Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ç’është kjo këshillë e çuditshme?

 

– I nderuar Dr. Demiri, unë kam qenë te ju disa herë, por dua t’ju bëj një pyetje që nuk pata guximin t’jua bëja drejtpërdrejt. Jam ajo vajza që ju kërkova ndihmë sepse kam frikë të flas para të tjerëve, në publik. Ju më thatë se kjo është frika numër “një” e të gjithëve, por as kjo nuk më ndihmoi. Ajo që mua më çuditi është se ju më këshilluat të bëhesha aktore apo folëse publike… Mendova se u tallët me mua, aq më tepër që ju e vutë re se, përveç sikletit, më mbahet edhe goja, por ju u treguat serioz dhe i vendosur. Ç’ishte kjo këshillë e çuditshme? Pikërisht unë që kam frikë të flas në publik, të bëhem folëse publike?

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist:E nderuar vajzë, e mbaj mend shumë mirë rastin tënd sepse ti je një nga ato vajza të rralla që mbetesh në kujtesë me gjithçka, me sjelljen, me bukurinë, mirësinë, veshjen, elegancën etj. Kur ti erdhe në klinikën time, përveç pak skuqjeje që dukej si një “makiazh” i lehtë e i purpurt, asgjë tjetër nuk vëreja… Ti kishe edhe një buzëqeshje magjepsëse, që ishte aq e pastër. Mbaj mend që në seancën e parë të dolën ca lot, porse të kishte lezet edhe kur qaje. Të thashë se qenke një artiste e vërtetë, ndaj doja të të bindja që ti duhej të bëheshe folëse publike ose aktore. Të dhashë të lexoje një libër “Kalorësi mbi det”, i cili flet për jetën e të madhit Kadri Roshi, i cili në rininë e vet nuk u pranua për konkurrim si aktor vetëm sepse i mbahej goja. Me ushtrime, duke lexuar gjithë ditën në mes të shkurreve te Liqeni i Tiranës, ai e kishte shmangur një herë e përgjithmonë gagaçërinë dhe u bë siç e kemi dëgjuar, një aktor i madh, i famshëm e i papërsëritshëm. Shumë klientëve unë u them: “mos më thuaj se nuk e bën dot, por se ende nuk ke filluar, se nuk po guxoje!”. Më the se në raste të tilla, kishe provuar se të ndihmonte pak uiski. Unë të shpjegova se vërtet alkooli u jep ankthiozëve socialë një antidot të përkohshëm artificial për frikën, por kjo po të vazhdohet, do të rezultojë tragjike. Madje, që në kohërat kur u prodhua, pseudonimi për “uiskin” ishte “guxim fals”, mashtrues e shkatërrues. Deri këtu, e qartë. Tani do të dëshiroj të tregoj se kam pasur edhe unë një periudhë të tillë të vështirë në jetën time, në shkollën e mesme. Ndodhi diçka e turpshme, nuk po gjendej kush e bëri e dyshimi ra mbi mua vetëm sepse u skuqa. Isha 16 vjeç, me shumë sedër e dinjitet. Kur kuptova se dyshonin për mua, skuqesha edhe më shumë, pra, u futa në rreth vicioz. “Kulmi” ishte kur erdhën dy policë e më morën në pyetje si të “dyshuar”. Ata u sollën shumë mirë me mua, por mbaj mend se unë nuk po mbushesha dot me frymë dhe nuk u jepja dot përgjigje. Do të preferoja që të zhdukesha… të arratisesha, të mos më shihte asnjeri! Atëherë, një 15-16 vjeçar ishte si një fëmijë i sotëm. Skuqja e mosfolja rrjedhshëm m’u shtuan edhe më shumë. Doja që t’i mblidhja të gjithë njerëzit, të qaja e t’u betohesha që nuk isha unë fajtori që të më besonin. Unë tani besoja se të gjithë flisnin për mua, por nuk ma thonin. Nuk flija dot gjumë, nuk përqendrohesha dot e nuk guxoja të shihja njeri në sy! Dija mësimet e nuk guxoja të ngrija dorën. Edhe kur lexohej emri për të bërë apelin apo për të dalë në mësim, e ndjeja se si skuqesha deri te veshët. Jeta vazhdonte të më vështirësohej… s’më pëlqente më asgjë. Edhe pse u zbulua autori i vërtetë dhe dy policët që më “akuzuan” më kërkuan të falur, unë nuk po e merrja dot veten. U “tremba” nga jeta, duke menduar se çdo gjë ndodh… Çfarë nuk ndodh! Atëherë nuk kishte psikologë, madje as mësuesit e psikologjisë nuk bënin këshillime, por psikologe e vërtetë me mua u tregua një vajzë nga Shkodra me emrin Adriana Fishta e cila ishte maturante dhe sekretare e rinisë së shkollës. Unë ia tregoja asaj gjithçka dhe kjo vajzë e bukur, e zgjuar, kishte aftësi të rralla dëgjuese që fatkeqësisht, rrallë i gjen te studentët tani. Ajo gjente edhe kohë të më takonte dhe kishte raste kur gati–gati përlotej. Më donte si një vëlla më të vogël dhe unë e ndjeja këtë, porse nuk më “llastonte” madje më jepte ndonjë “dush” të ftohtë (gjithnjë dashamirës) për të më thënë se jeta ka plot ngjarje e dashakeqësi e në këto raste, pavarësisht nga dëmi, nuk të është bërë diçka me dashje. Ka qenë një keqkuptim, pasi fajtori ka bërë gjithçka që dyshimet të binin mbi ty… Unë i thoja se tani “reputacioni” im ishte bërë i pariparueshëm dhe më dukej sikur të gjithë vetëm për mua flisnin, pasi ndoshta ende nuk e kishin marrë vesh se nuk isha unë “fajtori”. I thoja se aftësitë e mia, edhe pse nxënës i të gjitha dhjetave, kishin marrë fund dhe zëri im ngjante si ai që flet nga varri. Mirëpo kjo Adriana Fishta, për të cilën më kanë thënë se ka arritur të bëhet pedagoge në Amerikë (Zoti e ruajtë kudo që të ndodhet!) kishte edhe shumë humor, si shkodrane që ishte dhe më thoshte se “aftësitë e tua nuk humbasin edhe pse ty po të duket sikur po e humbi si ai Xhaferri simiten”. Një herë ajo më tha se ti i ngjan atij të “helmuarit” nga një ushqim i keq, por që do të çhelmohesh ngadalë. Kjo Adriana më nxori edhe te gazeta “Zëri i Rinisë” në atë kohë, si një djalë shembullor dhe nuk harronte të më merrte në çdo mbrëmje që organizonte ajo si drejtuese rinie, si dhe më ftonte për të vallëzuar.

Advertisement

Mbaj mend se prindërit, me gjithë vështirësitë ekonomike që kishin, shitën një relike të veçantë që kishte sjellë gjyshi nga Stambolli e më blenë një kostum të ri, për notat dhjeta, si shpërblim. Merresha edhe me paralele dhe vëreja se dukesha i bukur dhe po tërhiqja vëmendjen e vajzave. Mirë, por përsëri më dukej vetja si një xham i padukshëm që më ndante nga të tjerët, kisha “siklet” kudo, jo vetëm skuqjen, që më dukej sikur më shëmtonte, por edhe vështirësi në të folur.

Mrekullia ndodhi kur kjo Adriana më dha dy role, njëri në estradën që do të organizonte shkolla, tjetri në teatrin amator. Roli komik i bënte për të qeshur të gjithë, por unë e luaja “seriozisht” atë. Roli në teatër më pëlqente shumë. Kur të tjerët mezi mësonin tekstet, unë u futa shpejt në atë rol, aq sa regjisori më quajti “aktor të lindur”. E ndjeja veten si ai që po e shkel frikën e vet, pasi këtë këshillë, që fëmijë, ma kishte dhënë babai, i cili më thoshte: “vrapo drejt frikës” dhe unë thellë brenda vetes e ndjeja se kisha nevojë për këtë gjë. Në prova fillova të dilja shumë mirë, madje edhe në një valle që na e mësoi koreografi, porse skena, kur e mendoja… më bënte të ngrija nga tmerri. Diku në një libër lexova se pjesën më të madhe të guximit e përbën praktika dhe shpejt kjo u bë e vërtetë edhe me të folurin tim në skenë. Kisha dëgjuar se Demosteni u bë orator i madh duke folur me orë të tëra para dallgëve të detit të cilat “oshëtinin” si publik i fantaksur. Po kuptoja se frika për të bërë diçka mund të kurohet vetëm duke e bërë këtë “diçka”. Dhe, duke i përsëritur këto vazhdimisht, më dukej sikur ndjenjat energjike çanin të gjitha “ujëvarat” e frikës.

Dhe ja tek më keni, besimi im u ndërtua në atë mënyrë saqë nuk e kam problem të flas para mijëra njerëzve, para studentëve ose nëpër televizione, pa dashur t’ia di se cila është tema. Them ato që mendoj dhe aq! Porse, mos ma kujtoni daljen e parë në televizion kur isha pedagog i ri i jashtëm. Çdo gjë doli aq qetë e bukur, por së brendshmi nuk e harroj atë “torturë” kur i veshur me kostum e kollare nuk po guxoja të fshija as djersët nën llampat si saç, se të tilla ishin kushtet atëherë… Me sa duket, këto lloj “telashesh” më gjenin mua që t’i kaloja e t’i vuaja vetë për t’u bërë nga “viktimë” në shkencëtar menaxhues e për të ndihmuar mijëra të tjerë, siç kam bërë prej shumë vitesh. Besoj se do ta kuptoni, pse të thashë të bëhesh aktore!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ylli Baka: Do të ishte gabimi im më i madh!

Next Post

Krijimet tuaja...

Advertisement