Fabjola Kuburi: – Nisida, si nisi rruga jote drejt gazetarisë dhe si u gjende në Nevvs 24?

Nisida Knezi Tufa: – Gjithçka ka nisur shumë heret për mua. Sapo përfundova gjimnazin “Petro Nini Luarasi” e teksa konkurroja për të vijuar studimet e larta, nisa të shkruaja te “Gazeta Shqiptare”. Aty kisha një rubrikë timen. Më pas u çel suplementi “Reportazh” në të cilin shkruaja rregullisht. Mbulova kulturën për disa kohë derisa në vitin 2003 u hap televizioni Nevvs 24. Fillimisht punova si gazetare terreni, por edhe në redaksi, ndërsa që prej vitit 2005, me propozim të drejtuesve të televizionit, drejtoj edicionet informative. Kështu nisi rruga ime e mrekullueshme e ekranit.

– Ti ke shumë vite në këtë profesion. Çfarë ka ndryshyar në gazetarinë shqiptare?

– Ka ndryshuar jo pak, mendoj. Çelja e televizioneve informative, i pari ndër të cilët ishte Nevvs24, ka ndikuar shumë në shpejtësinë e përcjelljes së lajmit. Është shtuar më shumë edhe gazetaria investigative, mendoj. Tanimë, lajmi shpërndahet kudo në kohë reale dhe ka terren edhe më të mirë për t’u rritur cilësia e tij.

– Si ndikon interneti në gazetari, pozitivisht apo negativisht?

– Patjetër që pozitivisht. Ndikon për mirë sepse tashmë mënyrat për të hulumtuar e investiguar janë më të sofistikuara. Lajmi mund të pasurohet dhe t’i shkohet më thellë në mënyra nga më të ndryshmet, falë teknologjisë së avancuar.

– Cili do të jetë fati i shtypit të shkruar tani që interneti është bërë kaq popullor?

– Eh, kjo është një pyetje shumë e drejtë! Jo vetëm te ne ndihet një farë “krize” te shtypi i shkruar. Kjo ka marrë përmasa botërore. Përmenda më lart internetin dhe dobitë dhe të mirat e tij për t’i shkuar më në kockë lajmit, por në këtë pikë është pikërisht interneti ai që ndikon negativisht te gazetat apo revistat e printuara. Shumëkush tashmë me një klikim mund të njihet online me gjithçka, pa patur nevojën të blejë që herët në mëngjes numrin e ri të asaj gazete që i intereson. Negativisht këtu ndikojnë edhe rrjetet sociale që e shpërndajnë çdo lajm si virus. Shtypi i shkruar ndihet me të vërtetë i riskuar në këtë pjesë.

– Ndërkohë, ti drejton edhe emisionin “Panteon”… Na trego pak më shumë për idenë, realizimin dhe targetin që ka ky emision…

– Emisioni “Panteon” në Nevvs24 ka nisur tash prej 2 vjetësh. Them me bindje se është i vetmi emision në Shqipëri që u kushtohet figurave të mëdha që nuk jetojnë më, por që kanë bërë epokë në periudhën e tyre dhe kanë mbetur në mendje e kanë lënë gjurmë te publiku i gjerë. Ishte një ide e përbashkët me drejtoreshën e programacionit në Nevvs24, që të realizonim një emision të tillë dhe e vumë në jetë. Personazhet janë nga më të ndryshmet, kryesisht kombëtarë, por edhe ndërkombëtarë. “Panteoni” është emision që edhe mua vetë më ngjall shumë nostalgji, ndaj edhe figurën e çdo personaliteti të cilësdo fushë, e thur me shumë dashuri dhe mundohen të bëj maksimumin, për të realizuar një profil të plotë shoqëruar edhe me insertet që i japin larmi.

– A ka ndodhur që të ftuarit në “Panteon” të mos vijnë ose të vijnë në momentin e fundit?

– Të them të drejtën, nuk më ka ndodhur asnjëherë, pasi të gjithë ata që unë përzgjedh për të folur për personazhin e radhës, e pranojnë ftesën me shumë respekt dhe flasin me mjaft përkushtim. Jo më kot përzgjidhen. Janë ose miq të ngushtë, ose kolegë të mirë, ose familjarë. Kjo më bën të kem një korrektesë absolute prej tyre. I vetmi rast që bën përjashtim nga e gjithë kjo dhe mua më vjen shumë keq që ka ndodhur, është këngëtari i nderuar Sherif Merdani. E ftova me shumë dëshirë për të qenë i pranishëm në emision. E pranoi ftesën duke më siguruar gjithçka dhe në orët e fundit, fiku telefonin. Në emision nuk erdhi. Probleme nuk më krijoi se u zëvendësua menjëherë, por përgjigjja që më dha kur i telefonova pas emisionit, nuk ishte aspak e këndshme.

– Cili është kriteri i përzgjedhjes së personazheve që bëhen pjesë e këtij emisioni?

– Personazhet të cilëve do t’u realizohet profili në emision, përzgjidhen kryesisht në bazë të një kalendari ku ne orientohemi me datat e tyre të lindjes apo ndarjes nga jeta.

– Në vende si Shqipëria duhet guxim për të thënë të vërtetën apo jo?

– E vërteta duhet thënë dhe duhet të investohet për ta bërë këtë. Por sigurisht që do punë për këtë dhe jemi disi larg. E rëndësishme është që përpjekje ka mjaft dhe përsa i takon lajmit, në këtë pjesë ka progres.

– Cila është intervista apo lajmi më i bukur që ke realizuar deri më sot?

– Është e vështirë të veçosh pasi ka shumë. Momentet e bukura janë plot. Transmetimet direkte maratonë për lajme të bukura kanë qenë nga më të shumtat. Më të fundit, do të veçoja hyrjen e kombëtares sonë në kampionatin europian. Pas një demoralizimi total që përjetuam në ndeshjen me Serbinë, fitorja me Armeninë ishte lajmi më i bukur që mund të jepnim. Po kështu, Kosova në UNESCO. Përmenda më të fundit, pasi të tilla ka shumë.

– A e ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

– Jo. Deri më tani nuk kam menduar asnjëherë të largohem nga Shqipëria. E dua vendin tim dhe e adhuroj punën që bëj.

– Çfarë të mban të lidhur me këtë vend?

– Më mban familja e shëndetshme që kam, profesioni, puna që bëj dhe gjithçka që ma bën ditën e bukur dhe që në fund të mos mendoj se nga ky vend duhet të largohem.

– Ç’mund të na thuash për njëanshmërinë politike të mediave?

– Nuk dua të flas për njëanshmëri të mundshme në ndonjë media në vend, por dua të fokusohem te televizioni ku punoj. Mund të them me bindje, që në Nevvs 24 punohet dhe i përkushtohet me forcë lajmit dhe rendimenti që duhet të kemi me të. Për ne, ka rëndësi vetëm cilësia e tij. Asgjë tjetër nuk është primare. Transmetojmë gjithçka në transparencë dhe neutralitet të plotë.

– Në parim, gazetari duhet të nxjerrë sekrete apo duhet të ruajë një etikë profesionale?

– Një ndër rregullat kryesore në gazetari është ruajtja e konfidencialitetit dhe burimit nga i cili e merr lajmin. Kjo ka rëndësi shumë të madhe. Vërtetësia e lajmit është pika kyçe, ndërsa fshehtësia për të, është çështje më vete.

– Cila është ndjesia e të qenit një nga imazhet kryesore të lajmeve në televizionin Nevvs 24?

– Është ndjesi e bukur. Ndien të të përkëdhelet sedra në atë që bën. Ndihesh e dobishme në punën tënde. Të jesh pranë publikut me ato që përcjell është me shumë rëndësi. Ke vëmendje maksimale dhe sigurisht, ndihesh me shumë përgjegjësi, pasi pas teje punon i palodhur një ekip fantastik profesionistësh.

– Ke ndjekur ndonjë model në profesion?

– Nuk kam ecur me ndonjë model, por televizionet italiane i kam ndjekur gjithmonë. Më pëlqen thjeshtësia e tyre kur drejtojnë edicionet informative. Janë për t’u marrë shembull.

– Çfarë formati tjetër do të doje të prezantoje?

– Nuk do të doja të bëja absolutisht asgjë përveç kësaj që bëj aktualisht. Ndihem mirë dhe me shumë dëshirë për të bërë më të mirën në punën time. Edhe mësimet janë në vijimësi. Gjithmonë mësoj për më mirë.

– Ti je nënë e dy djemve të vegjël. Sa e vështirë është të jesh, edhe një grua në karrierë, edhe një nënë e mirë?

– Kam dy djem të vegjël, Enio 5 vjeç dhe Jon 2 vjeç. Për mua dhe bashkëshortin janë pasuria dhe dashuria më e madhe. Bëjmë gjithçka që atyre të mos u mungojë asgjë. Janë në kopësht në pjesën e parë të ditës deri pasdreke, ndërsa më pas mundohem të jem sa më e pranishme tek ata. Fundjavat janë tërësisht për ata. Synoj maksimumin, por se sa arrij, nuk mund ta vlerësoj unë.

– Ke hequr dorë nga diçka, qëkur je bërë nënë?

– Nuk kam ndryshuar shumë në jetën time pasi u bëra nënë. Ndryshimi është vetëm te koha e madhe që zënë fëmijët. Gjithçka tjetër mbetet me rregullin e mëparshëm.

– Ku e zbraz stresin e punës Nisida?

– Fëmijët janë antistresi. Shëtitjet me ta, udhëtimet, fundjavat e bukura janë ilaçi më i mirë.

– A të ka bezdisur ndonjëherë fakti i të qenurit personazh publik?

– Jam mësuar dhe nuk më bën përshtypje, por shpeshherë harroj. Madje, nuk e kam në vëmendje. Jam shumë e thjeshtë në çdo situatë.

– Cila është marrëdhënia jote me celularin dhe me internetin?

– Marrëdhënia me celularin? (Qesh) E ngushtë, do thoja. Si të gjithë. Me aq kohë sa kam. Edhe kur jam në shtëpi, informohem përmes tij.

– Në 15 tetor, ti kishe ditëlindjen dhe kolegët të surprizuan me një kamerë të fshehtë, sa të bukur, po aq edhe origjinale. E kujt ishte idea?

– Po, është e vërtetë. Pata një surprizë të këndshme që ishte një kamera e fshehtë mirëfilli. Në fillim u tremba shumë sepse më nisi e qeshura jashtë kontrollit dhe për mua, kjo është shumë e vështirë të ndodhë në kohën kur jam në transmetim. Zakonisht më karakterizon serioziteti i tepërt dhe ftohtësia. U tremba sepse mendova se e humba. Idea ishte e kryeredaktores së lajmeve në Nevvs24, Anila Jole dhe gjithçka ishte thurur në formën më origjinale. Gjej rastin ta falënderoj Anilën për këtë surprizë që për mua do të mbetet kurdoherë një kujtim i papërsëritshëm. Isha turn i parë atë ditë dhe më thanë që duhet të zbrisja shpejt për edicionin e parë. Me të përfunduar edicionin, kryeredaktorja më tha se duhet të qëndroja në studio. Një lidhje direkte më priste me gazetaren Ina Qirjo pranë banorëve të një pallati që ishte në rrezik të shembej. I gjithë stafi po përkujdesej që unë të mos kuptoja gjë dhe gjithçka po ma servirnin si mjaft reale. Më vonë ishte ajo që patë ju të gjithë.

– Sikur të kishte ndodhur realisht ajo lidhje direkte në atë formë, do kishe reaguar në të njëjtën mënyrë? Si do të dilje nga situata?

– Unë atë situatë për reale e mora. Në asnjë moment nuk dyshova. Sa mirë që nuk ishte e vërtetë, se reagimi i njëjtë do të ishte!

– Është klikuar shumë kjo video! Mund të themi që je bërë akoma më e dashur për publikun?

– Unë kam mbetur tërësisht e çuditur se sa popullore u bë ajo video. U shpërnda në kohë rekord dhe klikimet në dy ditë u bënë 60 mijë. Publiku e ka vlerësuar me dashamirësi dhe i ka pëlqyer. Mendoj se mënyra origjinale që zgjodhi kryeredaktorja, bëri që të ishte e gjitha kështu. Kam marrë shumë përgëzime.

– A ishte kjo ditëlindja më e bukur që ke kaluar ndonjëherë?

– Thonë që mosha 33 vjeçare është mosha e artë ose siç njihet ndryshe, mosha e Krishtit. Dhe unë, me të vërtetë pata ditëlindjen më të bukur.

– Do t’ua “marrësh hakun” në të njëjtën mënyrë planifikuesve të asaj surprize?

– (Qesh) Vetëm një personi, koleges sime të dashur Ina Qirjo që për 3 minuta më bëri të përjetoja një stres të vërtetë për fjalët e pakuptimta që raportonte dhe mjeshtërinë me të cilën e realizoi. Do ishte këndshëm “t’ia merrja hakun”. Bëj shaka. Një përqafim për të gjithë stafin që u kujdes për mua që të kaloja një ditëlindje të paharruar.

– Si do ta mbyllje këtë intervistë, si një gazetare e mirëfilltë?

– Të dashur lexues të gazetës “Intervista”, ju falënderoj për kohën që më kushtuat duke lexuar mes këtyre rreshtave. Për lajmin më të fundit, shihemi ne ekranin e Nevvs24. Qëndroni me mua! (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *