Premtime të një bote

Kaloi një vit që nuk je
Çdo gjë është njësoj si më parë
Pemët të zhveshura, atje
Mbi barin prej dimrit të tharë…

Dhe udha me pellgje ngarkuar
Me stola të vjetër në anë
Me njerëz tek-tuk të vetmuar
Menduar që pinin duhan!

Dhe ja shoh një çift pak më tutje
Bashkuar mes krahësh bër’ një
Dorëzuar vullnetshëm në puthje
Sikur mos t’i shihte asgjë!

Pranë tyre i heshtur kalova
Me jakën e ngritur përpjetë
Buzëqesha kur djalin dëgjova
“Të dy do të jemi përjetë!”

Në udhën time vazhdova
E vogël është bota vërtet… Bledi Ylli

U lodha IV

U lodha duke shkruar, duke heshtur, duke parë
Të presësh për të vdekur i gjallë e jo i vrarë
Në djall të venë të gjitha, nuk dua më të pres
U lodha nga dilema, të rroj apo të vdes?!

U lodha o ju njerëz, sa tëmthat më pëlcasin
Kur nuk mund dot frikën, frikëra le t’më vrasin
Eshtë keq kur të merr heshtja e hyn në meditime
U lodha duke thënë, larg nga b… ime!

U lodha dhe nga cmira që kudo vërshon
E keqja në sy njerëzish të mirën shkatërron’
Të gjithë pa përjashtim pas shpine kemi thikë
U lodha nga kjo vorbull me thelbin kaotik!

U lodha nga surprizat, nga V.I.P-at e kësaj jete
Sa bukur japin mend, kur mend nuk kanë për vete.
Të vetmen gjë të bukur që s’blihej me para
U lodha ta kërkoj më kot në këtë dynja!

Flas për dashurinë, u lodha më kuptoni?
Kërkojeni në shpirt, aty mos e harroni
E vetmja gjë që luftës, kurrë nuk i pajtohet
U lodha, por s’kam vdekur e nuk do vdes, kuptohet… Bledi Ylli

Ku je, pranverë?
Sot, kur dola herët në mëngjes
duart i mbusha plot me lule.
Buzët i ngjeva me të kuq agimesh.
me zërin e zogjve trokita pas dritares
E lodhur nata iku e mërzitur

E ndoqa ardhjen e pranverës.
Nëpër fusha kur dielli loz me barin.
I thirra. Ku je pranverë.
Erdha të të takoj
Ti je shoqja ime e dashur
Me jep dorën bashkë me ty të fluturoj. Thodhori Cerro

Mbi veten të jesh!

Kush tha mëkatet lahen në këtë botë,
sa mund të rrojë një dashuri kur ke gabuar fort,
përgjigju përse akoma e do, kur i ke thënë jo,
nuk mund të mendosh për dikë tjetër, o fat i vjetër.

Fjalët kur t’i flasësh, mendo se i dëgjojnë
në mund të lumturosh, mbi veten të qëndrosh,
kur të mbetesh vetëm, me ty dikush do jetë,
se zbret një yll i shndritshëm, lumturi e vërtetë.

Mos harro që je njeri, si çdo njeri.
mos kërko arsye, beko me dashuri,
mendo se në jetë dikush të do,
jeto me shpirt të pastër dhe shpreso. Isidor Koti

Shkruaj e fshij

Shkruaj e fshij… fshij e shkruaj,
nuk dua ta pranoj, që për ty vuaj,
më mirë ta fsheh apo ta nxjerr?
kur pritja zgjatet më duket tmerr…

Kalojnë minutat, oret kalojnë,
si të veproj, jo nuk më tregojnë,
ndaj rri e heshtur, me sytë nga ti,
sa do zgjasë kjo heshtje, as vetë s’e di…

Ndjenjat si gonxhe çelin çdo ditë,
nga zemrat tona duhen vadit,
se ndryshe jo, nuk mbijetojnë,
në këtë botë të egër që na rrethon…

Të vish drejt meje, shumë po të pres,
si lulet diellin, për çdo mëngjes… Vita Mina

“Mua veç nana më ka lidhë në djep”

Parakalova si në paradë lisa me rrëmba,
Lis me rremba (njerëz me shumë vlera)
Kaq burra të lartë të këtij dheu,
Që të njëshëm me jetën tonë ishin bërë.

Horizontin Bajram Curri ma shkëlqeu…
E kush si ai përmbi ahpatulla
Si Anteu, mban një qytet të tërë…?! Izet S. Çulli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *