Në vitin 2050, plot 4,8 miliardë njerëz do të jenë miopë!

Doktoreshë Detina Zalli ka studiuar mjekësi molekulare në universitetin e Suseksit e më pas vazhdoi doktoraturën në universitetin e Leicesterit. Në vitin 2012, ajo u zhvendos në universitetin e Harvardit, në të cilin punon aktualisht si kërkuese shkencore dhe profesoreshë. Ajo është themeluese e institutit shkencor “Vve speak science”, një institut jofitimprurës që ka si qëllim rritjen e nivelit të shkencës e të mjekësisë, si edhe përditësimin e publikut shqiptar me të rejat më të fundit në fushën shkencore…

Adrian Rakipi: – Në portalin tuaj ju keni publikuar këto ditë një lajm sipas të cilit, në vitin 2050, afro gjysma e popullsisë botërore do të jenë miopë. Pse do të ndodhë kështu?
Detina Zalli: – Shkencëtarët, me doza të mëdha shqetësimi, kanë “parashikuar” se në 2050-ën, afro gjysma e popullsisë botërore do të jenë miopë. Këto shifra alarmante të publikuara në revistën e oftamologjisë, janë përgjigjja e një studimi të fundit mbi tendencën e miopisë, me plot 2.100.000 pjesëmarrës. Sipas studimit, në vitin 2050, plot 4,8 miliardë njerëz do të jenë miopë, shifër kjo që përbën 49,8 % të popullsisë botërore. Ndërsa 9.8% e popullsisë do të vuajë nga një miopi e theksuar. Këto vlera janë dyfishi i atyre të vitit 2010. Popullsia aziatike është ndër më të rrezikuarat, aq sa shkencëtarët e quajnë epidemia aziatike e miopisë. Më shumë se 90% të të rinjve në Azinë Lindore duke përfshirë Kinën, Japoninë, Tajvanin, Singaporin dhe Korenë e Jugut janë miopë, por edhe popullsite e tjera nuk mbeten jashtë zonës së rrezikut.
– Por, ç’është miopia, me fjalë të thjeshta?
– Miopia është një defekt i shikimit, për shkak të të cilit, njeriu sheh mirë objekte që gjenden afër tij, por ka vështirësi në shikimin e objekteve që janë larg. Më konkretisht, për të shpjeguar miopinë apo çfarëdolloj anomalie dhe defekti në shikim, e krahasojmë syrin me një aparat fotografik. Kornea dhe kristalina luajnë rolin e objektivit. Ato lejojnë rrezet e dritës të depërtojnë në sy duke i përthyer ato. Retina luan rolin e negativit ose ndryshe quhet “filmi i syrit”. Falë qelizave që janë të ndjeshme ndaj dritës, imazhi fokusohet në retinë, duke u shndërruar në impuls nervor. Këto impulse, nëpërmjet nervit optik, arrijnë në Sistemin Nervor Qendror.
Gjatë miopisë, rrezet e dritës nuk fokusohen në retinë, por para saj, prandaj imazhi nuk është i qartë. Kjo ndodh për dy arsye: Arsyeja e parë është se kornea dhe kristalina i përthyejnë rrezet e dritës më shumë se normalja dhe arsyeja e dytë është se në rastet me miopi, syri është më i gjatë, rreth 30 milimetra, në një kohë që gjatësia normale duhet të jetë 23-24 milimetra. Çdo milimetër zgjatjeje përkon me rritjen e miopisë me 3 dioptri (njësi matëse që mat aftësinë optike të një lenteje).
– Cilat janë shenjat e para të miopisë?
– Zakonisht, miopia i ka fillimet në moshë të vogël dhe fillon të bëhet e dukshme gjatë viteve shkollore, në të cilat fëmija ka vështirësi në të parin nga larg. Gjithashtu, miopët kanë një përkeqësim të shikimit në darkë. Te miopët vihet re dhimbje koke e vazhdueshme për shkak se lodhet syri dhe nervat përqark. Ka raste kur miopët kanë nevojë të fërkojnë shpesh sytë, për shkak të bezdisë që u jep pamundësia për të parë larg dhe për të relaksuar syrin. Madje personat me miopi vihet re se picërrojnë sytë për të parë më dukshëm dhe më qartë.
– Pse ndodh miopia dhe kush janë më të rrezikuar prej saj?
– Shkaku i miopisë janë si gjenet, ashtu edhe stili i jetesës. Sigurisht që gjenetika ka një rol të rëndësishëm në transmetimin e miopisë. Shkencëtarët kanë zbuluar disa gjene që mendohet se transmetohen dhe që janë shkaktarë kryesorë të miopisë. Nga ana tjetër, mjedisi dhe mënyra se si i trajtojmë sytë, ndikon dukshëm në miopi. Kohët e fundit, lojërat e teknologjisë së re po ndikojnë negativisht në shtimin e rasteve me miopi.
– Si bëhet diagnostikimi i miopisë dhe a është e kurueshme kjo sëmundje?
– Diagnostikimi i miopisë është fare i lehtë në vizitën rutinë tek okulisti. Përsa i përket kurimit, ai bëhet me anë të tri mënyrave: Syzeve, lenteve dhe kirurgjisë refraktive (të syrit). Syzet dhe lentet e dimë të gjithë se si funksionojnë, jepen në bazë të numrit për të korrigjuar defektin, kurse kirurgjia refraktive mund të reduktojë ose të eleminojë totalisht nevojën tuaj për syze dhe lente. Sigurisht, është mjeku ai që bën vlerësimin për mënyren e trajtimit që është më e përshtatshme për ju, pasi gjithçka varet nga shkalla e miopisë dhe duhet bërë në përshtatje me problemin tuaj.
– A është kjo një sëmundje që përkeqësohet me kalimin e kohës?
– Sigurisht, e kemi dëgjuar të gjithë që, nëse nuk i mbajmë syzet rregullisht, numri i tyre do të rritet. Këtë ua themi zakonisht fëmijëve dhe, me të drejtë. Ekziston një formë e miopisë, e quajtur gjithashtu miopi patologjike ose “malinje”, e cila është degjeneruese dhe ka tendencë të përkeqësohet me kalimin e kohes. Kjo, në fakt, është një gjendje e rrallë, prek rreth 2 për qind të popullsisë në Amerikë dhe është shkaku numër një i verbimit. Kohët e fundit, një terapi e kombinuar mes lazerit dhe ilaçeve mund të përmirësojë situatën e miopisë patologjike, ndaj evidentimi dhe kapja në kohë e sëmundjes ka shumë rëndësi për ecurinë e saj.
– Thuhet se miopia ka lidhje me zgjuarsinë, pra, që miopët janë më inteligjentë. A është e vërtetë kjo dhe si mund ta shpjegoni?
– Në fakt, ndonëse mund të duket qesharake, ka diçka të vërtetë në këtë thënie. Një studim me 429 persona në Singapor doli në përfundimin se personat me edukim më të lartë, ishin miopë. Mendohet se arsyeja për këtë është stresi që ushtrohet në sy nga leximi i tepërt.
– Thënia popullore “më mirë të parandalosh sesa kurosh” na shtyn t’ju pyesim se si mund ta parandalojmë miopinë, kryesisht te fëmijët, meqenëse siç thatë, fillesat e saj janë që në moshat e vogla?
– Këshilla kryesore dhe më e rëndësishmja që u drejtoj prindërve është t’u thonë fëmijëve të tyre: “Dilni jashtë dhe luani“. E them këtë sepse jeta sedentare, lidhur fort pas kompjuterit, televizorit apo mjeteve elektronike është një ndër faktorët kyç të miopisë. Veç kësaj, edhe qëndrimi i gjatë në ambiente që ndriçohen me dritë artificiale, pra, jo me dritën e diellit, është shkak për miopinë. Prindër, kini kujdes fëmijët, mbajini ata larg mjeteve elektronike sepse kjo po e çon shoqërinë tonë drejt verbimit! Mos e neglizhoni miopinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *