Këtë vit pritet të ndodhin disa evenimente, si zgjedhja e presidentit amerikan, Lojërat Olimpike Verore, etj. Ja, cilat janë ato që kemi zgjedhur për ju:

 

  1. Viti i bishtajoreve

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka shpallur 2016-ën Vitin Ndërkombëtar të Bishtajoreve. Ato njihen për sasinë e lartë të proteinave, vitaminat e kripërat minerale, si edhe vetinë për të ngopur. Nisma ka për qëllim të theksojë këto cilësi, të promovojë prodhimin e tyre në botë, të ndihmojë në rotacionin e të mbjellave, si dhe të ndihmojë prodhuesit e shitësit e tyre në sfidat me të cilat përballen.

  1. Viti i Majmunit të Kuq, të Zjarrtë.

Sipas kalendarit kinez, 2016-a është viti i Majmunit të Kuq, të Zjarrtë. Kinezët do ta festojnë vitin e ri më 8 shkurt 2016.

  1. Vit i brishtë

2016-a është një vit i brishtë dhe këtë vit, shkurti ka 29 ditë.

  1. E hënë

Datat 04/04/2016, 06/06/2016, 08/08/2016, 10/10/2016 dhe 12/12/2016 bien të hënën.

  1. Zgjerimi i Kanalit të Panamasë

Kanali i Panamasë do të zgjerohet si pasojë e një projekti të quajtur Seria e Tretë e Projektit të Bllokimit. Zbatimi i projektit pritet të fillojë në prill dhe do të dyfishojë kapacitetin e kanalit.

  1. Viti i shfaqjes në kinema të filmave të rinj me buxhet të madh (blockbuster)

Këtë vit do të shfaqen në sallat e kinemasë filma të rinj (ose vazhdime filmash) me buxhet të madh si “X-Men-Apokalipsi”, “Deadpool” dhe “Rogue One: A Star Vvars Story”.

  1. Lojërat Olimpike Verore

Lojërat Olimpike Verore do të zhvillohen në Rio de Zhaneiro, duke filluar nga 5 gushti. Më shumë se 10 mijë atletë nga 200 vende të ndryshme pritet të marrin pjesë në këtë eveniment.

  1. Zgjedhjet presidenciale në SHBA

Më 8 nëntor 2016, do të zgjidhet presidenti i 45-të i SHBA-së.

 

Bifteku më i shtrenjtë në botë

Tendenca e momentit për mishngrënësit është të konsumojnë biftek të vjetëruar, ashtu si vera; vetëm se ai nuk vjetërohet në fuçi ahu, por në një dhomë të ftohtë për 15 vjet rresht dhe kushton 3200 $.

Kasapi francez Aleksandër Plomar, i cili e ka trashëguar këtë profesion brez pas brezi, që prej vitit 1846, është bërë i njohur për shkak të “vjetërimit të thatë”, një tendence kulinare që konsiston në vjetërimin e mishit para se të konsumohet. Në vend që ta lërë mishin të prishet për javë të tëra mbi një zgarë të thjeshtë ose të varur në çengel, ai i vë të “bien në letargji” bërzollat dhe filetot e viçit falë ventilimit me ajër të ftohtë, të lëshuar me një shpejtësi 120 km/orë në një mjedis me temperaturë -43 gradë celsius. Kjo teknikë është inauguruar nga gjyshi dhe babai i Plomarit në vitet ‘90 dhe lejon ruajtjen e mishit për vite të tëra. Këto lloje mishrash më pas marrin një vlerë shumë të madhe, njëlloj si atë të një vere me të njëjtën moshë. Kështu, mishi i viçit vintage 2000 figuron në listën e disa restoranteve më të shtrenjta në botë dhe mund të kushtojë deri në 3000 euro. Ky çmim justifikohet nga mosha e mishit, por edhe nga origjina e tij: Bëhet fjalë për një racë të përzgjedhur lopësh në Francë, rivale e Black Angusit në SHBA, të rritura në gjendje të lirë dhe jo në stalla. Ja si është shprehur Plomari në CNN: “Doja të përmbysja traditat në këtë fushë dhe t’i inkurajoja njerëzit të hanin mish viçi, duke u ofruar atyre diçka të jashtëzakonshme”.

 

Shtëpia prej keku e Hansit dhe Gretës ekziston vërtet

Kristinë Mekonell e tregoi veten që ishte një artiste ekstravagante dhe eksentrike qëkur vendosi ta transformonte vilën e prindërve të saj në një shtëpi të magjepsur. Në atë kohë ishte festa e Hallouinit, por tani që është Krishtlindje, ajo vendosi të hiqte kungujt e përbindëshat dhe ta transformonte banesën në një shtëpi prej keku, si ajo e Hansit dhe Gretës. Kështu, ajo ka përdorur fantazinë për të krijuar karamele, burra prej xhenxhefili dhe zbukurime të ndryshme bardhë e kuq; një atmosferë festive, unike për shkak të detajeve të realizuara prej shkume dhe najloni. Për të theksuar edhe më shumë efektin e përrallës, artistja dhe nipi i saj kanë luajtur edhe rolin e modelëve, duke u transformuar në dy fëmijët e krijuar nga vëllezërit Grim. Në foto, do të shihni rezultatin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *