Këto janë bukë tradicionale të Selanikut, që janë të ushqyeshme si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit.
Përbërësit
500 gr miell
1 pako maja e thatë
1 filxhan çaji ujë i vakët
1/2 lugë kafeje sheqer
1/2 lugë kripë
1/4 filxhan çaji vaj ulliri
250 gr fara susami
Përgatitja
Në një tas të madh hedhim miellin, kripën, sheqerin, majanë e vajin dhe i përziejmë gjersa të thithet vaji. Hedhim ujin e vakët pak e nga pak dhe e ngjeshim brumin, sa të mos ngjitet në duar ose në tas. E mbulojmë dhe e lëmë masën e tij të fryhet dyfish, rreth 1 orë, në një vend të ngrohtë. Kur brumi është fryrë, e punojmë përsëri edhe 5 minuta.
E ndajmë brumin në 5 pjesë dhe hedhim miell në tavolinën ku e punojmë. Bëjmë kordona 30 cm të gjatë. Kemi një tavë të vogël në të cilën mbajmë ujë të vakët. Kordonin që kemi bërë e fusim shpejt në ujë të vakët. Më pas, bashkojmë 2 skajet dhe e zhysim në enën ku kemi susamin, që ai të ngjitet kudo.
Ngrohim furrën në 200 gradë e pastaj e ulim në 180 gradë. I pjekim gjersa të marrin një ngjyrë të florinjtë. I servirim të ngrohta.
Si brumin e kuluraqeve, ashtu edhe kur ato janë të pjekura, mund t’i vëmë në ngrirje e t’i përdorim më vonë, duke i ngrohur më parë.