Kosova, Vedat Ademi, e ka nisur karrierën muzikore që në moshën 18 vjeçare me eksperienca të para në vendin e lindjes Mitrovicë. Nga mesi i viteve 2000 ai tentoi ta kërkonte suksesin në Tiranë, ku u prit me krahë hapur që në hapat e parë. Më pas erdhën ftesat për të kënduar live në lokalet e natës dhe kompeticionet Top Fest, Kënga Magjike, Festivali i RTSH-së etj. Duke e njohur prej vitesh Vedatin, kam parë tek ai gjithmonë djalin e shkathët, simpatik dhe këngëtarin që e ka kërkuar me ngulm suksesin. E vlerësoj shumë si për vokalin, ashtu edhe për vullnetin që ka për të punuar në mënyrë sistematike, rezultat i të cilit është suksesi që gëzon sot dhe kërkesa pa fund për koncerte. Këto ditë ai ka promovuar videoklipin e këngës “S’kom me ta fal”, i cili për pak ditë ka marrë mijëra klikime e mjaft vlerësime nga fansa, miq e kolegë.

Sava Lena: – Përshëndetje Vedat! Të shoh super në formë, madje shumë më elegant se herën e fundit që jemi takuar bashkë…
Vedat Ademi: – Tung Sava, shumë faleminderit! Në fakt, u bë vite që s’jemi takuar; tani frekuentoj edhe palestrën. (Qesh)
– Urimet e mia për videoklipin dhe këngën më të re “S’kom me ta fal”! Si e sheh ecurinë e saj?
– Shumë faleminderit për vlerësimin! Meqenëse po më jepet rasti, dua të them se kënga po ecën mjaft mirë dhe nuk kisha dyshim për këtë. Nuk kam pasur te vetja kërkesa për arritje në shifra, kërkoj gjithmonë vetëm cilësi. Ky është një bashkëpunim i ri me autorët e këngës, Irkenc Hyka i cili ka realizuar muzikën dhe Petro Xhori, tekstshkruesi. Këto kohë kam pasur kërkesa të ndryshme, por duke qenë natyrë përzgjedhëse, arrita të veçoja këtë këngë e cila menjëherë u finalizua me thjeshtësi e profesionalizëm nga “ProVideo”.
– Janë shtuar telefonatat për koncerte pas publikimit të kësaj kënge?
– Në të vërtetë, kisha planifikuar disa udhëtime më përpara dhe i kam refuzuar disa ftesa, pasi do të jem jashtë vendit këtë muaj.
– Na trego pak për fabulën e këngës “Jo s’kom me ta fal”. Çfarë gabimi ka bërë ajo vajza që i drejtohesh kështu?!
– Jo, s’kom për ta fal, Sava! Mos më thuaj tani që ta fal. (Qesh) Shpeshherë kam qeshur me komentet që sjell një këngë e caktuar. Sa i takon tekstit, është e vërtetë që ka shumë njerëz që nuk falin. Këtë herë, kjo vajza mund të ketë bërë diçka të pafalshme, e cila nuk përcaktohet në këngë, por fabula tregon vetëm gjendjen pas këtij veprimi me të cilin ajo ka lënduar partnerin tjetër. Është një rebelim… Në të vërtetë, ne shpesh themi; “s’do ta fal” këtë apo atë gjë, dhe si përfundim, falim.
– Ti kur këndon këtë këngë, i referohesh dikujt?
– Jo, nuk i referohem askujt personalisht, por u drejtohem atyre që janë lënduar nga një person i zemrës.
– Je tip që fal apo që nuk fal?
– Jam person që dua kohë të fal, por kjo ndodh derisa të qetësoj nervat e mia. Më pas, patjetër që fal.
– Cilin person nuk ke arritur ta falësh dhe për çfarë faji bëhet fjalë?!
– Nuk kam një njeri konkret… Do të thoja se nuk i fal serbët për atë gjenocid, dhunë e vrasje që kanë bërë ndaj popullit tim në Kosovë.
– Të shoh shumë aktiv me prezantime këngësh, videoklipesh, pjesëmarrje në festivale… Do të vazhdosh me këtë ritëm?
– Po. Dëshiroj të kem sa më shumë këngë edhe në vazhdim. Kam pasur plane për evenimente të ndryshme dhe kam dëshirë të realizoj koncertin tim recital për të dyja albumet. Me këngët e reja që kam punuar deri tani, kam arritur të vë punën përpara edhe për një album të tretë, por për arsye kohe nuk e kam nisur këtë projekt i cili është më shumë një përmbledhje për karrierën time artistike sesa fitimprurës.
– Ke një vokal shumë të mirë dhe këngë të bukura, por deri te çmimi i dytë ke arritur. Në cilin kompeticion shqiptar do ta dëshiroje një çmim të parë?
– Ah, dy çmimet e dyta! Dueti me Pirro Çakon “Bujë, bujë” ishte një material shumë i mirë muzikor i cili u pëlqye në masë, por edhe kënga “Asgjë njësoj” me kompozim të Endrit Shanit dhe tekst nga Alban Skënderaj, do të mbetet për mua një këngë madhështore. Kjo këngë mendoj se e ka marrë çmimin e parë që në emocionet e para kur vetë kënga ishte në qelizë të formimit të saj. Vërtet nuk kam çmime të para dhe ndoshta nuk do të kem, megjithatë, këtë dëshirë nuk e kam më dhe sinqerisht, nuk luftoj për çmime, por vetëm për këngë të mira.
– Kam dëgjuar se vajzat shkulin flokët për ty në lokalet e natës… Si i ke raportet me këto fanse?
– Është vlerësim të kesh fansa që të ndjekin në performancat live. Raporti im është klasik, si çdo artist me fansat e tij. I respektoj, i vlerësoj, kaloj kohë për foto dhe biseda me fansat. Kemi histori interesante, që nga fëmijët e vegjël dhe deri te të moshuarit që dinë tekstet e mia e më komplimentojnë. Madje së fundi, sapo u publikua kënga e re, kishin postuar në faqen time në Facebook videon e një vajzë të vogël e cila këndonte këngën “S’kom me ta fal”…
– Sa i takon suksesit dhe përfitimeve, më mirë një album apo një singëll?
– Më mirë një singëll! Albumet nuk shiten si në iTunes ku njerëzit ta vlerësojnë këngëtarin më seriozisht. Duhet ende shumë punë për tregun e muzikës shqiptare dhe formalizimin e saj, pasi vjedhja e këngëve nuk pengohet. Gjithkush mund ta gjejë online mundësinë për shkarkimin e këngës sime nëpër portale të ndryshme, falas. Sigurisht, jo për përfitimin tim apo të artistëve, por të këtyre portaleve.
– Më mirë jeta në Mitrovicë apo në Tiranë?
– Në Mitrovicë jam rritur dhe kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime, më mungojnë familja dhe shoqëria. Në Tiranë jam mësuar tashmë, pra, ndihem vendas si në Mitrovicë, ashtu edhe në Tiranë.
– Është më e bukur ndjesia e të qenit “bir” apo “prind”?
– Si bir, jam tejet i ledhatuar nga të dy prindërit, vëllezërit dhe motra. Si prind, jam shumë i kënaqur me puthjet që nuk më mungojnë asnjëherë nga djali im, Jon Art. Ne tashmë jemi një, i përkasim njëri-tjetrit.
– Intervistat të pëlqejnë më shumë në televizion, në radio apo në gazetë?
– Intervistat janë njësoj, por në televizion duhet t’i kushtosh më tepër vëmendje paraqitjes.
– Së fundi, çfarë do t’i shtoje kësaj interviste?
– Një falënderim të gjithë fansave të vërtetë të muzikës sime. I falënderoj ata fansa që janë besnikë e më ndjekin në çdo aktivitet dhe mbi të gjitha, më vlerësojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *