Pasaporta është çelësi për të hyrë në vende të tjera. Në radhën për të kaluar në kontrollin e pasaportave, mbase e keni vënë re që këto të fundit prodhohen vetëm në disa ngjyra të caktuara. Në përgjithësi, pasaportat janë vetëm të kuqe, jeshile, blu, ose të zeza. Megjithatë, pasaportat mund të kenë nuanca të ndryshme të këtyre ngjyrave bazë. “Brenda çdo ngjyre ka variacione të ndryshme”, është shprehur në revistën “Business Insider”, Hrant Bogosiani, specialist i fushës.
Si zgjidhet ngjyra e pasaportave?
Ka arsye të ndryshme pse vendet zgjedhin një ngjyrë të caktuar të pasaportave. “Pjesëtarët e BE-së zgjedhin ngjyrën vishnje, ndërsa ata të vendeve karaibe, të quajtur edhe Caricom (15 vende) ngjyrën blu. Mbase zgjedhja e këtyre ngjyrave bëhet për arsye gjeografike dhe politike. “Disa mund të thonë se ngjyra vishnje dhe e kuqja u detyrohen të kaluarës komuniste”, thotë Bogosiani. Ai shton se pasaportat blu janë në përgjithësi simbol i “botës së re”- Amerikës së Veriut, asaj të Jugut, Oqeanisë, etj.
Për disa vende, ngjyra është çështje besimi. “Shumica e vendeve islamike përdorin pasaporta jeshile, për shkak të rëndësisë që ka kjo ngjyrë në fenë e tyre”, thotë Bogosiani. Jeshilja mendohet të ketë qenë ngjyra e preferuar e profetit Muhamed dhe gjithashtu “simbol i natyrës dhe jetës”, gjë që e bënë këtë ngjyrë “të përshtatshme për islamin dhe për Lindjen e Mesme”.
Vende të tjera zgjedhin stile që pasqyrojnë karakterin e tyre individual dhe identitetin e tyre. “Pasaportat zvicerane janë me ngjyrë të kuqe të ndezur”, sjell një shembull eksperti. “Pasaportat turke kanë ndryshuar ngjyrë në vishnje, me shpresë që vendi të futet në BE”. Përsa u përket pasaportave amerikane, çuditërisht ato vijnë në tri ngjyra të ndryshme: të kuqe, jeshile dhe tani së fundmi, blu. Ngjyra e pasaportave diktohet edhe nga prakticiteti. Nganjëherë ngjyra e dokumenteve të udhëtimit varet nga materiali që është gjendje. “Prodhimi i pasaportave është një proces shumë i kontrolluar dhe vetëm disa kompani në botë e realizojnë atë, thotë Bogosiani, ndaj ekzistojnë vetëm disa variacione ngjyrash që u përshtaten standardeve”.
Dizajni i pasaportave po hyn në erën e re. Pasaportat nuk kanë ndryshuar shumë në dekadat e fundit, thotë Bogosiani, por kjo do të ndryshojë shpejt. “Ne po hyjmë në një epokë eksituese në të cilën vendet e ndryshme po u shtojnë veçori speciale pasaportave të tyre, për t’i bërë ato të dallueshme”, tha ai. Disa nga pasaportat më moderne përfshijnë ato me një dizenjo të bukur artistike, si ato të Kanadasë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Kinës, të cilat e ekspozojnë imazhin “e fshehur” vetëm kur ndriçohen me rreze ultravjollcë. Pasaporta finlandeze e lëshuar në vitin 2012, ka imazhin e animuar të një dreri brilopatë që vrapon.
Një sit interneti kohët e fundit bëri një sondazh për të parë se cilat ishin pasaportat më të fuqishme në të gjithë botën. Siti analizoi pasaportat e vendeve të ndryshme në bazë të aftësisë së tyre për të hyrë pa vizë në vende të tjera, koston e aplikimit për vizë dhe sa orë duhet të punojë një qytetar për të marrë këtë dokument. Ja, radhitja e 10 të parave:
10. Holanda: shkon pa vizë në 172 vende dhe kushton 78$.
9. Belgjika: shkon pa vizë në 172 vende dhe kushton 76$.
8. Spanja: shkon pa vizë në 172 vende dhe kushton 30$.
7. Kanadaja: shkon pa vizë në 173 vende dhe kushton 133$.
6. Danimarka: shkon pa vizë në 173 vende dhe kushton 75$.
5. SHBA-ja: shkon pa vizë në 174 vende dhe kushton 135$.
4. Britania e Madhe: shkon pa vizë në 174 vende dhe kushton 109.7$.
3. Gjermania: shkon pa vizë në 174 vende dhe kushton 69$.
2. Finlanda: shkon pa vizë në 174 vende dhe kushton 56$.
1. Suedia: shkon pa vizë në 174 vende dhe kushton 43$.
Nga 50 vendet e marra në studim, më lirë kushtonte pasaporta bullgare, 24$ dhe më shtrenjtë, ajo turke, 251$.
Pasaporta britanike ka një variacion unik: Pasaportën e Mesaxherit të Mbretëreshës, e cila përdoret nga një numër i vogël njerëzish për të çuar informacione të rëndësishme në konsullatat dhe në ambasadat britanike nëpër botë. Një tjetër pasaportë unike është ajo që lëshohet në Kanada, kur qytetarët e saj përdorin pasaporta të bardha, si dokumente të përkohshme udhëtimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *