Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:

– Siç i thashë edhe ish-pedagoges tënde Mirela Bogdani, te Balushka ka shumë gjëra, për t’u mbajtur si ujët e pakët, veçmas Mirësia. Por, kam vënë re se në arredimin e ambientit ku jeton, je e kujdesshme, që të arredosh çdo detaj, deri në imtësi. Vogëlsirat, thonë, sjellin përsosmërinë, po përsosmëria, pastaj, nuk është më një vogëlsi. Urime Balushka dhe… mos harro karrierën! E di vetë ti!

– Një pasdite pashë të ulur bashkë, për kafe, dy miq të mitë dhe sidomos të motres: këngëtarët e famshëm, Kozma Dushi dhe Françesk Radi. U përshëndetëm ngrohtësisht… Pastaj të nesërmen, po aty… Të pasnesërmen dhe më tej. Sigurisht që më hipi kurioziteti: Pse këtu, kur në Tiranë ka me qindra klube? Ky klub quhet “Libri”. Pra, nuk është “Casa Ricordi” e muzikantëve. As Lidhja e Shkrimtarëve. Po, instikti i artistit është madhështor. Ai e udhëheq atë, artistin, atje ku duhet, si fari një anije. Libri, zotni, ka në vetvete atë fisnikëri që hyn në punë në çdo fushë. Ja, këtu është shpjegimi. Pa diskutuar shërbimin dhe zemrën e mikut tim Agron Morava. Urime të treve!

– Gjëja e parë që më bëri përshtypje kur u takuam, i dashur Erzen Breçani, ishte: Në jetë qenke më i ri se në ekran. Sportiv, po se po, se je me karrierë ushtaraku dhe sigurisht, ndikon edhe gjeni i vendlindjes. Kam ardhur dhjetëra herë te lokali yt. Nuk të kam takuar, po kafe kam pirë. Një kafe e shkëlqyer, e servirur nga djem me shumë edukatë dhe… shumë e lirë, mor Zot. Shkurt, edhe pse epoka e lokaleve ka vdekur brenda meje, kafen do ta pi gjithmonë aty. Të uroj gjithë të mirat, Erzen!

– Të uroj nga zemra, i dashur Gim, për fillimin e sezonit të ri të “By-Passit”. Ai është kthyer në një “Hosten” televizion, me performancë gjithnjë në rritje. Uroj, fort, dobësinë time Kelën, që tani është bërë edhe mama. Po ashtu edhe K/redaktorin dhe gjithë stafin që e “gatuan”. Sezon të mbarë! Suksese!

– Nuk kam patur rastin të të njoh, nga afër, i dashur Pjetër Toni, shef i zonave të mbajtura në Kune, aty në Lezhë. Ishe zotni burrë. Uroj të jesh çdo ditë në lartësinë e detyrës së shenjtë që ke mbi supe, për këtë pasuri të rrallë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. E di që nuk është e lehtë, se krisma po na dëgjojnë veshët, diku më tutje, por besoj fort te burrëria jote në zbatimin e ligjit. Të uroj dhe do të takoj se do të vij në Lezhë!

– Të gjithëve ju kujtohet ai romani i këndshëm “80 ditë rreth botës”. M’u kujtua nga kjo shifra: 80, 1 korrik-20 shtator, 80 ditë në ferrin e temperaturave. Zot! Të falenderoj me shpirt. Në qoftë se ke portret njerëzor hajde të pimë nga një gotë verë bio! Paguaj unë nga lekët që nuk i bleva ilaçe për të hequr vapën. Dhe… të lutem mos e kthe më përmbytje tani! Aman! Se, pastaj, ku ishim, hiç gjëkundi. Gjithsesi uroj gjithë sportistët e liqenit, që tani ndihen ku e ku më të lehtësuar! Urime!

– Unë e kam ndjekur rritjen e këtij djali të vogël, me një emër “goditës”: Gridi, kryesisht nëpërmjet pyetjeve, që i kam bërë së ëmës Dorinës, që është një nga shoqet e mia më të mira. Në telefonatën e datës 22/09/2015 më kënaqi kur më tha “Gridi ka shkuar në klasë të parë”. Sinqerisht, u gëzova që atij i erdhi mosha të shohë jetën me një dritë të re. Zakonisht, të them: “Puthe çunin Dori”. Tani shtoj: “I shtrëngoj fort doren këtij shkollari të suksesshëm”. Urime nga zemra Gridi!

– Si gjithmonë kur kam një ngërç, një si turjelë e nxehtë më shpon. Sidomos në kokë. Këtë ndjeva gjithë atë kohë që nuk të pashë në ekran, e dashur Klementina Cenkollari. Që të kuptosh ndjenjën time për ty, është e thjeshtë: Zëre se je tifoze. Fajtori yt i zemrës thyen këmbën, ç’ndodh me ty tifozin? Edhe mund të qash, madje. Mirëpo (ah, ka edhe “mirëpo”) ja ku u shfaqe prapë.

– Ishte një intervistë me Ditmir Bushatin, për raportet me OSBE-në. Ti ishe atje, me po ata sy sa kërkues e ngulmues, aq edhe të pafajshëm. Ti, njeri i punës, korçare punëtore, pa asnjë tendosje të kotë apo koketeri naive, aq prezente tek ato gocat e reja gazetaruce. Shkurt, më lumturove kaq shumë! Të përqafoj fort, sikur të ishe Sara (vajza ime). Urime Klea!

– I dashur Agim Isaku! Pas kaq kohësh, të pashë përsëri ty, shoku i fakultetit, shkrimtar i talentuar, mësuesit në Lezhë, në aksion, ku flije në një kapanon me Fred Kaninin ndjesë pastë drejtor i RTSh-së, po gjithnjë gjithë Agim, jo perëndim i shpirtit. Edhe gjysh tani! Oh, sa më gëzove, mua që vazhdoj të hyj te naivët, që e duan të bukurën te shpirti njerëzor. Të fala Deas! Shumë urime!

– Normalisht, kaloj dy herë në ditë pranë Akademisë së trajtimit të fytyres së Ardi Borovës. Një herë kur shkoj te liqeni dhe të dytën, kur vij prej andej. Nganjëherë edhe përshëndetemi. Ardi, ky çun king, ka 20 vjetorin e biznesit të njohur jo vetëm në Shqipëri. Epo, sigurisht që nuk mund të rrija indiferent, për ta uruar “Gëzuar edhe në 50 vjetor, Adi!”.

– Duke e njohur disi natyrën e Edi Ramës, e kuptoj nevojën e tij artistike për të ecur vetëm dhe medituar. Por, në rastin tënd, i dashur Ram Geci, ai bën një përjashtim. Shëtitja apo ecja bashkë, me datë 22/09/2015, pas takimit me biznesmenët italianë, me të drejtë u bë lajm. Është i certifikuar respekti i tij për ty, qëkur ishte Kryetar Bashkie. Lidhet me cilësinë e punimeve që realizon firma jote dhe duket, kështu vazhdon. Epo, urime, i dashur Ram!

– Dhe ja përsëri për ty, e dashur Mesila Doda. Është i certifikuar respekti im për ty. Ta kam thënë e kam shkruar. Edhe simpatia fizike, për modelin e veçantë të flokëve. Prapë po lakohesh në shtyp. Unë (dhe të gjithë ata që duan të vërtetën), prapë me ty. Lus Zotin, që kur të pimë kafe, flokët t’i kesh, ashtu si… e di vetë ti. Të përqafoj. Puthi fort kalamajtë.

– Në jetë ka situata vërtet të çuditshme: Bëhet një martesë, nuk kalon shumë dhe ajo… dështon. Të mbyt zhgënjimi. Partnerët bëhen të huaj, të neveritshëm, deri fizikisht të pahonepsshëm. Kësaj i gjendet rrugëdalja: Ndarja. Po si i gjendet ilaçi asaj që provon, kur sheh një gjë të bukur dhe nuk ngropesh duke e parë e që e di se nuk do të jetë kurrë jotja?! Ç’është kjo dhimbje që i jep njeriut Zoti në çdo moshë? Uroj që të më japësh një përgjigje ti, vajza me syze, nga Gjirokastra, që quhesh Kristina. Ti që shet bukë te “Elenikon” dhe zemran ma trazon fort me atë buzëqeshje asgjësuese, prapa syzeve të bukura optike. Uroj fort të më japësh një zgjidhje, ti që e than greqishten!

 

Përshëndes shpirtin tim Nardin që e dua shumë dhe i them je jeta ime dhe te adhuroj pa fund, o lali. Të puth fort te buza, Xhelozja jote. Në qoftë se mendon që jeta jote mund të bëhet roman, jeto bukur çdo ditë, që të dalë e bukur çdo faqe.

Essalamu alejkum, gëzuar bajramin. Allahu ju pranofte namazet dhe punet e mira. Harmoni dhe begati ne shtepite tona. Nga nje lexues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *