Ju tregoj për librin tim…

 

Ai është nga ata personazhe që e do punën dhe nuk përton të ngrihet që pa zbardhur dita, për të qenë pjesë e mëngjesit së të gjithë shqiptarëve kudo ku ndiqet Klan Tv dhe “Aldo morning shovv”. Që prej tre sezonesh, ai raporton në këtë emision dhe si duket, dashuria për televizionin, por edhe për gazetarinë në tërësi, ka bërë që Hermes Nika të jetë një fytyrë e dashur për publikun shqiptar. Ai nuk ka vonuar edhe në risi… Nuk ka shumë kohë që Hermesi hodhi në treg librin e parë të tij, kushtuar seksit të brishtë, femrës, me titull “Magjia femërore”, një libër me përmbledhje intervistash të personazheve-femër nga fusha të ndryshme të jetës. Hermesi nuk ngurron të tregojë edhe që është shumë i dashuruar me Anxhelën, e cila ka ditur t’i fitojë zemrën dhe ta jetojnë dashurinë ashtu si e ndjejnë…

 

– Hermes, ky është për ty sezoni i tretë si reporter i Tiranës në “Aldo Morning Shovv”…

Po, për të tretin vit radhazi unë raportoj për qytetin e Tiranës dhe më përshtatet ky format televiziv. Falënderoj produksionin që më përzgjodhi edhe këtë sezon, Aldon dhe skenaristen Edlira Baholli.

– Çfarë mendon se të bën të pëlqyeshëm për publikun?

– Mendoj se çiltërsia dhe komunikimi im kanë krijuar ndjesi pozitive në publik. Tashmë, të gjithë më njohin si Hermesi i “Aldo Morning” dhe ndihem mirë kur më etiketojnë kështu.

– Ç’do të thotë të punosh për tre sezone rresht në një televizion kombëtar dhe në një emision me shikueshmëri të lartë?

– Sigurisht që do të thotë shumë punë, emocion e përgjegjësi për të dhënë më të mirën e mundshme. Pa dyshim që pjesa e planifikimit dhe organizimit është më e vështirë sesa prezantimi, por më ndihmon fakti që emisioni tashmë është i afirmuar dhe shumica e njerëzve e njohin dhe e vlerësojnë. Jam i lumtur që drejtoj qytetin e Tiranës, ku informoj publikun me lajme urbane.

– Hermes, nëse nuk do të ishe gazetar kulture, çfarë rubrikash do të mbuloje? Nuk besoj se kronikën e zezë!

– Pse jo, nëse do të më kërkohej?! Jam shumë i lumtur për çdo mundësi që më është dhënë në jetë. Mendoj se në çfarëdo profesioni të isha, do të bëja më të mirën time që të arrija sa më lart dhe të isha i suksesshëm.

– Ti je diplomuar për Gjuhë të Huaja dhe ndërkohë, vazhdon masterin për Gjuhësi-Gazetari. Sa ndryshon leksioni me praktikën?

– Unë këtë vit përfundoj studimet e larta master për Gjuhësi-Gazetari, ku edhe kompletohem juridikisht. Prej katër vitesh po merrem me televizion dhe kam patur fatin që leksionet e marra në auditor t’i praktikoj në programet e ndryshme televizive.

– Si ka qenë marrëdhënia jote me kamerat në fillim?

– Shumë e mirë, pasi fillimet i kam patur si model dhe jam njohur me aparatin në fotosesionet e ndryshme. Kanë qenë shumë gjëra së bashku që më kanë çuar drejt ekranit dhe televizionit. Ka qenë dhe është e vështirë, por falë talentit dhe vullnetit tim, ia kam dalë mbanë.

– Si ndihet një gazetar kur e intervistojnë gazetarët e tjerë?

– I vlerësuar, sidomos nga profesionistë si ti.

– Sapo ke promovuar librin tënd të parë “Magjia Femërore”, kushtuar femrave. Ç’të shtyu t’u dedikosh një libër atyre?

– Ditët e para të nëntorit ky libër doli në çdo librari në Tiranë ku edhe organizova një promovim mondan. Ky libër me intervista u dedikohet femrave (këngëtareve, pedagogeve, moderatoreve, juristeve, producenteve, modeleve) atyre që me zërin e tyre magjik, me modelin ndryshe të moderimit, me mënyrën elokuente të shpjegimit, me mënyrën delikate të sjelljes, me elegancën e paraqitjes, me artikulimin perfekt të shqipes, janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë.

– Vlerësimet dhe kritikat që more për librin…

– Vlerësimet ishin pozitive nga familjarë, miq e kolegë. Sigurisht që pati edhe kritika, për shembull nga pedagogu im, i cili ishte hasur disa gabime të vogla ortografike.

– Çfarë do të mbetet gjatë nga ajo natë e promovimit të librit në mendjen tënde?

– Hareja, miqësia dhe urimet e pafundme të pjesëmarrësve. Nuk dua të lë pa përmendur edhe mbështetjen e jashtëzakonshme që më ka dhënë redaktori i librit dhe prezantuesi i mbrëmjes së promovimit, Albert Zholi.

– Panairi i librit s’ka shumë që mbaroi… Mbete i kënaqur nga prezantimi yt aty?

– Po, për të parin vit isha pjesëmarrës në panairin e librit në Pallatin e Koncerteve, ku realizova edhe një kronikë për “Aldo Morning”. Gjithçka shkoi mirë. Shitjet kanë shkuar shumë mirë dhe jam vërtet shumë i kënaqur nga ky fakt.

 

Më afër me Hermesin

 

– Hermes, si po shkon dashuria me Anxhelën?

– Një mrekulli. Kemi edhe ne ato lëkundjet që ka çdo çift e zënka, por jemi shumë të lidhur dhe shumë të dashuruar me njëri-tjetrin.

– Ç’është jeta pa dashuri, sipas Hermesit?

– Nuk ka kuptim. Dashuri është vetë jeta.

– Po dashuria pa të dashurën e zemrës në krah?

– Nuk ka dashuri pa atë.

– Sa i dashuruar je?

– Aq sa duhet…

– Miqtë e tu më të mirë në gazetari…

– Kam shumë, shumë pak miq në gazetari. Ata që kam janë miq të vërtetë dhe më janë gjendur pranë në ditët më të vështira.

– Çfarë nuk do të falje në jetë?

– Tradhtinë dhe hipokrizinë.

– Ku do t’i kalojë Hermesi festat e fundvitit?

– Ende nuk e kam menduar.

– Të pëlqen më shumë Krishtlindja, apo Viti i Ri?

Të dyja. Më pëlqejnë të gjitha festat sepse sjellin atmosferë.

– Në të tilla festa, më tepër merr apo jep dhurata?

– Të dyja bashkë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *