– Përshëndetje, jam me vendbanim në Itali, pothuajse prej dy muajsh dhe kam marrë rezidencën në Breshia. Kam përfunduar studimet master në Shqipëri në vitin 2015 dega Financë-Banke, Tiranë. Ju lutem, a mund të më informoni se çfarë procedurash mund të ndjek për konvertimin e njohjen diplomës për të ndjekur më tej studimet ose për mundësi punësimi? Faleminderit!
– E nderuar lexuese, titujt e studimit të marra në Shqipëri kanë vlerë në Itali vetëm kur ekzistojnë konventa ndërkombëtare në këtë rast mes vendit tonë dhe të Italisë ose kur janë marrë pranë shkollave të njohura nga shteti italian. Procedura që duhet ndjekur ndryshon në bazë të motivit për të cilin kërkohet njohja e titullit të studimit ose konvertimi. Në të gjitha rastet nevojitet përkthimi zyrtar i diplomës së studimit që do të kërkohet të njihet e që duhet çuar në konsullatën italiane në vendin ku është lëshuar diploma për të marrë të ashtuquajturën “deklaratën e vlerës në vend”, në italisht “Dichiarazione di valore in loco” (në përfaqësitë italiane ka zyra të posaçme për studentët) që më pas duhet legalizuar me vulën apostile. Mund të qëllojë që, kur kërkohet njohja e diplomës pranë zyrës kompetente duke paraqitur “deklaratën e vlerës” dhe dokumentacionin që dëshmon provimet e mbrojtura, të interesuarit t’i kërkohet të bëjë disa provime plotësuese. Nëse kërkohet njohja për ndjekjen e një kursi universitar, pasuniversitar të një masteri apo të një doktorature, duhet t’i drejtohet sekretarisë së studentëve të Universitetit të zgjedhur. Në kuadrin e autonomisë, janë vetë universitetet që vendosin për njohjen e titujve të huaja të studimeve. Kërkesës, që i drejtohet rektorit të universitetit, i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme: Diploma e pjekurisë e përkthyer, e legalizuar dhe me “deklaratën e vlerës” të lëshuar nga përfaqësia konsullore italiane në vendin ku është lëshuar titulli i studimit; Diploma universitare, e përkthyer, e legalizuar dhe me “deklaratën e vlerës” së lëshuar nga përfaqësia konsullore italiane në vendin ku është lëshuar titulli i studimit; Certifikatë e provimeve universitare, e përkthyer, e legalizuar dhe e autentifikuar nga konsullata italiane; Programi i studimeve për çdo provim të dhënë, i përkthyer, i legalizuar dhe i autentifikuar nga konsullata italiane; Fotokopje e lejeqëndrimit. Autoritetet e universitetit që e marrin në shqyrtim mund të konsiderojnë kursin e studimeve të barazvlefshëm me të vetin dhe të njohin të gjitha provimet, ose të njohin diplomën pjesërisht e të kërkojnë dhënien e disa provimeve plotësuese për njohjen e titullit.
– Në rastin kur njohja e titullit bëhet për të ushtruar profesionin në Itali, i interesuari duhet të paraqesë kërkesë njohjeje pranë ministrisë kompetente.
Për shembull, për profesionet e sektorit të mjekësisë është kompetente ministria e Shëndetësisë, për profesione si avokat, llogaritar, biolog, kimist, agronom, gjeolog, inxhinier, psikolog, konsulent pune, gjeometër, gazetar, punonjës i kuaifikuar në bujqësi dhe industri, Ministria e Drejtësisë. Listën e plotë të ministrive kompetente për profesionet e gjeni në faqen e ministrisë së universitetit në këtë adresë interneti: http://www.miur.it. Nëse dokumentacioni është i saktë dhe i plotë, ministria kompetente, me një dekret që botohet në Gazetën Zyrtare Italiane, do të njohë titullin. Pas njohjes, i huaji mund të regjistrohet në Urdhërin Profesional, nëse ekziston një i tillë për profesionin që dëshiron të ushtrojë. Në disa raste, mund të parashikohen sidoqoftë plotësime për njohjen e plotë të titullit ose periudha praktike pune.
Advertisement