Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Kam humbur gjithçka!

Para 8 vjetësh studioja në një universitet jashtë Shqipërisë dhe vendosa ta bëja shkollën e lartë për Juridik. Isha një studente shumë e mirë dhe gjatë gjithë kohës vetëm studioja dhe nuk më shkonte mendja të bëja asgjë tjetër, pasi qëllimi im isha që të bëhesha një avokate e zonja. Nuk e mendoja kurrë që gjatë kohës që isha në shkollë, të lidhesha me ndonjë mashkull, pasi kisha vendosur që pa mbaruar shkollën nuk do të lidhesha, por ndodhi krejt e kundërta. Që vitin e parë, u njoha me një djalë që e quanin “më të njohurin” e shkollës. Duke qenë se ishte shumë i njohur dhe mbi të gjitha, shumë simpatik, ai kishte shumë femra pranë vetes. Unë kurrë nuk e mendoja se do të lidhesha me të. Ai, që në momentin që më pa, u dashurua pas meje. Unë, sigurisht që e pëlqeja, por nuk isha e dashuruar me të. Fillimisht, takoheshim si shokë, më pas u lidhëm dhe ia kalonim shumë mirë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Edhe ai ishte në të njëjtin grup me mua, por nuk ishte student i mirë, mësonte sa për të kaluar vitin. Kaluan pesë vjet dhe ne ishim shumë të lumtur, kishim kaluar shumë gjëra të bukura bashkë. U kthyem të dy në Tiranë pasi ishim diplomuar si jursitë. Unë gjeta një punë në një zyrë avokatie dhe isha shumë e kënaqur me punën time, ndërsa ai, vitin e parë mbeti pa punë, por më pas filloi punë si drejtor në kompaninë e një mikut të tij. Gjërat shkonin shumë mirë midis nesh, mund të them që ishim perfekt nga të gjitha anët. Unë me një punë shumë të mirë dhe me një rrogë të lartë e ai, gjithashtu. Pas kaq kohësh, duhet ta bënim zyrtare lidhjen tonë, sepse punën e kishim dhe gjithçka po shkonte për mrekulli. Familja ime donte që ai të vinte në shtëpi për të kërkuar dorën time e kishin shumë të drejtë. Një ditë i fola atij për këtë gjë, por më tha se ende nuk ishte gati. Të them të drejtën, nuk u ndjeva mirë, por më pas mendova se është normale që meshkujt nuk duan të krijojnë shpejt familje. Kaloi një muaj dhe familja ime vazhdonte të më ushtronte presion gjatë gjithë kohës për t’u fejuar. Babai thoshte “vajza ime nuk është e përdalë që të dalë lart e poshtë me dikë që nuk e njohim”. Ndihesha e zënë ngushtë, pasi në një anë familja donte që ai të vinte në shtëpi dhe nga ana tjetër, ai që nuk donte. I thashë sërish dhe më në fund, ai pranoi, jo që të vinte në shtëpi, por të takonte një nga pjesëtarët e mi të familjes. Kështu, familja ime vendosi të dilte vëllai. Isha shumë e lumtur pasi gjërat po shkonin për mrekulli, pavarësisht se babai vazhdonte të rrinte i mërzitur me mua, sepse donte që ai të vinte në shtëpi. Familja e tij më njihte dhe ishin shumë të kënaqur me lidhjen tonë. Ne të dy shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin, deri në momentin kur ai filloi të bëhej shumë xheloz dhe më merte shpesh në telefon, ndërsa unë nuk e pyesja kurrë ku ishte, çfarë bënte, me kë ishte, sepse kisha shumë besim tek ai dhe nuk doja të bëhesha e bezdisshme duke i kërkuar llogari. Kohët e fundit, për shkak të punës së tij, kishim filluar t’i rrallonim takimet tona, por unë e kuptoja që ai ishte shumë i zënë me punë, lodhej shumë dhe për këtë, nuk e bezdisja asnjëherë. Prisja që ai të më thoshte vetë për të dalë. Edhe pse nuk doja ta pranoja, kisha vënë re se gjërat midis nesh kishin filluar të ndryshonin dhe ne takoheshim shumë rrallë. Një ditë ai më mori në telefon dhe më tha se kishte një darkë pune. Më erdhi shumë keq kur më tha: “Ti nuk mund të vish, pasi është thjesht darkë pune me disa kolegë”. Nejse, e kalova atë moment, por po atë ditë shefi im më tha se duhet që të shkonim në një darkë zyrtare ku kishin ftuar të gjithë kolegët e zyrës tonë. Të them të drejtën, nuk doja të shkoja, pasi nuk isha në qejf, por darka ishte e detyrueshme dhe nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër. I telefonova të dashurit tim dhe i thashë se edhe unë duhet të shkoja në një darkë pune, por ai filloi të bërtiste e të më thoshte se po hakmerresha ndaj tij që nuk më kishte ftuar. Gjërat nuk ishin ashtu siç ai i mendonte.
U bëra gati dhe u nisa për te restoranti ku do të bëhej darka. U futa brenda dhe u habita që në darkë na kishte ftuar kompania ku punonte ai. Isha shumë e gëzuar, sepse do të ishim bashkë. Po mundohesha ta kërkoja me sy se ku ishte, por nuk ma zunë sytë askund. Pas disa minutash, e pashë duke hyrë brenda me një vajzë që e kishte kapur për krahu. Ajo ishte e veshur shumë ekstravagante dhe nuk ishte aspak tipi im. Nuk doja t’u besoja syve kur e pashë. U afruan edhe më shumë dhe po mundohesha t’i mbushja mendjen vetes se ishte vetëm një kolege, por nuk kaloi pak dhe e pashë duke u puthur me të me shumë pasion. M’u mbushën sytë me lot dhe nuk e doja më veten në ato momente. Mblodha forcat dhe u drejtova për tek ai. Sa më pa, atij i iku fytyra dhe filloi të më thoshte se nuk ishte ashtu siç po mendoja. E qëllova me sa më hëngri dora dhe dola duke qarë me vrap jashtë. Më ndoqi dhe donte të më shpjegohej, por i thashë se gjithçka kishte përfunduar midis nesh. Më kërkoi të falur, por ishte e kotë. Kaluan disa kohë dhe ai vazhdonte të më kërkonte, por unë zbulova nga shokët e tij të ngushtë, të cilët njëkohësisht ishin edhe shokët e mi, se ai kishte rreth një vit që nuk ndjente më asgjë për mua. Pretendonte të martohej me mua vetëm për të qenë gruaja e tij brenda shtëpisë dhe me të tjerat, të bënte qejf. Nuk mund ta merrni me mend se sa të pavlerë e ndjej veten. Është tallur me mua gjatë gjithë këtyre viteve dhe mendoja se për të unë isha gjithçka, ashtu siç ishte edhe ai për mua, por tashmë është thyer gjithçka. Tashmë kam humbur besimin te njerëzit dhe mbi të gjitha, te meshkujt.
Nuk e mendoja kurrë që do të më ndodhte një gjë e tillë mua, që kam bërë gjithçka për të, kam hedhur poshtë rininë time, familjen time, të ardhmen time. Është shumë e dhimbshme të mendosh që dikush që ti e konsideroje gjithçka, tani nuk është më asgjë. Nuk ka gjë më të keqe se të ndihesh e zhgënjyer, e tradhtuar, e poshtëruar. Nuk kam më asnjë lloj synimi për jetën, çdo gjë e shoh të zezë, madje më ka ikur edhe dëshira për të jetuar. Më ka ndryshuar personaliteti, nga një vajzë që kishte synime të mëdha për jetën, tani jam kthyer në një njeri të egër që nuk do t’ia dijë për asgjë në këtë botë. Thonë se “koha shëron gjithçka”, por unë mendoj se ajo kohë për mua nuk do të ekzistojë, pasi kam humbur besimin te njerëzit, interesin per jetën… kam humbur GJITHÇKA!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Mirela Boka: Pse doja të rrija ende në X Factor... Ose unë, ose Floriana! Ja, pse fitoi Mateo e jo unë!

Next Post

A mund të shtyhet menopauza?

Advertisement