Sapo ka publikuar klipin e tij më të ri, “Eja Eja” dhe këto ditë ai ka qenë në Tiranë ku përveç suksesit të këngës, ashtu siç thotë edhe ai vetë, po shijon edhe motin dhe bukurinë e vajzave. Në daljet e tij ju shihni vetëm një djalë simpatik, me zë dhe këngë të bukura, por që të mësoni më shumë rreth Butrintit, lexoni intervistën tonë…
Mia Buci: – Butrint, unë do të të krahasoja me Zayn Malik të grupit One direction… Çfarë mendon se keni të përbashkët ju të dy?
Butrint Imeri: – (Buzëqesh) E kam dëgjuar edhe herë të tjera të më krahasojnë me Zayn, por besoj se përveçse ngjajmë pak në tipare, nuk kemi asgjë të përbashkët nga ana artistike; ai është shumë Pop ndërsa unë, më shumë RnB.
– Dhe meqë jemi këtu, më trego diçka më tepër rreth formimit tënd artistik…
– Që në moshën 5 vjeçare kam nis të këndoj, megjithatë formimin tim si këngëtar e mora në “Voice Lap Academy” ku kam studiuar për pesë vite muzike. Tani që e kam mbaruar, vazhdoj të ndjek kurse muzike dy herë në javë me profesorin tim. Aty ku unë sot jetoj, në Gjermani, kam studiuar edhe për kërcim modern në “Dance Energy” për 10 vite dhe mund të them se sot e zotëroj shumë mirë edhe këtë aftësi. Pak keni parë në klipet e mia! Akoma më shumë do të shihni së shpejti.
– Klipi yt më i ri mban titullin “Eja Eja” dhe vërtet erdhe me një tjetër këngë të bukur…
– Faleminderit! (Buzëqesh) Është një projekt për të cilin kemi punuar shumë dhe tani i mbetet vetëm publikut ta vlerësojë. Shpresoj shumë që “Eja Eja” të kthehet në hit se me të kam sjellë diçka të re. Fakti që klipi është xhiruar në Zvicër, besoj se e ka bërë më interesant pasi vendet nuk janë të njohura për shumicën e publikut. Nga ana tjetër, skenat që kam xhiruar në dhomë mund t’i quaj si të reja për publikun shqiptar, pasi asnjë artist nuk ka guxuar të ketë një kontakt të tillë në një klip. Përsa i përket tekstit, mund të them se është tepër i gjetur dhe që mua më është përshtatur menjëherë sapo ma prezantoi Vig Poppa.
– Le të mbetemi pak te skenat e nxehta…
– (Qesh) Po! Mundesha të bëja më shumë, por vendosa ta lë me kaq këtë herë.
– Kam dëgjuar edhe covera të kënduar live nga ti, ku do të veçoja “Use somebody”…
– Coveri “Use somebody” është realizuar disa vite më parë në studion e profesorit tim gjerman, Frank Shultz dhe është videoja e parë në kanalin tim ne YouTube. Nuk e përjashtoj mundësinë që herë pas here të realizoj edhe covera të tjerë. Pse jo, përderisa mua më pëlqejnë shumë.
– Jeton në Gjermani dhe suksesin e kërkon në Shqipëri, ndërkohë që shumë këngëtarë dhe repera shqiptarë e zhvillojnë aktivitetin e tyre me koncerte, kryesisht në Gjermani. E ke menduar depërtimin në tregun gjerman?
– Po, e kam menduar, sigurisht, por për momentin jam i fokusuar në karrierën time në Shqipëri e Kosovë.
– Kur ndodh më tepër të jesh në qendër të vëmendjes?
– Kudo ku shkoj! Për shkak se aktiviteti im artistik tani është më i madh, unë pothuajse jam shumicën e kohës në Kosovë e në Shqipëri dhe këtu e vë re shumë vëmëndjen. Nuk jam tipi që më pëlqen të evitoj kontaktet me fansat, kështu që nuk më duhet të fshihem në vende ku ka pak njerëz.
– Ndodh që tani të jesh më tepër në qendër të vëmendjes së vajzave?
– (Qesh) Po, të shumë vajzave. Ato përbëjnë pjesën më të madhe të fansave të mi.
– Me siguri këto fanse janë edhe kurioze të dinë për tipin e femrës që ti pëlqen…
– (Buzëqesh) Hëm… Ka vetëm një karakteristikë që do ta veçoja si më të rëndësishmen dhe ajo është mençuria. Nuk e them se jam në intervistë, por mua ajo që më bën për vete te një femër është mënyra si mendon dhe argumenton.
– “O na na na/Unë jam bo për ty e ti je bo për mu…”. E ka marrë vajza mesazhin?
– (Qesh) A do më besoje po të të thoja se teksti nuk është personal? Ky tekst është për të gjithë ata që ndihen të dashuruar dhe sigurisht, në një moment të caktuar mund të jem edhe unë.
– Çfarë dhe kush ka ndikuar më shumë te ti?
– Pa diskutim, familja. Më kanë mbështetur e përkrahur në çdo hap timin si në jetën personale, ashtu edhe në atë artistike. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me prindërit, motrën e vëllain dhe ata janë shtylla kryesore për mua.
– Cili është personi që admiron më tepër?
– Janë dy: prindërit.
– Këto ditë ke qenë në Tiranë… Çfarë të është dukur interesante sot?
– Femrat dhe koha! Shumë të mira i keni të dyja. (Qesh)
– Çfarë të pëlqen të marrësh nga jeta dhe çfarë i shijon më shumë asaj?
– Në moshën që jam, besoj se s’duhet të lë gjë pa shijuar. Më pëlqen t’i marr jetës më të mirën e saj, dashurinë, të cilën edhe e jap me bollëk. (Buzëqesh)
– Për momentin, çfarë do të të bënte të ndiheshe mirë?
– Një gjumë i mirë, pas një dite të mbushur me intervista dhe lëvizje.
– Një dëshirë…
– Të zhvilloj një koncert timin në një skenë gjigande.
– Një fobi…
– Disa insekte që s’ua di as emrin. (Qesh)
– Një tjetër ëndërr për t’u realizuar?
– Të realizoj njëherë këtë që kam nisur, pasi kam shumë rrugë për të bërë.
– Si po e menaxhon suksesin tani? Ke një strategji të caktuar për këtë?
– Mundohem të eci gjithmonë me plane pasi mendoj se suksesi nuk arrihet kurrë duke realizuar projekte që bëhen shpejt në kohë. Për momentin, i kam vënë vetes disa synime të cilat besoj se do t’i arrij.
– Me çfarë fryme të ka rritur familja?
– Unë jetoj në një familje ku të gjithë jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Duke qenë se unë jam më i vogli, më vjen mirë të them se jam rritur duke ndjekur shembuj shumë të mirë si nga prindërit, ashtu edhe nga motra e vëllai.
– Mendon se edhe pas 5 apo 10 vitesh, do të jesh po ky që je tani?
– Po, do të jem po ky që jam tani, vetëm se pak më i rritur në moshë dhe eksperiencë.
– Përveçse këngëtar dhe mik i mirë, a është Butrinti edhe një djalë i mirë?
– Po, kështu thonë. (Buzëqesh)
– Dihet që djemtë janë më të lidhur me mamatë. Ndodh edhe me ty kështu?
– Edhe për mua është e vërtetë. Jam tepër i lidhur me mamin.
– Ia tregon mamit të gjitha historitë e tua?
– (Qesh) Po! Jo vetëm që i tregoj, por edhe marr ndonjë mendim prej saj.
– Gjërat që të interesojnë më shumë tani?
– Karriera.
– Ajo që do të shtosh në fund?
– Të falënderoj ty për këtë intervistë (buzëqesh) dhe të gjithë fansat e mi të cilët më ndjekin kudo dhe më shkruajnë pafund. Ju dua!
– Cilat janë oraret e kthimit tënd në shtëpi?
– Kur jam në Kosovë, për shkak të angazhimeve apo daljeve me miqtë, kthehem rreth mesnatës. Në Gjermani jam korrekt dhe kthehem më herët, përveç të shtunave!
– Si e shpreh nervozitetin?
– Falë Zotit, nuk bëhem shpesh nervoz dhe arrij ta kaloj situatën mirë.
– Fjala që e ke majë të gjuhës?
– Po! (Qesh)
– Çfarë i thua vetes kur je vetëm?
– “Vazhdo kështu siç ke nisur”.
– Çfarë të bën të ndihesh mirë?
– Të jem i rrethuar nga njerëz.
– Si do të ishte për ty një festë ditëlindjeje surprizë?
– Mjafton që në festë të ishin personat e mi më të afërt. Më besoni që është shumë e vështirë për t’i mbledhur, kështu që nëse dikush e arrin, do të ishte surpriza më e bukur për ditëlindje. Për dhuratën, flisni me vëllain tim… Ai e di! (Qesh)
– Cilët janë personat që të njohin më mirë?
– Familja dhe miqtë e mi të ngushtë.
– Cilin do të zgjidhje midis nominimit Mashkulli më i Mirë dhe Artisti më i Mirë?
– Do ishte mirë ta filloja me Artisti më i Mirë i Ri e pastaj, çdo vit me radhë, të merrja Mashkulli më i Mirë. (Qesh)