Është e bezdisshme të kesh të bësh me një narcizist, qoftë në dashuri, miqësi, apo në punë. Ai mendon vetëm për vete, i pëlqen vetëm vetja e vet, ndërsa nuk mendon aspak për të tjerët, të cilët ka tendencë t’i manipulojë. Ja disa këshilla të psikologëve për t’u mbrojtur prej tyre:
- Mos shpreso ta ndryshosh
Është rregulli numër një kur ke të bësh me një narcizist. Ata janë të bindur se kanë gjithmonë të drejtë, nuk dinë të bëjnë autokritikë dhe nuk arrijnë ta mendojnë veten në vend të të tjerëve. Kanë tendencë të të manipulojnë duke nxitur te ti ndjesinë e fajit, zemërim, frikë dhe pasiguri. U pëlqen të krijojnë një marrëdhënie varësie psikologjike. Ndryshimi tek ata nuk ndodh kurrë, prandaj është e kotë të diskutosh me ta dhe të harxhosh kohë e energji. Për të bashkëjetuar me një narcizist, duhet të ndryshosh veten dhe sjelljen tënde kundrejt tij.
- Zgjidh lirinë
Narcizistët që e kontrollojnë mirë veten, përdorin disa teknika për të të mbajtur nën pushtetin e tyre. Ata përdorin sensin e detyrës, ose të mirënjohjes, që të të bëjnë të ndihesh në faj. E gjitha kjo vetëm me qëllimin që të jesh në një mendje me ta. Mëso më mirë të reagosh në mënyrë të pavarur prej tyre, duke e pranuar mosaprovimin dhe zemërimin e tyre. Nëse je pre e një personi tjetër, do të tradhtosh veten. Zgjidh atëherë lirinë, që, përveçse një e drejtë, është edhe një përgjegjësi. Duke e sakrifikuar atë, do të humbasësh identitetin tënd. Askush nuk mund të jetojë një jetë të kënaqshme duke ndjekur dogmat e një personi tjetër.
- Mos ki pritshmëri shumë të larta
Narcizistët pasivo-agresivë dredhojnë dhe u bëjnë bisht detyrimeve, i lënë për më vonë dhe nuk i mbajnë premtimet. Ata tregohen miqësorë, por nuk sillen si miq, nuk i diskutojnë problemet hapur. Ata duan t’u shkojë e tyrja duke u sjellë në mënyrë pasive, pra, duke mos bashkëpunuar kurrë me të tjerët. Ata janë zhgënjyes. Si të reagosh në këto raste? Duhet të kesh pritshmëri të ulëta. Sa më pak besim të kesh tek ata, aq më pak do të zhgënjehesh. Në këtë mënyrë nuk do t’u lejosh atyre sjellje të papërgjegjshme, por do t’i përballësh me realitetin. Duhet të mësosh t’i pranosh ashtu siç janë. Kujto rregullin e parë: Nuk do të ndryshojnë kurrë!
- Mos ua vër veshin justifikimeve të tyre
Ata nuk kanë kurrë faj. Nëse do të përpiqesh t’i kritikosh, dije që do të marrësh vetëm një efekt bumerang. Vërejtjet që do t’u bësh atyre, do të bien mbi ty. Narcizistët kanë nevojë të ndihen të veçantë, pra, ata nuk do ta pranojnë se kanë gabuar. Nuk do t’ia arrish kurrë t’u tregosh se kanë gabuar. Kështu pra, mos i dëgjo “arsyet” e tyre, por vazhdo në rrugën tënde. Mëso të jetosh pa aprovimet e tyre.
- Mos i mbro
Mund të ndodhë shpesh që të të kërkojnë të mos flasësh me të tjerët për problemet tuaja, sepse atyre u pëlqen të kenë një imazh të panjollë. Duke heshtur ti, ata mendojnë se mund të vazhdojnë të të trajtojnë me prepotencë. Kjo ndodh veçanërisht në marrëdhëniet në çift. Nuk u takon atyre të vendosin se çfarë gjërash të jetës tënde do të ndash ti me të tjerët. Nëse do të vazhdosh t’i mbrosh narcizistët duke ndjekur rregullat e tyre në vend të të tuave, nuk do të bësh gjë tjetër veçse do të zgjasësh fatkeqësinë tënde.
- Ji e vendosur në vendimet që merr
Narcizistët shpesh do të mundohen të të manipulojnë duke përdorur sensin tënd të fajit, duke shfrytëzuar në përfitim të tyre aftësinë tënde për përdëllim dhe keqardhje, ndjenja që ata nuk i njohin. Për të mbrojtur veten, duhet të ekuilibrosh këtë tendencë duke qenë e vendosur. Ankimet e narcizistëve nuk duhet të fitojnë mbi vendimet e tua. Vër në punë logjikën dhe instinktin legjitim të vetëmbrojtjes.
- Kanalizoje zemërimin
Narcizistët ngjallin pashmangshmërisht zemërim te të tjerët. Është e gabuar ta lësh zemërimin të të verbojë, por as ta ndrydhësh, sepse kështu do të lëndosh veten dhe do të vuash nga depresioni, ankthi, pendimi, cinizmi dhe mungesa e besimit në vetvete… Një mënyrë pozitive është që zemërimin ta shprehësh pa bërtitje, apo pa bërë spektakël, por duke folur me vendosmëri dhe me besim në vetvete. Zemërimi, në këtë mënyrë, do të përdoret në mënyrë konstruktive për të të bërë të ndjehesh mirë, pa pritur asgjë në shkëmbim nga narcizistët.
- Ji e thjeshtë, mos u bëj si ata
Egoizmi prodhon egoizëm. Nëse ke të bësh me narcizistë, kujdes mos të të ndryshojnë derisa të bëhesh si ata. Të gjithë zotërojmë një tendencë të lindur egoizmi dhe rreziku është të fillosh të trajtosh narcizistin në mënyrë të pasjellshme. Në këtë pikë, instinkti i vetëmbrojtjes kthehet në egocentrizëm. Për ta evituar, nevojitet të jeni të thjeshtë. Kush ka natyrë të thjeshtë dhe të përulur në mënyrë të natyrshme është psikologjikisht i sigurt ne vetvete dhe nuk ka nevojë për aprovimin e të tjerëve. Ky person nuk është prepotent kundrejt të tjerëve, por as nuk ua lejon të tjerëve të jenë prepotentë me të.
- Fali
Aspektet pozitive të faljes janë të shumëfishta. Kjo të lejon të jesh e lirë, të përqendrohesh në gjëra më të rëndësishme sesa zemërimi, të inkurajon të mos fiksohesh pas dikujt që të ka lënduar dhe të lejon të shohësh drejt së ardhmes. Nuk mund të kontrollosh sjelljen dhe zgjedhjet e një personi tjetër, por me kohë mund të mësosh t’i pranosh dhe t’i tolerosh narcizistët ashtu siç janë.