– Kam një problem me të ëmën e djalit që dua. Ajo nuk do që ne të fejohemi sepse sipas saj, nuk jam e denjë për të birin. Ka plasur një debat i madh dhe djali më ka thënë me lot në sy: “Duhet të ndahemi, sepse mami im është bërë shumë keq dhe më ka vënë para dy zgjedhjeve. Unë nuk mund t’ia vë shkelmin mamit se ajo vetëm mua më ka”. Nuk di si të veproj, po më ikën truri, i kam thënë që “nuk e humbet nënën dhe nëse më merr mua për nuse”, por ai ka frikë se mos i ndodh gjë mamasë së tij. S’e kuptoj sjelljen e tij prej fëmije. Ajo nuk më do mua si nuse të djalit, sepse urren zonën nga jam unë dhe nuk i dukem e denjë për të, se ai është avokat, ndërsa unë mësuese kopështi. Ju lutem juve, çfarë më këshilloni?
Borana Marku, psikologe: – E dashur lexuese, e kuptoj shumë mirë gjendjen tuaj, sepse për fat të keq, vitet e fundit janë shtuar shumë raste të tilla. Më vjen çudi sepse ne jemi të gjithë shqiptarë. Imagjino sikur të biem në dashuri me një djalë të huaj, ose anasjelltas, si do të vepronin shumë nëna të tilla? Ajo është një nënë egoiste, mendon vetëm për veten dhe jo për vuajtjen e djalit të saj; do që të fitojë vetëm ajo. Duhet të dini se çfarëdolloj kërcënimi t’i bëjë ajo djalit që doni ju, janë shtirje nga ana e saj, sepse nuk do të bëjë asnjë vetëvrasje siç mund të mendohet, apo të sëmuret, siç thonë shumica e këtyre nënave. Nuk dua të bëj gjykimin e sjelljes së saj, sepse ju shkruani se si të zgjidhni problemin tuaj, por sinqerisht më vjen shumë keq që ekzistojnë nëna kaq të liga në thelb. Unë do të doja t’u bëja apel të gjitha nënave që të mos ndërhyjnë në një çift, sepse edhe vetë besimi fetar, nëse besojnë, i dënon këta lloj njerëzish. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një person pozitiv. Çfarë lidhjeje ka këtu niveli, apo vendi nga vijmë? Rëndësi ka karakteri i njeriut, fakti që e do punën, që do të krijojë familje. Atëherë, si mund t’i shajmë ne të huajt kur tregohen racistë ndaj nesh, ndërkohë që ne vetë me njëri-tjetrin jemi racistë?!
Gjithsesi, dalim te problemi juaj, sepse kjo temë më preku vërtet shumë. Dua t’ju këshilloj, e dashur vajzë, edhe pse me dhimbje të madhe, që të dorëzoheni. Hiqni dorë nga ky “djalë mamaje”. Ai është shumë i dobët, përderisa ka gjetur këtë zgjidhje, duke ju dhënë shkelmin juve. Pse duhet të këmbëngulni më tepër? Nëse ai vërtet ju do me shpirt dhe është burrë që di të mbajë përgjegjësitë e veta, nuk do të hiqte dorë nga ju, por edhe nënën do ta mbante afër. Ai është i papjekur dhe nuk ju meriton. Ruani dinjitetin e karakterin tuaj dhe largohuni nga ai një orë e më parë. Në atë familje nuk do të ishit kurrë e lumtur, sepse do ta kishit gjithmonë në mes mamanë e tij. Ajo do të arrinte gjer aty sa do t’ju bënte të largoheshit vetë, sepse keni të bëni me një partner të dobët. Po të ishte person i fortë partneri juaj, ajo nuk do t’ju lëndonte kurrë. Është ai i dobët, ndaj ka ndërhyrë nëna e tij. Hiqni dorë prej tij dhe shikoni përpara. Vetëm kështu do të ndiheni më e qetë dhe do t’i jepni mundësi vetes të njihni një djalë tjetër që t’jua dijë vlerat dhe t’ju dojë pa kushte. Atij, le t’ia gjejë mami nusen… Ju uroj shumë fat!