– Doktoreshë Mira, ju përshëndes! Kam një pyetje për ju: në muajin korrik u bllokova nga një ftohje. Vajta në spital dhe u vizitova nga një mjek i përgjithshëm, i cili më tha se jam me bronkopneumoni dhe më dha disa antibiotikë. Mbarova kurën, por përsëri ndihesha keq. Kësaj radhe vajta te mjeku specialist për ftohje në një klinikë private. Ai më bëri skopi dhe më tha se kam kaluar pneumoni (që sipas tij, është një shkallë më keq). Më dha një recetë me antibiotikë kokrra. I mbarova ato, por prapë pa efekt. Vajta përsëri, m’i ripërsëriti antibiotikët dhe më tha që të mos shkoja më sepse nuk do të kisha nevojë. Për më shumë se një muaj nuk ndjeja më shqetësim, mirëpo pastaj fillova të ndjeja bllokim në stomak, nuk mbushesha dot me frymë dhe ndjeja edhe therje në shpinë. Vajta përsëri te mjeku që më tha: “nuk ke asgjë”, por kaloi edhe muaji shtator dhe përsëri kam të njëjtat shqetësime, ndërkohë që më thonë që nuk kam asgjë. Dy ditë më liron dhe një javë më shtrëngon aq shumë, sa duhet të përkulem për t’u mbushur me frymë. Vetë trupi ma kërkon vazhdimisht të bëj një frymëmarrje të thellë për t’u rehatuar, ndërkohë që kur kaloj ato dy ditët e rehatshme, trupi nuk ma kërkon të bëj frymëmarrje të thellë dhe të detyrueshme. Ju lutem, më ktheni një përgjigje se dua të marr frymë lirisht. Jam 38 vjeç.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – I nderuar 38 vjeçar, e kuptoj shqetësimin tuaj. Shqetësimeve që shfaqni ju, si: bllokim në stomak, mosmbushje me frymë, shtrëngime dhe përkulje për t’u mbushur me frymë, besoj se u duhet kushtuar vëmendje më e madhe. Kjo, për të përjashtuar një astëm apo një bronkit astmatik, ndaj ju duhet të bëni patjetër një vizitë te mjeku alergolog, sa më shpejt të keni mundësi. Nuk mund të zgjidhet asgjë nëpërmjet një letre. Kështu, vetëm mund t’ju drejtojmë. Nevojiten analiza, konsulta dhe shikimi nga afër i gjendjes tuaj që të arrihet në një konkluzion dhe të merrni më pas mjekimin e duhur. Ju uroj shërim sa më të shpejtë.